E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria dërgon për gjykim dosjen “REXHINA”



TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka dhënë fund të enjten hetimeve mbi 6 të pandehurit e operacionit “Rexhina”, të cilët akuzohen për vjedhje makinash, si një grup i strukturuar kriminal.
Dosja
Burime zyrtare nga kjo prokurori thanë dje për gazetën “Albania”, se “dosja penale në ngarkim të të pandehurve të këtij operacioni i ka kaluar për shqyrtim Gjykatës së Krimeve të Rënda”. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në cilësinë e të pandehurit shtetasit: Dritan Hamiti, Edmond Neza, Gentjan Neza, Erlind Taullaj, Bujar Sefa, Bledar Hasani, të cilët akuzohen për veprat penale të “vjedhjes me dhunë, tetë herë, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal” dhe “kryerjes së veprave nga grupi i strukturuar kriminal”. Të gjashtë personat u arrestuan vitin e kaluar gjatë operacionit të koduar “Rexhina”, i organizuar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Më cilësinë e provës materiale atyre iu sekuestruan disa makina, kryesisht tip “Benz” dhe “BMW”, prodhime të viteve të fundit, të cilat rezultonin të vjedhura në periudha të ndryshme kohore në qytete të ndryshme të vendit si Tiranë, Fier dhe Lezhë.
Operacioni
Operacioni “Rexhina”, i organizuar në maj të vitit të kaluar ka vënë në pranga bandën më tmerrshme të vjedhjes së Benzave luksozë. Janë gjithsej 10 të arrestuar, të implikuar në vjedhjen apo grabitjen, riciklimin dhe shitjen e automjeteve, si dhe në vjedhjen e banesave dhe lokaleve. Për 6 muaj ishin kthyer në tmerrin e pronarëve të Benzave. Preja e tyre ishin makinat e biznesmenëve dhe VIP-ave, por edhe automjetet e vjedhura jashtë vendit, për të cilat pronarët nuk mundeshin t’i denonconin. E tillë është edhe një Benz “Rexhina”, prodhim i vitit 2007, pronari aktual i të cilës siç duket nuk ka preferuar të denoncojë apo të kërkojë makinën e vjedhur. Grupi funksiononte i organizuar, ku çdokush kishte pozicionin dhe detyrën e vet. Policia ka kontrolluar edhe zonat ku mendohej se janë hedhur targat e automjeteve të vjedhura.

2 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›