E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hileja ogurzezë e reformës elektorale

• GAQO APOSTOLI

Gjëmat e mëdha në procesin e
    zgjedhjeve parlamentare të shkaktuara për më shumë se një dekadë nga politika e mbrapshtë  elektorale e binomit PD&PS janë pasuar me tragjedi të mëdha sociale dhe ekonomike, që kanë shkretuar Shqipërinë. Kështu ndodhi pas katastrofës zgjedhore të 26 majit 1996 që pasoi me rrënimin e ekonomisë së qindra mijëra shqiptarëve dhe gjymtimin e jetës së tyre, e cila mbeti nën gërmadhat e piramidave të kompanive rentiere mashtruese dhe të shtetit të parë berishian. Pas zgjedhjeve të lemerishme të 3 korrikut 2005, shoqëria shqiptare u traumatizua sërish këtë pranverë nga tragjedia e madhe që ndodhi në Gërdecin e vogël. Një tragjedi e përbindshme për nga mënyra se si ndodhi, si u transmetua dhe si u përjetua. Një tragjedi me rrënjë të shtrira në katastrofën elektorale dhe në krimin e shtetit të dytë berishian, që kjo katastrofë e rriti dhe e ushqeu. E megjithatë, politika elektorale e binomit PD&PS vazhdon të mbetet e pashoqe në ligësinë dhe mbrapshtësinë e saj. Kjo politikë-makth në trajtën e hileve elektorale i shtrin krahët sërish si një shpend i madh ogurzi mbi rrënojat e Gërdecit dhe jetët e njerëzve të tij, mbi to e nën to, mbi tërë Shqipërinë dhe jetët e shqiptarëve, mbi tokë e nën tokë.
Propozimi ogurzi
Në vigjilje të tragjedisë së Gërdecit, duke dhunuar me një arrogancë të tryezën e komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, binomi politik PS&PD, paraqiti në Konferencën e Kryetarëve të Parlamentit një propozim për ndryshimin e formulës kushtetuese të sistemit zgjedhor. Për nga arroganca e paraqitjes dhe shkalla e rrezikshmërisë që mbart, ky veprim ishte dhe mbetet në perspektivë i barasvlershëm me një grusht shteti, në dëm të demokracisë dhe pluralizmit. Për nga mënyra e formulimit të propozuar dhe të mbështetur nga lidershipi të binomit PS&PD, projekti i ndryshimit të sistemit zgjedhor përbën një hile të madhe të sajuar nga disa politikanë të vegjël dhe ogurzinj. Janë pikërisht ata që me papërgjegjshmërinë e tyre projektuan, organizuan dhe realizuan proceset mashtruese elektorale “Dushk 2001” dhe “MegaDushk 2005”, që deformuan deri në përçudnim përbërjen parlamentare të kësaj periudhe. Hileja e rrezikshme e tyre, që kalon në përmasat tragjike të një mashtrimi të madh të shoqërisë, synon të deformojë sërish deri në shkatërrim rezultatin zgjedhor në Shqipëri. Pas demaskimit të katastrofës elektorale të MegaDushkut, hilenë e madhe të kësaj reforme elektorale, binomi ogurzi PS&PD e ka fshehur me mjeshtëri “në barkun” e propozimit të tyre për ndryshimin e formulës kushtetuese të sistemit zgjedhor. Një hile tragjike e fshehur në Parlament si predhat në fabrikën e vdekjes në Gërdec. Dhe ashtu si predhat që vranë, gjymtuan, shkatërruan me dhjetëra, qindra, mijëra njerëz, ndër ta me shumicë gra e fëmijë, e traumatizuan tërë shoqërinë, shpërthimi i saj do ta shndërrojë tërë Shqipërinë në një Gërdec elektoral, me pasoja për demokracinë, pluralizmin, zhvillimin dhe integrimin.
Si është menduar të
realizohet hileja e madhe
Në zbatimi të kësaj hileje ogurzezë, bashkëkryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Kastriot Islami, është shprehur se ndryshimet në Kushtetutë do t’i hapin rrugë veprimtarisë së këtij komisioni. Për të realizuar këtë hile të madhe jashtë komisionit të posaçëm parlamentar, politikani ogurzi Islami, ndërtoi një alibi për gjoja bllokim të komisionit, të cilin ai e bashkëkryeson me një tjetër ogurzi, Rusmajlin, që e ka, sigurisht, vetëm si mbështetje të fortë politike. Të dy e dinë se komisionin e bllokuan vetë ata me urdhrin apo bekimin e lidershipeve të binomit PS&PD. Të dy e dinë se një propozim i tillë kushtetues apo edhe amendamente të tjera ligjore, duhet të paraqiteshin në tryezën e komisionit të posaçëm, të cilit, me vendim parlamentar i është dhënë atributi për t‘ja paraqitur Kuvendit. Të dy e dinë se në komision nuk mund ta kalonin këtë propozim kushtetues për sistemin zgjedhor, pa e shoqëruar më parë me formulat përkatëse që përcaktojnë mënyrën e shpërndarjes së vendeve për deputetë sipas rajoneve. Për ta kaluar këtë situatë stigmatizuese, përmes një diabolizmi që e shoqëron në çdo hap, Islami shtiret sikur të mos jetë fshehur gjë në propozimin kushtetues të Partisë Socialiste, duke u shprehur: “Pas miratimit të sistemit të ri zgjedhor në Kushtetutë, ai do të kthehet në orientim për komisionin e Reformës Zgjedhore, i cili do të duhet ta përkthejë atë në Kodin Zgjedhor në gjithë elementet më konkretë”. Thuajse të njëjtën hile ka ofruar në mbështetje të propozimit të binomit PS&PD edhe Gjinushi, ky politikan i vogël i procesit të madh MegaDushk 2005, që shprehet në favor të votimit të këtij formulimi kushtetues për ndryshimin e sistemit zgjedhor. 
Kjo bëhet me qëllim që të shmanget vigjilenca e partive politike që e kundërshtojnë këtë propozim të lidershipeve PS&PD, i cili, si një Kalë Troje, mban fshehur “në barkun e tij” metodën e matematikanit belg Viktor d`Hondt për alokimin e vendeve në Parlament nga listat shumemërore të partive. Humbja e vigjilencës së partive ndaj hilesë Islami–Rusmajli-Gjinushi, për ta votuar në Parlament formulimin kushtetues të sistemit të ri zgjedhor, me jo më pak se 2/3 e votave të deputetëve (94), për “ta përkthyer” atë pas këtij votimi, në “elementët më konkretë” të tij në komisionin e posaçëm, do të ishte fatale për Shqipërinë. Do të ishte rënia e Trojës së demokracisë dhe pluralizmit.
Çfarë fshihet “në barkun” e këtij propozimi ogurzi
Eshtë fare e thjeshtë. Mashtrimi konsiston në miratimin e ndryshimit kushtetues për një sistem zgjedhor proporcional rajonal, me lista shumemërore në rajone elektorale mbi bazën e qarqeve të sotëm, i realizuar si zakonisht në raste të tilla pas një mesnate të Parlamentit shqiptar. Më pas, ogurzinjtë e binomit PS&PD do të nxjerrin shpatën e d‘Hondt-it të fshehur “në barkun” e këtij sistemi të ri zgjedhor për të masakruar tërë partitë e tjera, për të gjymtuar edhe për shumë kohë të ardhmen e politikës shqiptare, zhvillimin e vendit, demokracinë dhe pluralizmin. “Elementët më konkretë” të sistemit zgjedhor tashmë miratohen në Parlament me jo më pak se 3/5 e numrit të deputetëve, që do të thotë se lidershipi i binomit PS&PD thuajse nuk ka më pengesa numerike parlamentare për ta bipolarizuar politikën, apo për ta mbajtur sërish për një periudhë kohe vendin nën një të ashtuquajtur totalitarizëm bipolar.
Për ta qartësuar këtë problem përtej simbolikës dhe figuracionit të përdorur, metoda d‘Hondt që ka programuar të përdorë lidershipi PS&PD në shpërndarjen e mandateve në rajonet elektorale me bazë qarqesh, është një metodë që bën shpërndarjen e tyre sipas mesatares më të lartë. Përmes zbatimit të kësaj metode sistemi “zbret” në nivelin më të ulët të proporcionalitetit, në krahasim me të gjitha metodat e tjera proporcionale të përdorura, bile në shumicën e rasteve, proporcionaliteti i tij shndërrohet në iluzion. Metoda e d‘Hondt-it favorizon partitë e mëdha, të cilat rrëmbejnë pjesën proporcionale të partive të vogla që nuk kuotohen dot për një deputet në rajone të caktuara elektorale, të cilat kanë një numër të kufizuar mandatesh, ndonëse arrijnë në to sipas rastit kuota proporcionale që shkojnë nga 7 deri edhe 15 për qind e më tepër. Kjo ndodh për faktin, se metoda d‘Hondt karakterizohet nga barriera elektorale të fshehta që variojnë nga njëri rajon tek tjetri në kufij të gjerë, nga rreth 3 për qind (rajon me 30 vende) deri në rreth 14 për qind (rajon me 5 vende).  Grykësia elektorale e binomit PS&PD për të realizuar me çdo kusht statukuonë e një pushteti rotativ të përhershëm në kushtet e bipolaritetit, përbën një rrezik të madh për tërë shoqërinë shqiptare. Reduktimi agresiv i alternativave politike konkurruese  dhe deri në shfarosje elektorale masive të alternativave të pafuqishme, përmes kombinimit diabolik të formulave dhe sistemeve që shkatërrojnë bazamentin real të partive, të cilat sot konkurrojnë ndershmërisht në kuota të ulëta elektorale, duhet bllokuar me çdo mjet demokratik. Kjo duhet bërë në emër edhe të atyre partive dhe të alternativave politike që do të kërkojnë të formësohen e konsolidohen nesër, për të zhvilluar demokracinë dhe pluralizmin në Shqipëri.
Si shmanget hileja e MegaGrabitjes së votave
Për të evituar hilenë e madhe që mbart propozimi i paraqitur dhe i mbështetur nga lidershipi i binomit PS&PD për ndryshimin e formulës kushtetuese të sistemit zgjedhor, partitë duhet ta shqyrtojnë në tryezën e komisionit të posaçëm të Reformës Elektorale këtë amendament të dyshimtë dhe të rrezikshëm kushtetues. Ky shqyrtim duhet bërë jo vetëm për t‘i kthyer atë pak dinjitet që i ka mbetur këtij Parlamenti të nëpërkëmbur, por për të përcaktuar brenda formulimit kushtetues të propozuar nga PS-ja një metodë efiçente të shpërndarjes së mandateve të partive, që siguron shkallën më të lartë të proporcionalitetit në nivel kombëtar. Në këtë kontekst, metoda d‘Hondt e programuar në mënyrë të fshehtë për t‘u përdorur, apo dhe metoda të tjera të mesatares më të lartë që mund të ofrohen për shpërndarjen e mandateve, si formula Sainte-Leaguë e thjeshtë apo e pamodifikuar, që e ul në mënyrë të dukshme disproporcionalitetin e rezultatit në nivel rajonal në krahasim me metodën d‘Hondt, gjithsesi janë të papranueshme në kushtet e Shqipërisë. Ato nuk sigurojnë një garë të plotë elektorale dhe një rezultat të ndershëm proporcional që i duhet zhvillimit të politikës dhe pluralizmit në vend. Përkundrazi, metoda e trafikimit të votave dhe të rezultatit zgjedhor që prodhonte procesi MegaDushk, i cili frynte me vota partitë e vogla, zëvendësohet përmes tyre me legalizimin e MegaGrabitjes së votave të të gjitha partive nga dy partitë e mëdha deri më sot, të cilat kërkojnë të konsolidojnë afatgjatë statukuonë totalitare të rotacionit të tyre qeverisës. Për të evituar MegaGrabitjen e votave nga dy partitë deri më sot të mëdha, apo dhe nga ato që do të mund të bëhen të tilla në të ardhmen, komisioni i posaçëm parlamentar duhet “të nxjerrë nga barku” i propozimit ogurzi të binomit PS&PD formulën për ndryshimin kushtetues të sistemit zgjedhor dhe ta plotësojë atë me “elementët konkretë”, që deri tani mbahen të fshehtë. Komisioni i posaçëm parlamentar duhet ta modifikojë formulimin e propozimit kushtetues për zgjedhjen e 140 deputetëve të Kuvendit të ardhshëm, përmes sistemit proporcional rajonal me lista shumemërore në rajone elektorale të ngritura mbi bazën e qarqeve. Modifikimi apo plotësimi i formulimit të propozuar konsiston në përcaktime të rëndësishme për krijimin e rajoneve të reja elektorale me përmasa sa më të barabarta, si dhe për metodën e shpërndarjes së mandateve, e cila duhet të sigurojë një proporcionalitet të lartë. Përcaktime mund të bëhen edhe për përdorimin e listave shumemërore në nivel kombëtar, krahas listave rajonale për të rritur në maksimum nivelin e proporcionalitetit, duke përcaktuar edhe pragun elektoral të domosdoshëm në këtë rast. Në këto përcaktime mund të përfshihet edhe përdorimi i metodave të mbetjes më të madhe, si kuotat Hare apo Droop, ku të gjitha mbetjet rajonale të partive që kalojnë pragun elektoral mblidhen në nivel kombëtar dhe ju ndahen partive sipas listave shumemërore. Për transparencë dhe garanci, këto përcaktime duhet të inkuadrohen në formulimin e propozimit për ndryshimin kushtetues të sistemit zgjedhor para votimit në Parlament, me jo më pak se 94 deputetë.  Në këtë kontekst, mund të përdoret edhe sistemi proporcional me lista shumemërore në nivel kombëtar, i cili garanton thjeshtësi, përdorimin e kuotave në pjesëmarrjen e grave, mundëson votimin e emigrantëve etj. E preferueshme do të ishte të ndiqej edhe modeli i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, ku u zbatua sistemi proporcional i hapur, me lista shumemërore në shkallë kombëtare, si një sistem zgjedhor tepër transparent e thellësisht demokratik, ku zgjedhësit votojnë për partinë që preferojnë dhe përcaktojnë renditjen përfundimtare të kandidatëve, duke ndërhyrë në to me preferencat e tyre brenda listës së partisë. Dhe, meqenëse jemi dy shtete të një kombi, si dhe, kohët e fundit kemi zgjedhur si model për sistemin e pensioneve modelin e Kosovës, nuk kemi pse vërtitemi nëpër labirintet e të gjithë sistemeve elektorale që ekzistojnë në botë. Modelin e kemi fare pranë, fare i thjeshtë, proporcional i hapur, ku populli vendos në shkallë kombëtare për partitë dhe kandidatët për deputetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›