E Shtunë, 31 Tetor 2026

NEWS24 tek familja e Aleksandër Pecit, I ati: Misioni i tij i parë

TIRANË- Miq, të afërm pjesëtarë të Forcave të Armatosura nga Komanda e Zallherit, por dhe Shtabi i Përgjithshëm kanë vizituar sot familjarët e 24-vjecarit Aleksandër Peci, i cili u plagos dje gjatë atentatit në një fshat pranë Kandaharit në Afganistan, ku mbeti i vrarë komando shqiptare Feti Vogli.

Pjesëtarë të ushtrisë kanë njoftuar familjarët e 24- vjecarit se gjendja e Aleksandrit paraqitet më e stablizuar dhe se ai është përcjellë pas operacionit të djeshëm për një trajtim më të specializuar drejt Gjermanisë. Kjo ka shtuar shpresat te familjarët, të cilët presin me padurim lajme të mira për gjendjen e djalit të tyre. Shtëpia e Aleksandrit në Bathore të Tiranës është mbushur plot me njerëz, të cilët u shprehin familjarëve dëshirën për një shërim sa më të shpejtë të Aleksandrit.

“Është angazhuar para katër vjetësh, ka një vit që është ushtar. Ai ka qëndruar me rrogë aty, sa i kanë dhënë ata. Nuk e kam pyetur për gjëra të tjera, e di që stërvitje ka bërë. Nuk jam futur në ato tema me to. Ishte i pari mision në Afganistan për të. Lajmin e morëm edhe përmes televizorit, por këtu erdhën oficerat”,- u shpreh i përlotur babai i Aleksandrit.

“Na thanë se është nisur për në Gjermani dhe se gjendja e tij shëndetësore është premtuese. Nuk kemi pasur mundësi për të folur me shokët e Aleksandrit në Kandahar për arsye se ishim të tronditur, por dje kishim njerëz shumë, qoftë nga njerëz të afërt, qoftë nga fshati dhe populli, qoftë nga shteti. Nga shtabi na njoftojnë për situatën por edhe nga komanda e repartit njoftojnë. Kanë ardhur të gjithë edhe mbrëmë, qoftë kryetari i Bashkisë me stafin, ministri i Mbrojtjes Arben Imami. Të gjtihë na kanë ngushëlluar, nuk kanë se cfarë të na bëjnë ndryshe. Shpresojnë shumë, na janë shtuar kur morën lajmin që është nisur për në Gjermani”,- u shpeh xhaxhai, Nikoll Peci.
(el.me/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›