E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO, një parullë më pak, një mundësi më shumë

• Blendi Kajsiu

Të gjitha sinjalet e deritanishme duket
    se tregojnë se Shqipëria bashkë me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor do të marrë ftesën për t’u anëtarësuar në NATO. Duket se ajo për të cilën është folur kaq shumë, që nga disa është konsideruar si ëndërr apo moment historik, më në fund do të realizohet. Dhe le të shpresojmë se do të ndodhë vërtet kështu. Jo vetëm sepse më në fund Shqipëria do të bëhet pjesë e klubit perëndimor, NATO, por sepse më në fund në skenën tonë politike do të kemi një parullë më pak: “Për hir të integrimit në NATO”. 
Një parullë më pak, është një mundësi më shumë që debati të fokusohet tek politikat konkrete që kanë të bëjnë me reforma ‘dytësore’ si ajo e arsimit, shëndetësisë, e pronësisë, e kështu pafund. Eshtë një mundësi më shumë që reformat të mos bëhen ‘për hir të integrimit në NATO’, por për hir të qytetarit shqiptar që meriton kushte më të mira në spitale, shkolla, shtëpi apo punë.  Natyrisht pas NATO-s do recitohet pafund parulla e ‘integrimit në Bashkimin Evropian’. Në fund të fundit kur forcat politike nuk kanë identitet të qartë politik, ideologjik apo përfaqësues nuk mund të qeverisin me politika, por me parulla.
Gjithsesi anëtarësimi në NATO, që do zoti të ndodhë sa më shpejt, është një premisë e mirë për të zhdukur nga ligjërimi politik një nga klishetë më të mëdha të tranzicionit, ‘integrimin euroatlantik’, që minimalisht do të reduktohet tek ‘integrimi evropian’. Themi klishe, pasi të gjithë janë pro integrimit euro-atlantik. Askush në skenën politike, publike apo popullore nuk është seriozisht kundër anëtarësimit në Evropë, liberalizimit të vizave apo mirëqenies evropiane. E megjithatë të gjithë përsërisin pafund ‘integrimin euroatlantik’ a thua se ka mbetur dikush për t’u bindur se ky integrim duhet bërë. Ndërkohë sa më i lodhshëm dhe i mërzitshëm bëhet refreni i integrimit euroatlantik aq më shumë Shqipëria duket se i largohet standardeve ku duhet të integrohet. Aq më shumë ky proces i ngjason një kapitullimi më shumë sesa një triumfi.  Ky është rasti me anëtarësimin në NATO. Ftesa vjen pikërisht në momentin kur qeverisja në Shqipëri tregoi një nga dështimet e saj më spektakolare. Kur dështuan jo vetëm një listë e gjatë institucionesh të sigurisë të përmendura nga kryeministri, por doli në pah edhe kapja korruptive e shtetit, me pasojë vrasjen e qytetarëve të pafajshëm. Në këtë moment të gjithë e kanë të qartë, përfshi edhe qeverinë, se anëtarësimi në NATO është mbi të gjitha pasojë e dinamikave gjeopolitike në rajon dhe botë dhe jo e zhvillimeve të brendshme në Shqipëri.  Standardet e qeverisjes, demokracisë apo të transparencës sot janë në pikën e tyre më të ulët që nga ardhja në pushtet e PD-së në vitin 2005.
Prandaj ftesa që shpresojmë që Shqipëria të marrë sot dhe anëtarësimi që pritet të ndodhë nesër për momentin i ngjason më shumë një kapitullimi sesa një triumfi. Sot jemi dëshpërimisht të ndërgjegjshëm se në NATO nuk po hymë me kokën lart, por po na fusin me kokën ulur. Në NATO nuk po futemi se kemi arritur standardet, por për të arritur standardet, nuk po futemi se kemi garantuar sigurinë, por për të garantuar sigurinë. Majtas apo djathtas mendimi dominues është se duhet të futemi në NATO, pasi nuk mund t’u zëmë besë qeveritarëve tanë, me shpresën se duke qenë në NATO ata do të monitorohen më afër, më shumë, më fort.
Sot, kur Shqipëria duket afër NATO-s, kësaj shprese dëshpëruese mund t’i shtojmë edhe një mendim optimist. Pas anëtarësimit në NATO qeveritarët do të kenë një parullë më pak për të fshehur paaftësinë apo mediokritetin e tyre. Ne do të kemi një mundësi më shumë për të kërkuar se çdo të bëhet konkretisht për të përmirësuar demokracinë, ekonominë, jetesën tonë dhe jo për të mundësuar anëtarësimin në NATO.

Një parullë më pak, është një mundësi më shumë që debati të fokusohet tek politikat konkrete që kanë të bëjnë me reforma ‘dytësore’ si ajo e arsimit, shëndetësisë, e pronësisë, e kështu pafund

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›