E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet me makina, dje katër të plagosur

• DURRES/FIER - Katër persona u plagosën dje në aksidentet rrugore të shënuar në Durrës e Fier, tre prej të cilëve anëtarë të një familjeje.

Këta të fundit po udhëtonin në rrugën nacionale Fier-Vlorë kur janë përplasur me një mjet të tonazhit të rëndë. Policia Rrugore e Fierit bëri të ditur, se familja nga Levani i Fierit, po udhëtonte me një makinë "Audi" me targë të Fierit, drejtuar nga Aleksandër Mita, ndërsa pasagjerë ishin e shoqja dhe vajza e tyre 16-vjeçare. Pasditen e djeshme, makina doli papritur nga rruga, duke u përplasur më pas me një betoniere që ishte parkuar pranë. Nga goditja e fortë mbeti i plagosur rëndë drejtuesi i mjetit, 46-vjeçari Mita, ndërsa e shoqja dhe e bija kanë marrë plagë më të lehta. Të tre janë dërguar në spitalin e Fierit, ku kujdesi më i madh i është përkushtuar kryefamiljarit. Pas këtij aksidenti të ndodhur në rrugën që lidh Fierin me Vlorën, një tjetër u shënua në një segment të mbipopulluar, si ai i rrugës së Plazhit në Durrës. Përplasja me një makinë që po qarkullonte në afërsi të zonës së Plepave ka lënë të plagosur rëndë një 25-vjeçar, i cili lëvizte me një motoçikletë. Sipas policisë së Durrësit, e cila mbërriti në vendngjarje menjëherë pas aksidentit, Altin Stërmilli u godit nga një makinë "Benz", me targë DR 1138 D, drejtuar nga Ilir Rubija, 48 vjeç. I aksidentuari u dërgua me shpejtësi në spitalin e qytetit, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Ekspertët po punojnë për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›