E Shtunë, 31 Tetor 2026

NJË HEKTAR... BAR

Të kuptohemi, titulli nuk ka të bëjë me semantikën e mirëfilltë të fjalës. Pra, nuk është fjala për ndonjë sipërfaqe të mbuluar me bar të gjelbër. Këto ditë, kur ende vera s’ka filluar t’i përzërë njerëzit nga Tirana, një mik më ftoi për një kafe. U drejtuam në portën më të afërt, mbi të cilën shfaqej bujshëm, si shumëkund, në gjuhë të huaj, reklama e barit. Hymë dhe papritur u gjendëm përballë një hapësirë të stërmadhe të mbushur me tryeza, karrige dhe njerëz të ulur mbi to, gjerbnin më nge kafenë apo pijet freskuese. Natyrisht, pamje të tilla s’kanë se si na bëjnë përshtypje ne, shqiptarëve. Pavarësisht, nga niveli dhe mënyra e paraqitjes, ato i gjen rëndom në çdo vend, deri në rrethinat dhe skajet më rurale. Në këto (snach, piano, mini e maxi) bare, pastiçeri, klube, bufe, birrari, pijetore, mejhane që të shfaqen në çdo hap si e vetmja “industri”, apo më saktësisht si i vetmi biznes, në këto lokale, ku masakrohet koha, ku përdhunohet “ligjërisht” ligji antiduhan, ku bëhen trokë xhepat dhe kuletat, klientët e panumërt hyjnë qetësisht përditë e kushedi sa herë në ditë siç po hynim atë ditë me mikun tim të atë hapësirë njëhektarëshe, të mbushur me kakofoni shurdhuese zërash që përcillnin biseda nga më të rëndomtat për të shtyrë kohën, në atë mjedis të ngopur me ajër mbytës dhe vegjetojmë qetësisht si në skenat më absurde të teatrove postmoderniste. Dhe asgjë nga këto që thamë nuk na bën përshtypje: as zëri i ngritur në kupë të qiellit që garon me muzikën q bokseve, as ajri e helmët, as ligji i përdhunuar e sidomos as koha e masakruar, që tek e fundit, është jeta e secilit. Kjo u bën përshtypje vetëm të huajve. Një biznesmen izraelit vinte duart në kokë, ndërsa futej apo kalonte para lokaleve të tilla: “Si është e mundur, -thoshte, - në mes të javës, në mes të ditës dhe në mes të kryeqytetit tuaj baret janë më të mbipopulluarit, ndërsa tek ne gjatë kësaj kohe punohet? Dhe ajo që të trishton më shumë është se mosha e atyre që i frekuentojnë këto bare s’i kalon të tridhjetat! Pikërisht mosha, kur njeriu është në kulmin e energjive për punë”. Por habisë dhe pezmit të këtij biznesmeni i shtohet habia e çdokujt që vjen nga vende të tjera si vizitor në Shqipëri. Një tjetër realitet ky yni, po ta krahasojmë me atë të vendeve nga vijnë këta vizitorë.

Në këto lokale koha ka e zhvillimit ka ngrirë në vend, ecën vrullshëm dhe rrëmujshëm vetëm koha e plakjes, koha e “ujit të ndenjur që qelbet”. Studentë që kanë lënë orët e leksioneve, djem shpresëhumbur që “janë lodhur së kërkuari fatin, vajza biznesmenësh të lyera, të shkruara e të veshura sipas modave më avanguardiste, shtetarë që kanë lënë kompjuterët të ndezur në zyra dhe janë ulur në ato karrige, të bindur se këtu orarit të punës i vjen fundi më shpejt, shtëpiake, që lëpijnë lehtësisht lugët me akullore, duke pritur të vijë orari i fillimit të serisë së 159-të të telenovelës së radhës, madje edhe të ashtuquajtur afaristë të harruar pas “kafes së punës”, e cila nuk mbahet mend se kur ka nisur. “Vetëm në lokal çdo muaj shpenzoj 40 mijë lekë të reja”, - i mburren njëri-tjetrit këta të fundit, ndërsa i shtypin në taketuke kokat e ndezura të cigareve të lëna përgjysmë”. Me pamje të tilla na janë mësuar shqisat. “Po kaq dembelë, kaq moskokëçarës dhe kaq të ngopur me jetë jeni ju shqiptarët”, - pyeste biznesmeni izraelit i skandalizuar nga pamje të tilla dhe po vetë përgjigjej: “Natyrisht, që jo, sepse unë kam takuar shqiptarë të ndryshëm nëpër botë. Kam parë emigrantë që ua kalonin shumë të tjerëve me punë dhe brenda vitit arrinin ta kapnin ekonomikisht veten. Këtu, në Shqipëri, përtej fasadave të këtyre bareve kam parë fermerë që e gdhinë dhe e ngrysin në punë, kam parë blegtorë që harrohen pas punës, më kanë bërë përshtypje ndërtimet që mbijnë dhe rriten me një shpejtësi marramendëse!” Dhe miku nga Izraeli përfundon: “Jeni njerëz në një vend të paradokseve!”.

Është vërtet paradoksal një realitet i tillë. Por, si çdo gjë, edhe paradoksi ka logjikën e vet. Brezi që vinte nga puna e përbashkët në socializëm, ku “shtatë vetë bënin sikur punonin dhe njëri punonte vërtet duke i ushqyer, veç vetes, edhe këta të shtatë, pra ky brez po futet në moshën e pensionit. Ajo që të brengos, është se “tradita”, edukata dhe qëndrimi i këtij brezi ndaj punës, po “përqafohet me zell” nga pasardhësit. Pikërisht një pjese të këtij brezi pasardhës, i pëlqen “mënyra kalorsiake” e të jetuarit, në kuptimin e qëndrimit ende kaliqafë mbi brezin e mëparshëm. Mendimi, hë, se ka kush punon për mua, ka kush më ushqen”, është një variant i konceptit të dikurshëm social-komunist: hë se mendon partia dhe shteti për ne. Le ta dalim për një çast nga bari dhe të hyjmë në një zyrë shteti. Pak janë ata zyrtarë që kanë planifikuar në detaje punën e çdo dite, të tjerët, që nuk i preferojnë lokalet, apo që i qëndrojnë besnik karriges së zyrës nga frika e shefit, qëndrojnë me sytë katër para monitorëve të kompjuterëve dhe, chat-ojnë, navigojnë në internet për qejf të tyre, ose luajnë me letra, duke pritur ndonjë punë që do t’u ngarkojë shefi. Fantazia dhe prakticiteti i tyre janë të lidhura “organikisht” nga urdhrat e shefit.

Me ardhjen në pushtet të demokratëve, Qeveria Berisha u organizuar si një administratë në shërbim të qytetarit, madje si qeveri në dietë. U shkrinë disa ministri shumë drejtori dhe mjaft sektorë të organizimit të pushtetit qendror dhe atij vendor. Një nismë kjo që po vazhdon me këmbëngulje në të gjitha hallkat dhe nivelet e shtetit. Një nismë që duhet përgëzuar, sepse rezultatet kanë qenë dhe janë të dukshme në të mirë të shqiptarëve, por kjo praktikë qeverisjeje kërkon natyrisht kuadro me koncepte bashkëkohore dhe perëndimore që t’u shkohet punëve deri në fund. I ngutshëm bëhet realizimi i kësaj kërkese, kur praktikat shtetërore të punëve krahasohen me ato private. Një dallim i dukshëm. Ata që punojnë në sektorin privat i gjen rrallë e më rrallë nëpër bare dhe lokale gjatë orarit të punës. Madje dhe kafja në shumë biznese pihet në tryezën e punës! Më tej?... Dalim nga bari njëhektarësh dhe ecim nëpër (krye)qytetin e kontrasteve të thella, ku më shumë të bën përshtypje raporti i atyre që punojnë me ata që hyjnë në bar. Kur të përmbyset dukshëm ky raport, mund të themi se kemi hedhur hapa e para në... Evropë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›