Topi miraton dy gjyqtarë të tjerë në Gjykatën e Lartë
Tiranë - Presidenti dekreton dy emra të tjerë për në Gjykatën e Lartë. Kësaj radhe aprovimin e kreut të shtetit e ka marrë një nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Altina Xhoxhaj, si dhe një gjyqtar i Krimeve të Rënda, Mehdi Bici. Të dyja këto dekrete janë bërë publike në faqen zyrtare të Presidencës. Pritet që këto emra të marrin dhe verdiktin e Kuvendit. Pak ditë më parë presidenti Topi vendosi të dekretojë dhe tre emra të tjerë për vendet bosh që janë krijuar prej disa kohësh në këtë gjykatë. Ata ishin Artan Zeneli, Zamir Poda dhe Kristaq Traja. Sakaq mësohet se konkurrimi për në Gjykatën e Lartë ende nuk ka përfunduar për shkak të numrit të madh të vendeve bosh që ishin krijuar. Me mbarimin e vendeve bosh, kreut të shtetit i duhet të përzgjedhë dhe kryetarin e ri, që do t’i besohet Gjykata e Lartë. Prej nëntë vitesh ky post i është besuar gjyqtarit dhe civilistit më të mirë në vend, Thimjo Kondi.
23 Maj 2008