E Diel, 1 Nëntor 2026

OPINION/ Rama - Berisha dhe Obama-Mekkein

Nga Anila Basha
Katër personazhet e përmendur në këtë titull nuk kanë asnjë ngjashmëri, ose dyshet përkatëse i ndajnë kontinente nga njëri-tjetri. Bëhet fjalë për mijëra kilometra larg, mendimi dhe veprimi. 

Katër personazhet e përmendur në këtë titull nuk kanë asnjë ngjashmëri, ose dyshet përkatëse i ndajnë kontinente nga njëri-tjetri. Nuk bëhet më fjalë për distancat kilometrike mes një vendi të vogël si Shqipëria dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës: bëhet fjalë për mijëra kilometra larg, mendimi dhe veprimi. Teksa dëgjoje dy senatorët të flisnin për buxhetin, krizën ekonomike, politikën e jashtme, sjelljen me investitorët patjetër të duket qesharake politika jonë e ditës merret me çështje fare foshnjore të demokracisë: shteti i së drejtës, abuzimi me financat publike; do jetë apo jo FMN në Shqipëri për të na monitoruar se mos dikush i vjedh dikujt paratë e shtetit (rrjedhimisht tonat), apo nëse do të jetë me apo pa imunitet Ina Rama.
Ndërsa shihje dy senatorët që jepnin e merrnin në një gjuhë të thjeshtë, pa të bërtitura me njëri- tjetrin, po me romuze dhe ndonjë shprehje nënvleftësimi sipas rastit, patjetër që imagjinoje të ktheheshe në Shqipëri, ku të dëgjoje Berishën të mos thoshte “ku shkërdhehet jot motër...”, apo Edi Ramën tek i thoshte Metës “turp të të vijë se ngrite flamujt”.
Sigurisht, Rama nuk është një Obama, as Berisha një Mekkein, por të paktën, ndoshta duhet të kuptojnë se njerëzit, që nga intelektualët, deri tek popullsia e gjerë rurale, janë më të interesuar këto muaj para zgjedhjeve, të marrin vesh nëse do të ketë rritje taksash, nëse do të investohet për arsimin për të ulur anafalbetizmin, nëse do të ketë konkurrencë të ndershme në treg, apo nëse do të kemi një politikë të jashtme konsekuente dhe me firma prestigjioze ndërkombëtare një linjë afrimi, por jo largimi.
Se mund të ndodhë siç ndodhi këtë mandat, ku Berisha ka që në 2005 që premton “Shqipërinë në moshën e internetit” ndërkohë që në vend shtohet analfabetizmi; premton “one stop shop” dhe lehtësira për biznesin, por në fakt rrit gjobat e tatimet siç po ndodh me ligjin e fundit “Për lojërat e fatit” ku penalizohet biznesi vendas për të hapur rrugë monopol vetëm për një investitor; se premtohet shtrimi i 4000 km rrugëve rurale, por shifra e tyre ulet 10-fish; se premtohet shtrimi i rrugëve nacionale, por paratë na i ha Bechtel; se premtohet lufta kundër korrupsionit, por shpërthen Gërdeci i korruptuar; se premtohet fuqizim i prokurorisë, por në fakt i hiqet imuniteti Inës; se premtohet pavarësi e gjyqësorit, por në fakt kalojnë në varësi të qeverisë, e në fund, se premtohen zgjedhje të lira e të ndershme,...po edhe karta identiteti nuk kemi.
Edi Rama ka muaj që përmend shkëputjen nga “politika e vjetër”, por këtë e bën në një ambient totalisht të vjetër, të cilin, edhe pse pretendoi se e reformoi (duke pasur parasysh strukturat e reja të kësaj partie), mbetet po aq “i vjetër” në debatet e tryezave ku pihet kafe, ku shikohet me lupë edhe se kush doli në filan debat në emisionin televiziv të radhës, apo kush e zuri podiumin e konferencës së shtypit.
Modeli i djeshëm Obama-Mekkein tregoi se Shqipëria sigurisht nuk bëhet SHBA, por të paktën, kultura, mentaliteti, gjuha dhe sjellja e liderëve tanë, duhet të ndryshojë. Pa pretenduar as Obama, dhe as Mekkein.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›