E Diel, 1 Nëntor 2026

Pëllumbi: Te shkohet drejt një sistemi me dy parti

 

Politikani i njohur Servet Pëllumbi shprehet se prirja e pluralizmit në Shqipëri është sistemi demokratik me dy parti kryesore, ndërsa "Dushku", i vogël apo i madh, veçse e ka penguar atë, veçanërisht në vitet e fundit.

Pjesë e shkëputur nga pjesa e parë "Tranzicioni politik"

(Vijon nga numri i kaluar)

Sfida të së ardhmes ose "pluralizmi i dytë"

Është fakt i konstatuar edhe në mënyrë empirike, se ka një "lodhje" apo zhgënjim nga pluralizmi partiak në Shqipëri, por jo nga demokracia. Studiues të ndryshëm flasin madje për një "pluralizëm të munguar", ngase qytetarët e kanë të vështirë të shohin frytet e tij, edhe pse e marrin të nënkuptuar lidhjen e demokracisë me pluralizmin. Duke e vlerësuar si dashamirës një skepticizëm të tillë, do të mendonim se më e saktë do të ishte po të flitej për një mospërputhje të agjendës së veprimeve politike të partive dhe elitave drejtuese me realitetin e sotëm shqiptar e sidomos me nevojën e ritmeve më të larta të zhvillimit të rendit ekonomiko-social kapitalist, tashmë të vendosur.

Për t'u integruar në Europën e Bashkuar, Shqipëria duhet të japë "një shembull të madh", të ecë përpara me ritme të shpejta duke përpunuar e zbatuar politika të reja e koherente ekonomike e sociale, politika të integrimit në ekonominë botërore. Për konkretizim po i referohemi vetëm treguesit të të ardhurave për frymë. Ne kemi arritur të kemi sot të ardhura për frymë jo më shumë se 18 për qind të këtij treguesi në raport me vendet e BE-së. Në stadin e anëtarësimit, ne duhet të arrijmë të paktën në shifrën 75 për qind. Me ritmet e sotme, do të duheshin 50 vjet. Sfida është që këtë shifër ta pjesëtojmë me 3 ose 4. Për këtë, së pari, duhen mënjanuar faktorët politikë dezintegrues të pluralizmit politik duke rritur edhe reagimin qytetar ndaj tyre dhe, së dyti, ekonomia dhe zhvillimi ekonomik i vendit duhet të vlerësohen si përparësia kryesore. Për këtë duhet një strategji kombëtare zhvillimi, në të cilën të përcaktohet qartë modeli më i përshtatshëm dhe, në vartësi të profilizimit të tij, të përcaktohet se ç'do të bëjë iniciativa private (duke i krijuar asaj hapësirat e nevojshme ligjore), ç'duhet të bëjnë shteti, partitë, shoqëria civile. Ndër të tjera, politika duhet t'ua bëjë të qartë edhe qytetarëve se zhvillimi demokratik dhe integrimi në BE s'mund të priten as si dhuratë e aq më pak si lëmoshë.

Nuk kemi ndonjë gjë kundër përdorimit të shpeshtë të termave "reformë" e "ndryshim". Veçse sot, kur s'kërkohet më ndryshim i sistemit, më tepër duhet vënë theksi te një këndvështrim më tërësor, pikërisht te koncepti "zhvillim", te strategjia e përbashkët për modernizimin e shoqërisë sonë, te kontaktet e reja sociale, që diktohen nga veçoritë e ekonomisë së tregut, të luftës kundër varfërisë, të ruajtjes dhe zhvillimit të vlerave kombëtare. Kjo s'do të thotë se nuk duhet folur më për reforma, por kërkohet që ato të jenë pjesë e kësaj strategjie zhvillimi, pra të studiuara mirë dhe me mbështetje sa më të gjerë, mundësisht konsensuale.

Gjithashtu, me institucionalizimin e pluralizmit politik duhej të ndryshonte perceptimi i realitetit, mentaliteti, botëvështrimi, sistemi i vlerave, larmia e këndvështrimeve dhe ndjenja e përgjegjshmërisë qytetare për të zbatuar strategji të përbashkëta, pa injoruar dallimet programore midis partive. Veçse një gjë e tillë po ndodh me shumë ngadalësi, shoqëruar me zhgënjime e nostalgji frenuese. Për të bërë një kthesë edhe në këtë aspekt të pluralizmit politik e partiak do të na duhet të zbresim "nga qielli në tokë" e të vendoset një lloj "rregulli" në kaosin e partive politike, që vazhdojnë të vuajnë deri edhe nga mungesa e ndjenjës së masës në grindje, sherre, në xhelozi politike dhe në hakmarrjen primitive. Në etapën e sotme të pluralizmit partiak, një dukuri e tillë nuk mund të përligjet, sepse kanë rënë mjaft nga arsyet apo faktorët e ashpërsisë së konflikteve dhe ndarjeve midis të djathtës e të majtës së fillimeve të tranzicionit politik. Po kështu, nuk duhet sakrifikuar më tej sistemi për hir të një numri tepër të lartë partish të vogla, që ushtrojnë trysni duke kërkuar deri dhe të drejtën e vetos. Vërtetohet kështu, se me pluralizmin kemi zgjidhur qenien të ndryshëm, por ende s'kemi zgjidhur më të rëndësishmen - aftësimin për të punuar së bashku për interesat më madhore të kombit.

Prej kohësh po ndihet nevoja e një kohezioni të ri social në diversitet, për konsensus kombëtar për çështjet themelore të zhvillimit të shoqërisë demokratike në të cilën duam të jetojmë, si dhe për integrimin në Bashkimin Europian. Por është për të ardhur keq që vazhdon të na mungojë tradita e unitetit të kombit, e solidaritetit dhe e pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në jetën e vendit. Një lloj individualizmi, dikur tradicional, ka filluar të bëhet virulent. Filozofia "ngadalë-ngadalë" dhe "larg shtëpisë sime" po bëhet tepër frenuese. Kurse politika shqiptare vazhdon të hallakatet në kërkim të modeleve të gatshme dhe ideve të importuara për t'i zbatuar, si dhe të "arbitrave" për të ndarë sherret, ngaqë ende nuk kemi një mendim politik kritik shqiptar, realist e frymëzues, apo një elitë politike kombëtare, patriote e me vizion, që të dijë të ngrihet mbi luftën për pushtet. Dhe një dukuri e tillë nuk mund të shpjegohet duke i rënë shkurt: "Jemi ende në tranzicion".

Të formulosh kërkesën për një mendim kritik shqiptar apo për një"filozofi kombëtare", s'do të thotë të përqafosh një "nacionalizëm të ngushtë" që, në thelb, është urrejtje për të tjerët. Një filozofi apo mendim politik kombëtar nuk bie ndesh as me parimin e pluralizmit politik, sepse do të ishte e vetmja bazë për t'u dhënë fund ndarjeve të llojit "ne - ata", "ne të mirë - ju të këqij", apo "mik - armik", që dominojnë mendimin politik partiak e militant të sotëm. Kuptohet, s'bëhet fjalë as për krijim të ndonjë filozofie politike shtetërore apo të ideologjisë së ndonjë partie qeverisëse. Politikanët mund të kenë mospajtime ideore e bindjesh, por është e domosdoshme ta kuptojnë njëri-tjetrin dhe të veprojnë sipas standardeve demokratike, në interes të kombit dhe të atdheut, për të realizuar atë që pat thënë e këshilluar E. Durhami shumë dekada më parë: "Çdo popull ka individualitetin e vet, të cilin duhet ta zhvillojë" (Durham, E, Brenga e Ballkanit). Pikërisht kjo vazhdon t'i mungojë në mënyrë të ndjeshme demokracisë pluraliste shqiptare dhe përbën një kosto kombëtare gati të papërballueshme më tej.

Kuptohet, kur flitet për një mendim kritik, për filozofi politike apo dhe për "demokraci shqiptare", s'bëhet fjalë as për shpikje të ndonjë gjëje tjetër të kundërt me institucionet dhe vlerat universale të demokracisë e të pluralizmit, që në trajtën e tyre më të zhvilluar i përkasin Perëndimit. Në të vërtetë kërkohet diçka modeste në thelbin e vet: që demokracia shqiptare të gatuhet dhe të rritet në vetëdijen tonë, që të mos kuptohet si diçka e imponuar, si imitim i thjeshtë, por si pjesë e qenësishme e mendimeve dhe e psikologjisë së popullit tonë, e aftësive të tij shtetformuese dhe për të ndërtuar demokracinë. Njëherësh, kjo kërkon që vlerat e demokracisë dhe të kulturës së vendeve të zhvilluara të Europës të përvetësohen jo si "produkt i gatshëm" për t'u konsumuar, por si një proces aktiv emancipimi, ndryshimi e zhvillimi, që lëshon rrënjë e bëhet qenia jonë e brendshme, të cilën Ukshin Hoti - viktimë e gjenocidit serb - do ta quante "pjesë të mendimit kolektiv", "e mendjes kombëtare" (Hoti, T . 1995).

Në mënyrë empirike provohet se mungesa e një sistemi të tillë idesh, vlerash e veprimesh, ka bërë që pluralizmi politik e partiak, përveç të mirave - si liria e fjalës, e shtypit, e shprehjes, e organizimeve etj - të ketë sjellë edhe përçarje, një vërtitje në guaskën konfliktuale të interesave personale e partiake, që s'po e kapërcejmë dot. Madje, në gjendjen e sotme e kemi të vështirë të flasim ndërkaq për ekzistencën e një sistemi politik pluralist, sepse për këtë do të duhej që elementet e sistemit (partitë, institucionet politike) të ishin në lidhje e bashkëveprim me njëri-tjetrin dhe të realizonin misionin e tyre me sa më pak shpenzime dhe me minimumin e papërcaktueshmërisë.

Në përputhje me këtë ligjësi të teorisë së sistemeve, pluralizmi partiak te ne ende e ka të vështirë të marrë një notë kaluese, ngaqë i mungojnë strukturat e dialogut, zgjidhjet e përbashkëta, "marshimi" i partive drejt qendrës, shqetësimi për të zgjidhur konfliktet, për të përpunuar e zbatuar strategji të përbashkëta zhvillimi. Për pasojë, sipas mendimit tim, pluralizmi partiak te ne nuk ka ecur në një hap me transformimet e thella ekonomiko-shoqërore dhe me parimet e standardet demokratike që kanë filluar të veprojnë e të bëhen pjesë e vetëdijes së qytetarëve tanë. Zgjidhja e një kundërshtie të tillë do të ishte një nga sfidat më të mëdha të së ardhmes, të cilën, për nga vlera dhe rëndësia, do ta quaja "pluralizmi i dytë".

Rekomandime

1. Është diçka emergjente reformimi i sistemit politik pluralist në Shqipëri, që vazhdon të jetë gati-gati ashtu si lindi në fillimet e tranzicionit politik: jo transparent, jashtë çdo kontrolli ligjor e financiar. Shumica e partive vazhdojnë të vegjetojnë, të regjistrohen "rregullisht" për fushatat zgjedhore e të mos bëjnë dot as fushatë e jo më të fitojnë. Në zgjedhjet e 18 shkurtit 2007 u regjistruan 42 parti, prej të cilave PS e PD morën 44 për qind të votave, 36 parti morën (jo pa ndihmën e partive të mëdha) 56 për qind të votave, ndërsa 4 parti 0 për qind. Mund të merret me mend se ç'stabilitet qeverisës do të kishim nëse 36 partitë e vogla do të binin dakord të formonin së bashku një shumicë qeverisëse!

Kam mendimin se, duke u mbështetur edhe në përvojën e vendeve të tjera, me anën e votës duhet të bëhet seleksionimi dhe krasitja e partive që vazhdojnë të vegjetojnë dhe ta deformojnë demokracinë. Ligji për partitë, tashmë i vjetruar, të ribëhet për të reflektuar gjendjen dhe zgjidhjet e reja. Po kështu, me ligj të bëhet dallimi midis partive që konkurrojnë për pushtet dhe atyre që ndikojnë në forma të ndryshme mbi të, duke i dhënë përparësi stabilitetit të qeverisjes dhe duke e venë në dimensione me reale të drejtën e përfaqësimit me të cilën është abuzuar deri tani. Prirja e pluralizmit në Shqipëri është sistemi demokratik me dy parti kryesore, ndërsa "Dushku", i vogël apo i madh, veçse e ka penguar atë, veçanërisht në vitet e fundit. E vlerësoj të arsyeshme që të ecet në drejtim të një sistemi të tillë të njohur të demokracisë (SHBA, Britani e Madhe etj.) duke realizuar edhe një kalim (në një stadi më të lartë) te Asambleja e dalë nga Kongresi i Lushnjës (1920), që është përvoja e parë e demokracisë pluraliste, në thelb dypartiake, në Shqipëri. Kjo nuk nënkupton moslejimin e disa partive më të vogla me rol ekuilibrues në sistemin politik dhe që arrijnë të sigurojnë kalimin e pragut elektoral.

2. E rëndësishme është që në fazën e tanishme të demokracisë në konsolidim, të kemi një kod zgjedhor sa më të qëndrueshëm, për të evituar praktikën e deritanishme të ndërrimit "të rregullave të lojës" para çdo fushate zgjedhore.. Në këtë rrafsh mund të gjenden edhe mekanizmat përkatëse, që do t'i hapnin rrugën përfaqësimit të grave në Kuvend - nga 7.1 për qind që është sot, në 25 -30 për qind brenda dhjetëvjeçarit të ardhshëm. Qenia e Shqipërisë në vendin e 115-të për këtë tregues, meriton të vlerësohet me seriozitetin më të madh. Për realizimin e objektivave të tilla, mbase do të ishte më i përshtatshëm sistemi i pastër proporcional.

3. Demokracia në një vend në tranzicion, apo të porsadalë prej tranzicionit politik, siç është Shqipëria, ka diçka të pakryer, të paçuar deri në fund deri në normë, që më pas të zhvillohet mbi bazën e vet. Kjo mund të përdoret si kriter për të vlerësuar rolin dhe kontributin e partive politike, të institucioneve dhe të sistemit politik. Media ka një rol të posaçëm për të hetuar e vlerësuar zhvillime të tilla, pa rënë në nivelin e debateve të rëndomta dhe sherreve të ditës midis politikanëve. Media mund e duhet të kontribuojë për të nxitur mjedisin e ideve, të përvojave, tregun e politikave dhe të alternativave konkurruese, pa të cilin demokracia do të ishte e pamundur. Pra, përndryshe edhe media nuk do të ishte as e lirë dhe as e pavarur. Ndërsa ndikimi i shoqërisë dhe i opinionit qytetar do të ishte i papërfillshëm. Pa këtë demokracia do të formalizohej gjithnjë e më shumë dhe s'do të bëhej asnjëherë plotësisht funksionuese.

4. Partitë politike kanë qenë e mbeten konkurruese. Prandaj janë të kuptueshme debatet, kontradiktat, mosmarrëveshjet dhe mendimi ndryshe si elemente të demokracisë së brendshme partiake dhe të raporteve ndërpartiake. Kjo kërkon rritje të pjekurisë dhe të përgjegjshmërisë së vetë sistemit politik. Në këtë rrafsh duhet vlerësuar si e panatyrshme dhe e dëmshme paraqitja nga përfaqësuesit e partive të ndryshme shqiptare e sherreve të brendshme në konferencat apo institucionet jashtë vendit. Të çosh sherret e brendshme (s'është fjala për problemet) në gjykim publik jashtë, siç ka ndodhur e vazhdon të ndodhë, kjo është një gjë e kundërt me përmbajtjen pozitive të pluralizmit. Gjithsesi, është diçka pa dinjitet, që dëmton imazhin e Shqipërisë.

5. Si çdo sistem, edhe demokracia ka dobësitë e veta, sepse është në vartësi të kulturës së personave (të qytetarëve, politikanëve, liderëve) që e ushtrojnë apo e drejtojnë atë. Prandaj demokracia shqiptare vazhdon të mos jetë aq funksionuese, si në drejtim të mënyrës së zgjedhjes së liderëve, ashtu dhe të ushtrimit të kontrollit ndaj tyre. Ka ardhur koha që të kuptohet edhe te ne se në politikën moderne ka vetëm "liderë kalimtarë". Në këtë rrafsh, problematike vazhdon të mbetet edhe çështja e kujtesës së votuesve shqiptarë, që e kanë të vështirë të ndajnë "kohën historike" nga "koha politike" dhe "koha aktive" në veprimtarinë e politikanëve dhe liderëve që vazhdojnë të votohen.

6. Raporteve të politikës me moralin ende po u kushtohet pak vëmendje, për të mos thënë aspak. Ndërsa e ardhmja, sipas mendimit tonë, do t'u japë vlerave morale statusin e një force lëvizëse për funksionimin normal dhe zhvillimin e demokracisë pluraliste. Mekanizmi që vepron në këtë rast, drejtësia, me natyrën e vet morale, duke qenë në themelin e demokracisë, e lidh këtë në mënyrë organike si me moralin, ashtu dhe me qytetarët. Kështu bëhet e mundur të kapërcehet "çudia e demokracisë", kur qytetarët duket se e çmojnë atë, por realisht tregohen të paaftë ta mbrojnë, për të parë e vlerësuar se ç'ndodh rreth tyre.

(Vijon nesër)

Kurse politika shqiptare vazhdon të hallakatet në kërkim të modeleve të gatshme dhe ideve të importuara për t'i zbatuar, si dhe të "arbitrave" për të ndarë sherret, ngaqë ende nuk kemi një mendim politik kritik shqiptar, realist e frymëzues, apo një elitë politike kombëtare, patriote e me vizion, që të dijë të ngrihet mbi luftën për pushtet. Dhe një dukuri e tillë nuk mund të shpjegohet duke i rënë shkurt: "Jemi ende në tranzicion".

Politikanët mund të kenë mospajtime ideore e bindjesh, por është e domosdoshme ta kuptojnë njëri-tjetrin dhe të veprojnë sipas standardeve demokratike, në interes të kombit dhe të atdheut, për të realizuar atë që pat thënë e këshilluar E. Durhami shumë dekada më parë: "Çdo popull ka individualitetin e vet, të cilin duhet ta zhvillojë" (Durham, E, Brenga e Ballkanit

Në përputhje me këtë ligjësi të teorisë së sistemeve, pluralizmi partiak te ne ende e ka të vështirë të marrë një notë kaluese, ngaqë i mungojnë strukturat e dialogut, zgjidhjet e përbashkëta, "marshimi" i partive drejt qendrës, shqetësimi për të zgjidhur konfliktet, për të përpunuar e zbatuar strategji të përbashkëta zhvillimi

Prirja e pluralizmit në Shqipëri është sistemi demokratik me dy parti kryesore, ndërsa "Dushku", i vogël apo i madh, veçse e ka penguar atë, veçanërisht në vitet e fundit. E vlerësoj të arsyeshme që të ecet në drejtim të një sistemi të tillë të njohur të demokracisë (SHBA, Britani e Madhe etj.) duke realizuar edhe një kalim (në një stadi më të lartë) te Asambleja e dalë nga Kongresi i Lushnjës (1920), që është përvoja e parë e demokracisë pluraliste, në thelb dypartiake, në Shqipëri. Kjo nuk nënkupton moslejimin e disa partive më të vogla me rol ekuilibrues në sistemin politik dhe që arrijnë të sigurojnë kalimin e pragut elektoral.

Kjo kërkon rritje të pjekurisë dhe të përgjegjshmërisë së vetë sistemit politik. Në këtë rrafsh duhet vlerësuar si e panatyrshme dhe e dëmshme paraqitja nga përfaqësuesit e partive të ndryshme shqiptare e sherreve të brendshme në konferencat apo institucionet jashtë vendit. Të çosh sherret e brendshme (s'është fjala për problemet) në gjykim publik jashtë, siç ka ndodhur e vazhdon të ndodhë, kjo është një gjë e kundërt me përmbajtjen pozitive të pluralizmit. Gjithsesi, është diçka pa dinjitet, që dëmton imazhin e Shqipërisë.

Ka ardhur koha që të kuptohet edhe te ne se në politikën moderne ka vetëm "liderë kalimtarë". Në këtë rrafsh, problematike vazhdon të mbetet edhe çështja e kujtesës së votuesve shqiptarë, që e kanë të vështirë të ndajnë "kohën historike" nga "koha politike" dhe "koha aktive" në veprimtarinë e politikanëve dhe liderëve që vazhdojnë të votohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›