Të gjithë kundër tabelave
Nga Bashkim Kopliku
Kemi një problem të madh ne shqiptarët: nuk duam të zbatojmë ligjet, apo më në përgjithësi, nuk duam të zbatojmë rregullat që rregullojnë jetën tonë të përbashkët. Kjo vërehet fare lehtë që në shkeljen e rregullave të thjeshta, zbatimi i të cilave nuk do të na kushtonte gjë fare secilit individualisht, kurse moszbatimi i tyre na kushton mjaft. Një rast i tillë është mosrespektimi i tabelave të vëna për të rregulluar qarkullimin në rrugët tona. Rruga para shtëpisë ku banoj, ka disa muaj që më së fundi u bë me një kalim: u vendos tabela. Është një rrugë relativisht e ngushtë, saqë nuk ndërrohen dot dy makina. Trafiku është shumë i madh, sepse kjo rrugë të shpie tek tregu fshatar i qytetit. Kalimi në një drejtim është i detyrueshëm, sepse përndryshe rruga mbetet e bllokuar për minuta të tëra, kur përballë njëri-tjetrit takohen dy shqipo të vërtetë: asnjëri nuk i lëshonte rrugë tjetrit. Pala që do të lëshonte, detyrohej të ecte indietro (mbrapsht) edhe nja 50 metra, deri ku kishte vend ndërrimi. Me vendosjen e tabelës së kalimit vetëm në një kahe, në parim situata u zgjidh. Por praktikisht, shpesh kalojnë automjete në kahe kundër tabelës, dhe megjithëse me faj, ka prej tyre që prapë nuk binden që të ecin mbrapsht, që t’u lirojnë rrugën atyre që ecin në përputhje me tabelën.
SHKELËSIT, EDHE GJYQTARË, AVOKATË, PROKURORË DHE POLICË
Na rezulton se shumë nga shkelësit e zakonshëm të tabelës së qarkullimit, janë gjykatës, avokatë, prokurorë dhe policë (oficerë apo nënoficerë), bile dhe ndonjë oficer i qarkullimit rrugor, që vjen e bën pazarin, me gjithë gruan në makinën e policisë. Pra, janë shumë prej shkelësve, nga ata që kanë profesion ruajtjen dhe zbatimin e ligjit. Bisedoj shpesh me shumë prej këtyre, që janë “shkelës të tabelave”, por që i kam dhe miq. Dialogu në shumicën e rasteve zhvillohet si vijon. “Përse e shkel tabelën?”, - i them. “A mor burrë, kush nuk i shkel tabelat këtu, mos u bëj maniak”, - është përgjigjja.
Nuk po merremi me bisedat e bëra me disa xhahilë, që kur u thua: “Zonjë/zotëri, jeni kundër tabelës”, të përgjigjen sikur t’i kesh sharë nga nëna. Atyre dhe ju falet, se nuk mbushin.
Njëri na dha një përgjigje që nuk e besuam derisa e verifikuam personalisht që ishte e vërtetë. Ish-komshiu ynë, ministri aktual i Brendshëm, zoti Bujar Nishani, lejon që në rrugën ngjitur me zyrën ku punon sot, në Tiranë, të shkelen të dyja tabelat e vendosura në krye të asaj rruge, nga ana e bulevardit (e kemi fjalën për rrugën në mes Ministrisë së Brendshme dhe Galerisë së Arteve, ajo rruga që të shpie tek Kuvendi dhe Selia e PD-së). Shembulli i keq i ministrit, na infektuaka dhe drejtuesit e automjeteve që kalojnë në rrugën tonë.
POLICIA E SHTETIT DHE AJO E BASHKISË
Bisedojmë me policët e bashkisë. “Përse nuk i gjobisni këta që ecin kundër tabelave?”, - i pyesim. “Shefo, e ka policia e shtetit, e qarkullimit, nuk e kemi ne?”, - përgjigjja. “Po marr në telefon kryetarin e Bashkisë, sepse duket se nuk e paskam marrë vesh mirë, kur më tha se edhe ju të policisë së bashkisë e keni marrë urdhrin të vendosni gjoba në këto raste”, - u përgjigjem. Vërtetë kisha biseduar me kryetarin e bashkisë. “Lëre, lëre mos e shqetëso, se ...”, - vjen premtimi sa për të kaluar radhën: Edhe sot prapë ata policë nuk merren fare me automjetet që u kalojnë nën hundë, pavarësisht se kundër tabelës.
Ndërkohë, kemi biseduar edhe me specialistë të qarkullimit të policisë së shtetit, edhe me kryetarin e Bashkisë, edhe me shumë të tjerë. Kryesorja, nuk është fare problemi i mungesës së tabelave, nuk është as “konflikti institucional në ndarjen jo të qartë të punës në mes dy policive”, e të tjera si këto. Jo, problemi kryesor është mendësia shqiptare e moszbatimit të ligjit, të rregullit.
NGA TË VOGLAT BËHEN TË MËDHATË
Nuk ka problem më kryesor Shqipëria sot, sesa zbatimi i ligjit. Kur nuk jemi në gjendje të zbatojmë tabelat e qarkullimit rrugor, merre me mend me ligjet e tjera, si kodi zgjedhor (vjedhja e votave), apo ligji urbanistik (masakra urbanistike), apo ligjet fiskale (klientelizmi politik në tatime), apo kodi civil (mashtrimet pa fund kushëriri me kushëririn, apo komshiu me komshiun) etj. etj.
E pra, je patriot, në Shqipërinë e sotme, nëse jep shembullin personal të zbatimit të rregullit, e pastaj edhe të ligjeve. Nuk ka plasur lufta, që ta tregosh patriotizmin duke luftuar me armë. Detyrimi i zbatimit të ligjit, apo dhe të një rregulli të thjeshtë, bëhet dhe më i madh, kur ke profesion pikërisht zbatimin e ligjit, siç është rasti në profesionet që rreshtuam më lart. Shkelja e rregullave të thjeshta influencon negativisht në mendësinë e njeriut dhe të shoqërisë, duke e përgatitur mendërisht që shkelja të bëhet shprehi.
Mbase ka ardhur koha të mbahet një qëndrim i veçantë me gjobat për shkelje të rregullave të qarkullimit, për disa profesione të caktuara, si ato të mësipërmet. Marrja e një gjobe për këto shkelje të thjeshta t’u shënohet në kartela në zyrat e personelit, dhe të merret parasysh në karrierën e tyre. Teori, do të thoni. Po përse të mos e provojmë, vërtetë mbase nuk bëhet gjë e madhe, por vetë përpjekja për të bërë diçka në këtë drejtim, mbase influencon në rregullimin e mendësive tona anti-ligj.