E Diel, 1 Nëntor 2026

“C-4” në dy mina me telekomandë, parandalohet atentati



Janë kapur në momentet e fundit teksa përgatiteshin të hidhnin në erë një familje të tërë, ndërsa me vete u është gjendur një celular, që shërbente si telekomandë për të shpërthyer dy mina të përbëra nga një lëndë e fuqishme eksplozive, “C-4”. Arben Binjaku, 38 vjeç, nga Elbasani dhe një i njohuri i tij, Nevik Hysenaj, 36 vjeç, nga Vlora, janë arrestuar një ditë më parë pas një operacioni të policisë së Elbasanit, e cila ka shmangur kështu një tragjedi të vërtetë. Gjithçka është konfirmuar ditën e djeshme nga burime të policisë lokale, sipas të cilave, në fakt, kanë qenë agjentët e saj që kanë mësuar për një atentat që po përgatitej ndaj një familjeje në lagjen “Çlirimi” të këtij qyteti. Pas kësaj, kontrolle të imtësishme kanë vijuar në shtëpitë dykatëshe të kësaj lagjeje, për të marrë në mbrojtje familjarët, emrat e të cilave nuk bëhen të ditur për arsye hetimore, ndërsa kontrollet për gjetjen e autorëve kanë vijuar pa shumë zhurmë në gjithë qytetin. Arrestimi i tyre ka ardhur në mesditë, kur dy të dyshuarit do të shfaqeshin me një automjet në rrugët e lagjes “Çlirimi”, atje ku policia kishte ngritur pritë. Pas kontrollit të bërë, Binjakut dhe Hysenajt u janë gjendur një celular, që pas verifikimeve rezultoi të ishte ai që do të shpërthente minat me “C-4” në distancë. Sipas policisë, veç dy minave në banesë, policia ka sekuestruar edhe 1 kilogram tjetër eksploziv të llojit “C-4”, një sasi kokaine, si dhe një tjetër automjet në pronësi të autorëve. Pas marrjes në pyetje të të arrestuarve, dyshimet e para të ekspertëve të policisë kanë qenë se atentati po planifikohej ndaj një kryefamiljari, emri të cilit nuk është bërë i ditur për arsye hetimi, pasi njëri nga të arrestuarit, Arben Binjaku, do të hakmerrej për vrasjen e vëllait të tij një vit më parë në shtetin italian.

Arrestohen në makinën e tyre dy personat që po planifikonin të kryenin një shpërthim në distancë. Arben Binjaku dhe një i miku i tij i ardhur enkas nga Vlora, Nevik Hysenaj, duket se e kanë pasur të pamundur të fshihnin provat që kishin në makinë. Ndërkohë, nën operacionin e koduar “C-4”, agjentët e policisë nuk i kanë lënë asnjë mundësi shpëtimi. Pas informacioneve të marra dhe një pune të mirëorganizuar, këta të fundit kanë qëndruar në pritje të të dyshuarve në lagjen “Çlirimi” të qytetit. Sakaq, ndërhyrja ka qenë e menjëhershme dhe në automjetin e tyre, policia ka gjetur në cilësinë e provës materiale dhe ka sekuestruar 2 mina me telekomandë, një kilogram lëndë plasëse të llojit “C-4”, si dhe një sasi kokaine. Pas hetimeve të bëra, burime policore janë shprehur se dy të arrestuarit ishin nisur për të instaluar 2 mina me telekomandë në një banesë të qytetit të Elbasanit, me qëllim hedhjen në erë të banesës, si dhe personave që ndodheshin brenda. Ndërkohë që rreth motiveve të ngjarjes, policia ka thënë se dyshohet që Arben Binjaku ishte nisur për t’u hakmarrë ndaj vëllait të tij të vrarë një vit më parë në Itali dhe se për këtë fajin ia hidhte personit që ishte nisur t’i vinte minat.

Të arrestuar

Arben Binjaku, 38 vjeç nga Elbasani

Nevik Hysenaj, 36 vjeç nga Vlora

Sekuestruar

Dy mina me telekomandë

1 kilogram eksploziv “C-4”

Një sasi kokaine

Dy automjete

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›