Droutsas-Meta: Greqia në mbështetje të Shqipërisë
Ministri i Jashtëm Plotësues i Greqisë, Dimitris P. Droutsas i telefonon zv.kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, në lidhje me situatën e krijuar si pasojë e përmbytjeve në veri të vendit. Gjatë bisedës telefonike, Ministri i Jashtëm Plotësues i Greqisë, Droutsas i shprehu Metës solidaritetin e Greqisë në këto momente të vështira, duke theksuar se “Qeveria greke është pranë Qeverisë dhe popullit shqiptar”. Në këtë kontekst, Droutsas i shprehu zv.kryeministrit gatishmërinë e Greqisë për të ndihmuar konkretisht në menaxhimin e gjendjes së krijuar, si dhe për ndihmat e para që Qeveria greke ka nisur në drejtim të Shqipërisë, asistencë që do të vazhdojë në varësi të nevojshmërisë në terren. Meta e falënderoi Droutsas për përgjigjen e shpejtë të Qeverisë greke ndaj kërkesës për asistencë të Qeverisë shqiptare dhe e informoi atë rreth masave të marra nga autoritetet shqiptare për menaxhimin me dëme sa më minimale të situatës së krijuar dhe rreth koordinimit të asistencës për familjet e prekura nga përmbytjet.