Tiranë, kapet 1 kg heroinë, në pranga 2 persona

Policia e Tiranës ka bërë të mundur sekuestrimin e 1 kg heroinë dhe arrestimin e dy poseduesve të saj. Burime nga policia bëjnë me dije se gjatë operacionit të koduar “Rrugicat” janë arrestuar shtetasit Fation Kurti 24-vjeç dhe Entel Hyka 28-vjeç të dy banues në Tiranë.
Arrestimi i tyre u realizua në afërsi të rrugës “Nikolla Lena” në kryeqytet ku fillimisht dy personat u kapën në flagrancë me disa porcione heroine. Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Fatjon Kurti policia gjeti dhe sasinë prej 1 kg heroine.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lëndë narkotike e llojit heroinë, 7 telefona celular të markave të ndryshme, një shumë e konsiderueshme parash e përfituar nga kjo veprimtari.
Gjatë hetimit për dy të arrestuarit, u konkludua se kjo sasi lënde narkotike dyshohet se kishte destinacion, trafikimin dhe më pas shpërndarjen kryesisht në zonat e rrugës së Kavajës, Zogu i Zi, rruga "Myslym Shyri" në Tiranë si dhe vendet fqinje me Shqipërinë.
Lënda narkotike e llojit Heroinë ishte e cilësisë së parë dhe përdorej edhe nga klientë vip, lëndë e cila në momentin e sekuestrimit u gjend e ndarë në disa qese e porcione.
Theksojmë se, ky operacion vazhdon pasi aktualisht po punohet intesivisht në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në këtë rrjet trafiku dhe shpërndarje të lëndës narkotike Heroinë.
Ndaj shtetasve të sipërcituar u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale "Prodhim, shitje të lëndëve narkotike".