"Hiqjani patentën shoferit të vjetër të makinës me targa PD 1990"
Kujtojmë me nostalgji kohën kur në rrugën tonë drejt Evropës u shfaq një makinë shumë e bukur ngjyrë blu, me targë "PD-1990". Ne Shqiptarët nuk kishim parë deri atëherë një makinë kaq të bukur e mbi të gjitha, burim shprese për të na çuar nga ëndrra në realitetin Evropian, e i gëzoheshim si fëmijë vezullimeve blu. O Zot, sa shumë kemi ëndërruar e shpresuar në makinën blu me targë "PD - 1990", e sa keq u vranë këto shpresa. Sot kësaj makine i ka ngelur vetëm targa, leja e qarkullimit dhe certifikata abuzive e pronësisë. Drejtuesi aktual i saj, tejet i paaftë, e ka guiduar në gropa e rrëpira të rrezikshme duke bërë t'i zbresin rrugës "pronarët" legjitim e të fluturojnë nga dera e dritaret bashkudhëtarët e hershëm të saj, duke u zëvendësuar stacioneve me udhëtarë të rinj, edhe ata të patalentuar. Dhe vazhdon me kokëfortësi të ngulë këmbë që është ai dhe vetëm ai, drejtuesi i pazëvendësueshëm i asaj makine dikur aq e bukur dhe me daljet e herëpashershme nga rruga, të bënte shumë viktima të pafajshme. Sa keq, që sot asaj makine i kanë ngelur vetëm targat e do të më vinte shumë keq po të demolohej. Targa e saj "PD 1990" ka vlera të jashtëzakonshme historike dhe aktuale e do të mjaftonte një riparim special, që asaj t'i kthehet pamja dhe ngjyra e bukur blu e dikurshme, por... duke i hequr lejen e drejtimit njëherë e përgjithmonë drejtuesit të saj e zbritur poshtë bashkudhëtarët e pa-talent e të pavlerë. Ka plotë djem sot, edhe me leje drejtimi ndërkombëtare që do ta mbanin bukur e do ta guidonin drejt, sipas kodit europian e jo sipas kodit tashmë të vjetruar të Lekë Dukagjinit, makinën blu me targë "PD-1990".