E Diel, 1 Nëntor 2026

NDERKOMBETARE/ Për një rol më të madh të FMN-së

Liderët europianë dhe aziatikë bënë thirrje dje për më shumë ndërhyrje ndërkombëtare dhe një rol më të fuqishëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar në përgjigje të krizës më të madhe financiare që ka tronditur botën që prej viteve ‘30. 

Thirrja për ndryshime në sistemin financiar ndërkombëtar u bë në fund të një samiti dyditor të 43 liderëve aziatikë dhe europianë në Pekin, që diskutuan lidhur me trazirat financiare që nisën me një krizë kreditimi në SHBA që më pas infektoi të gjithë ekonominë botërore. Presidenti amerikan, Xhorxh Bush tha se marrëveshja për parimet e reformës do të jetë thelbësore për të parandaluar një tjetër katastrofë. Bush, që do të organizojë muajin tjetër një samit për krizën financiare, tha gjithashtu se shqetësimet për krizën dhe bursat gjithnjë në rënie i kanë bërë njerëzit të shqetësohen shumë për të ardhmen e ekonomisë. Ai paralajmëroi kundër një qëndrimi proteksionist në përgjigje të trazirave ekonomike, duke thënë se tregjet dhe tregtia e lirë ishte themelore për rritjen e qëndrueshme ekonomike. Qeveritë kanë premtuar një fond prej 4 trilionë dollarësh për të mbështetur bankat dhe për të rigjallëruar tregjet financiare me qëllim që të pengohet rënia ekonomike botërore. Edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Kii-Moon ka bërë thirrje për masa urgjente për të përballuar situatën. Ekonomitë në zhvillim janë goditur rëndë nga kriza, gjë që i ka detyruar ato të shpenzojnë rezervat e monedhës së huaj për të mbrojtur monedhën dhe sistemet e tyre financiare. FMN-ja ka hyrë në negociata me disa vende për të siguruar hua emergjence dhe lista e vendeve që po kërkojnë ndihmë po shtohet gjithnjë e më shumë.
Pakistanit i është dashur të kërkojë ndihmë, por edhe ekonomive të fuqishme të botës në zhvillim si Brazili, Turqia dhe Afrika e Jugut, u është dashur ta bëjnë këtë. Zyrtarët në Uashington thonë se këto ekonomi që kualifikohen për një fond likuiditeti nga ana e FMN-së mund të zgjidhen për të aplikuar një nivel të lartë financimi. Edhe pse detajet e paketës nuk kanë përfunduar ende, plani që mund t’u ofrojë vendeve një kuotë sa pesëfishi i asaj të zakonshmes nga FMN-ja, mund të miratohet javën e ardhshme.
Ai do të lejojë disa ekonomi të tregut në zhvillim të këmbejnë monedhat lokale me dollarë amerikanë, me qëllim që të reduktohet disi ndikimi nga fluksi i madh i kreditimit. Islanda, ku sistemi financiar nuk ka pësuar ndonjë tronditje të madhe, i kërkoi dje FMN-së një hua prej 2 miliardë dollarësh për të mbështetur sistemin e saj financiar, për të rinisur tregtinë me monedhën e saj si dhe për të zbutur ndikimin e krizës globale.
Wen Jiabao, kryeministri kinez, tha se qeveritë duhet të bëjnë gjithçka që nevojitet dhe pa vonesë për të kufizuar dëmet që i shkaktohen ekonomisë botërore nga kriza financiare.
Wen sinjalizoi se Kina do të mbështesë përpjekjet e Francës për të vendosur rregulla më të forta financiare në samitin e muajit të ardhshëm në Uashington. Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, që mban presidencën e BE-së aktualisht, tha se vendime konkrete priten nga bisedimet në Uashington, që duhet të japin përgjigje për shkaqet e fshehta të krizës dhe jo vetëm për pasojat e saj.
“Ne kemi kuptuar se nuk do të jetë e mundur që thjesht të takohemi dhe të diskutojmë, ne duhet të marrim vendime”, - tha ai. “Është thjesht e pamundur të flitet për taksa dhe kriza financiare pa folur për valutat dhe mënyrën se si të gjithë faktorët ndërveprojnë. E gjithë kjo do të diskutohet”, - tha ai.
Sarkozi i ka bërë të ditur Kinës se ka frikë se SHBA-ja do të jetë e kënaqur nëse samiti thjesht do të “prodhojë” parime të përgjithshme, bëri të ditur një zyrtar i presidencës franceze. Por, kjo mbetet ende për t’u parë.

"The Guardian"



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›