Një gjyq për të dënuar kujtesën
Nga Sami Neza
Gjykata Kushtetuese bllokoi dje funksionimin ligjit të lustracionit, duke e lënë Shqipërinë të vetmin vend ish-komunist pa e kryer procesin e dekomunistizimit të administratës publike dhe politikës. Argumentet e përdorura nga kjo gjykatë ishin ato të shkeljes së të drejtave të njeriut duke i dhënë atributet penale dhe ndëshkuese një ligji etik siç është ai i lustracionit.
Për shumë vite politika dhe ligjvënësit shqiptarë e nënvlerësuan lustracionin, duke ia kaluar herë pas here të ardhmes mundësinë e një ligji të tillë derisa ish-përfaqësues të regjimit të kaluar u konsoliduan brenda sistemit të ri të ekonomisë së tregut dhe pluralizmit, duke qenë kështu një faktor i rëndësishëm dhe fatkeqësisht, në rëndësinë e tyre, një faktor frenues e reaksionar përgjatë tranzicionit. Ata performuan përgjatë këtyre viteve jo nëpërmjet listës së Byrosë Politike apo Komitetit Qendror, por përmes databazës që kishte një shtet i tërë, që nga adresat e kompanive të huaja, me të cilat u ndërtuan bizneset e para në vend, deri tek pronësia mbi listat e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.
Jashtë çdo rregulli të kapitalizmit dhe jashtë çdo fryme të barazisë së shanseve, herë në distancë me pushtetin dhe gati të kamufluar e herë brenda tij, bijtë e lustracionit që nuk ndodhi, ia dolën në rendin e ri, njësoj si në të vjetrin. Tashmë jo të barabartë në varfëri, por të pasur mbi të barabartët që ishin themeluar prej tyre në vitet e komunizmit. Bashkëpunimi i Partisë Socialiste me ish-nomenklaturën ishte deri në shkrirje me të, aq sa sot ne nuk e shikojmë këtë parti si mundësi të kryejë lustracionin në vend, duke mbetur me sy kthyer deri në fund të shpresës drejt Partisë Demokratike. Socialistët bënë ç’ishte e mundur që ligji të mos kalonte. Dhe për ironi, arritën ta bëjnë këtë pikërisht me ata që përbëjnë grup interesi për këtë ligj e për këtë shkak përbëjnë konflikt interesi në këtë gjykim, gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese.
Ligji i lustracionit ishte etik dhe, si pasojë, ai nuk ndërtonte përgjegjësi penale apo civile për asnjë prej subjekteve të tij, por qëndronte vetëm në termat e etikës, duke shkelur të drejtat e njerëzve, aq sa kufizojnë kodet e etikës këdo në të gjitha institucionet, jo vetëm ato publike, por edhe private.
Ka me dhjetëra ligje, urdhëresa apo vendime qeverie që krijojnë ndalesa të ndryshme për qytetarët shqiptarë. Nuk është nevoja të kishe qenë gjykatës apo prokuror politik, të kishe qenë shef Sigurimi apo udhëheqës i Partisë Komuniste për të mos qenë, ta zëmë, prokuror nëse nuk ke një mesatare të caktuar, për të mos qenë gjykatës nëse nuk ke mbaruar magjistraturë në Shqipëri, për të mos qenë avokat nëse ke gënjyer apo bashkëpunuar me klientin, për të mos qenë ministër nëse ke biznes, për të mos qenë deputet nëse nuk ke mbaruar shkollën e lartë, për të mos qenë inxhinier mekanik nëse nuk ke diplomë, për të mos hapur biznes pa dëshmi penaliteti etj., etj.
A nuk janë të mjaftueshme qindra ndalesa që rregullojnë jetën tonë të përditshme për t’u bërë subjekt gjykatash për shkak se si ndalesa që janë ato shkelin të drejtat e njeriut. Dhe në këtë logjikë cili nga subjektet e këtij ligji mund të futej në burg pas ekzekutimit të tij, cilit prej gjykatësve që do t’i duhej të largohej nga detyra, t’i ndalohej të ishte avokat, cilit nga prokurorët t’i ndalohej të ishte përmbarues, cilit nga zyrtarët e lartë të politikës, do t’i ndalohej të merrej me biznes.
Pse u dashka që e drejta e nomenklaturës komuniste të peshojë më rëndë në Shqipëri ku diktatura ka peshuar si hekur sesa në vendet e tjera ku është vendosur ligji i lustracionit, si në Bullgari, Rumani, Poloni, Çeki etj. dhe ka sjellë të njëjta ndalime si ato që kërkonte ky ligj apo më të rënda se këto.
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese patën rastin dje të votojnë nëse do të qëndrojnë vetë në punë apo jo. Të trondit kjo ngjitje mes subjektit të gjyqit dhe objektit të gjyqit. Ky gjyq që kishte dy palë, ndryshe nga të gjitha gjyqet e botës, vendosi në favor të një pale që ishte vetë pala që vendoste. Ky ishte një gjyq që do t’i skuqte fytyrën edhe diktaturës, por nuk u skuqi fytyrën pothuajse gjithë gjykatësve të kësaj gjykate superiore. Vendimi i djeshëm është dëshmi se çfarë ka bërë mungesa e lustracionit në Shqipëri dhe në çfarë situatash absurde e sjell demokracinë, shtetin e së drejtës, mungesa e tij. Duket si shaka ambasadorësh në vendet e botës së tretë.
Por nëse ligji i lustracionit nuk shkelte të drejtat e disa qindra qytetarëve që në ndonjë mënyrë ishin përfshirë në mekanizmat e ushtrimit të diktaturës, mungesa e tij shkel të drejtat e mijëra e mijëra të tjerëve që kanë pritur një ditë që sistemi i cili i shtypi dhe i kufizoi, të merrte një dënim moral nga shoqëria shqiptare. Gjykata Kushtetuese, ndërsa dha një vendim për ruajtjen e vendeve të punës për gjyqtarët e vet, ka dënuar kujtesën, ka cenuar të drejtën e qytetarëve që të drejtohen në politikë nga njerëz që nuk janë përfshirë në mekanizmat e diktaturës, që kanë të drejtë të gjykohen nga gjykatës që nuk kanë dhënë dënime politike dhe ndërkaq, kanë të drejtë të shohin me sytë e tyre se si shoqëria bën diferencë dhe falje ndaj viktimave të komunizmit.