E Shtunë, 31 Tetor 2026

NBA Majemi arriti te fitonte ndaj Oklahomes

Lebron Xhems ishte njeri i mbrëmjes në parketin e pallatit të sportit në Majemi. Skuadra vendase, nën udhëheqjen e superyllit, mundi me vetëm 5 pikë diferencë, 98-93, kryesuesen e NBA-t duke i dhënë fund një serie të gjatë pa humbje të Oklahomës.
Xhejms shënoi 34 pikë ndaj 30 të rivalit të tij Durant duke qenë i shkëlqyer edhe me 10 asistë. Në një ndeshje me dobësi të madhe në gjuajtje, skuadra nënkampione fitoi me vështirësi.
Ndërkaq, kampionia në fuqi, Dallas Maveriks, fitoi bindshëm 95-85 ndaj Memfisit. Gjermani Dirk Novicki edhe një herë u tregua udhëheqësi i të tijve duke shënuar 23 pikë dhe duke kapur 10 topa në tabela.
Memfis luajti shumë mirë, por ndjeu lodhje në minutat e fundit, pasi po luante ndeshjen e tretë në tre ditë dhe të pestën në 6 mbrëmjet e fundit. Për të nuk mjaftoi loja e mirë e spanjollit Mark Gasol që shënoi 10 pikë, kapi 10 topa në tabela dhe shërbeu 7 asistë.
Ndërkaq, në Los Anxhelos, derbi u fitua nga Lejkërsat. Skuadra e Kobi Brajantit fitoi 113-108 ndaj Klipersave, por këtë herë më i miri ishte Bajnum që shënoi 36 pikë dhe kapi 8 topa në tabela. Brajant realizoi 31, ndërsa për kundërshtarët Batler realizoi 28, Grifin kapi 14 topa në tabela, ndërsa Kris Pol ishte i shkëlqyer me 16 asistë.
Mbrëmjen e djeshme pati shumë ndeshje ku spikasin fitorja e San Antonios në fushën e Bostonit, 87-86, suksesi i thellë i Torontos në Filadelfia, 99-78 dhe pikët e shumta të shënuara në ndeshjen Atlanta-Sharlotë që përfundoi 120-93 për vendasit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›