NATO synon konsultime me aleatët
NATO duhet të zhvillojë marrëdhënie më të ngushta me Kinën, Indinë, Pakistanin dhe Rusinë dhe të konsultohet me këto shtete për konfliktin në Afganistan dhe për çështjet tjera të sigurisë, ka deklaruar sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Ai shtoi se që të katër këto shtete kanë interes në stabilizimin e Afganistanit dhe mund të bëjnë më shumë për të ndihmuar zhvillimin dhe stabilizimin e këtij vendi.
“Cili do të ishte dëmi nëse shtetet si Kina, India, Pakistani dhe shtetet tjera zhvillojnë lidhje më të ngushta me NATO-n? Në të vërtetë, mendoj se vetëm do të përfitojmë në fushën e besimit dhe të bashkëpunimit”, tha Rasmussen.
Ai më tutje shtoi se aleanca duhet të shndërrohet në një forum për konsultime me shumë shtete tjera, me të cilat do të konsultohej për çështjet globale të sigurisë, duke filluar nga terrorizmi, zgjerimi bërthamor, ndryshimet klimatike dhe gara për burimet natyrore.
“NATO-ja mund të jetë vendi, ku do të ndahen qëndrimet dhe praktikat më të mira ndërmjet aleatëve global të aleancës”, tha Rasmussen.
Ai më tutje theksoi se aleanca nuk po shndërrohet në konkurrent të OKB-së. “Po flasim për konsultime ndërmjet një grupi të shteteve, e jo për ndonjë gjë tjetër”, tha Rasmussen.