"Ik, dhe kur të vish në vete, bindu se je thjesht i panevojshëm"
Ajo që lehtësisht mund të konstatohet prej cilitdo, është se Kryeministri me karakterin që ka i përket një tipologjie, një modeli të tejkaluar tepër të vjetër kryeministror autoritar, despotik, koha e të cilit ka kaluar, të themi aty kah fillimi i shekullit të kaluar, kur vaporët me avull i binin qark Afrikës.
Krijesa të tilla, të armatosura me etje të pafundme për pushtet absolut, ka pasur, ka dhe do të ketë gjithmonë. Problemi është se për punë të tjera ndoshta, por për kryeministra s'bëjnë. S'bëjnë sepse, në rastin më të mirë, rast që deri diku korrespondon me Kryeministrin e Shqipërisë, kur janë energjikë, energjinë e shpenzojnë më së shumti për lodhje të panumërta përmes marifetesh, shpesh kriminale, që si e si të vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet me çdo kusht dhe përgjithmonë.
Sa ironike, sa paradoksale, t'i thuash një njeriu të tillë të dorëhiqet për Gërdecin! Përveçse shkak për t'u ardhur në ndihmë fatkeqëve të terrorizuar nga bombardimi shtetëror, Gërdeci nuk është shkak i asgjëje tjetër, por vetëm pasojë. Madje, vetëm njëra nga pasojat. Nga të vegjlit, deri te të mëdhenjtë, Shqipëria e sotme është plot e përplot me gërdeca që presin të plasin.
Ik, Kryeministër, na lër rehat, që punët tona t'i zgjidhim lirisht pa zgjedhën tënde. Ik, se marifetet e tua me të huaj, që demek të konsiderojnë duke të thirrur dhe sajdisur andej-këndej, janë gënjeshtra trashanike populiste që s'i beson njeri. Ik, se po të kishte qenë i tillë, ndonjë President i Amerikës për shembull, apo i ndonjë tjetër vendi fuqi bërthamore, do ta kishte hedhur në erë planetin nja njëqind herë deri tani, duke i shtypur gabimisht butonat e bombave atomike. Ik, se nuk ke asnjë haber nga shtet-bërja dhe baraka e kalbur që t'i e quan qeveri, të është rrëzuar. Ik, se je gënjeshtar; je aq gënjeshtar, sa e kalon çdo masë!
Çfarë do bëje t'i nëse Gërdeci i sotëm do t'i kishte ndodhur pushtetit kur ti ishe në opozitë?! Do t'i vije flakën krejt Shqipërisë për "drejtësi"! Kuptoje pra, hajde në vete, dhe ik! Ik, sepse, sa herë që vjen, na e mbush Shqipërinë plot me dhunë, frikë dhe hajdutllëk. Je i përshtatshëm për një kohë tjetër. Je sjellës fatkeqësish. Je frymëzues i shumë llafe - pak punëve. Ik, gjej një popull tjetër, sa më larg.
Ik, dhe kur të kesh ikur, eja në vete dhe bindu se nuk je as i mbinatyrshëm, as i nën-natyrshëm, por thjesht i panevojshëm.