Sfidat e kombit në përvjetorin e parë të Kosovës së pavarur
Prof. dr. Gëzim Karapici
Sot është 17 shkurti 2009, përvjetori i parë i shtetit të pavarur të Kosovës, ditë që do të përkujtohet nga çdo shqiptar si dita e fillimit të vënies në vend të padrejtësive shekullore ndaj kombit të tij të shumëvuajtur.
Një vit pavarësi e shtetit më të ri në botë, Republikës së Kosovës, tregoi:
Se shqiptarët dinë të ndërtojnë shtet demokratik multietnik në respektim të plotë të të drejtave të pakicave kombëtare, përfshirë dhe ato serbe, duke mos ngatërruar asnjë herë qeverinë dhe forcat ultranacionaliste serbe me popullin serb;
Se shqiptarët kudo që jetojnë në hapësirat e stërgjyshërve të tyre, ndajnë të njëjtin vizion, atë të integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, në miqësi e mirënjohje të përjetshme me engjëllin e tyre mbrojtës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe popullin e madh amerikan.
Një vit pavarësi e Kosovës po i tregon botës se populli shqiptar nuk ka pasur e nuk ka komplekse nacionaliste të cilat qëndrojnë për të jashtë çdo koncepti kohor dhe se kjo fitore duhet konsideruar edhe nga serbët si fillimi i një epoke të re, ku Ballkani pushon së qeni më një fuçi baruti.
Por shumë sfida janë përballë popullit shqiptar në Kosovë, por edhe mbarë kombit shqiptar këtej dhe andej kufirit gjeografik, e mbarë miliona shqiptarëve emigrues anë e kënd globit.
Shqipëria në këto tri vite të qeverisjes demokratike po e përballon me sukses, një sfidë që do të mbahet mend në shekuj ajo e ndërtimit të aortës kombëtare shqiptare autostradës Durrës – Kukës – Morinë.
Por sfida të tjera jo më pak të rëndësishme na dalin përpara në sfera të ndryshme të jetës.
Kështu, në kuadrin e politikës së qiellit të hapur evropian, ka vend për qiellin e hapur shqiptar, duke ndjekur një politikë favorizuese taksuese për kompanitë ajrore që kryejnë fluturimet Tiranë – Prishtinë, politikë e cila do të bënte të përballueshme koston e gjysmë ore udhëtim me avion që ndan dy kryeqytetet e shqiptarëve.
Në fushën e energjitikës, bashkëpunimi i korporatave energjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, në kuadrin e strategjisë së krijimit të një mikrosuperfuqie energjitike shqiptare në Ballkan, do të ishte një sfidë që duhet përballuar me sukses.
Zoti ka qenë shumë bujar me shqiptarët, në veri në Kosovë u ka dhënë burime termike, kurse në jug, në Shqipëri u ka dhënë ujin, pra burimet hidrike, për të krijuar një sistem ideal energjetik termo-hidroenergjetik. Por nuk duhet të harrojmë dhe 300 ditë me diell në vit, gjë që në prodhimin e energjisë elektrike nga ajo diellore, do ta sjellë shumë shpejt prodhimin shqiptar të energjive të rinovueshme në avangardën ballkanike.
Por më e rëndësishmja na mbetet neve shqiptarëve kudo që jemi, integrimi intelektual i të dy pjesëve të kombit tonë, këtej dhe andej të kufirit me Kosovën e lirë, i cili duhet të zëvendësojë edukimin e ndarë padrejtësisht me një edukim unik harmonik mbarëshqiptar të brezave të rij.
A ka kuptim që Shqipëria dhe Kosova të kenë ndryshime thelbësore në arsimimin e kombit shqiptar. Absolutisht që jo. Fëmijët shqiptarë kudo që janë duhet të mbajnë në dorë një Abetare të vetme për të mësuar gjuhën e nënës. Ka ardhur koha që pas 100 vjetësh nga Kongresi i Manastirit të mblidhet një kongres tjetër për unifikimin e gjuhës moderne shqiptare. Çdo shqiptar duhet të flasë bukur dhe korrekt gjuhën e nënës.
Duke iu referuar Magna Charta Universitatum, për hapësirën evropiane, unë do ta perifrazoja atë kështu në kuadrin mbarëkombëtar:
Në kohën e globalizmit asnjë formë e shkollimit apo e kërkimit nuk ka mundësi të zhvillohet në kontekstin kryekëput lokal, por duhet të jetë mbarëkombëtar.
Globalizmi nuk është proces që ndodh vetëm në nivel ekonomik, por edhe në nivel të këmbimit të njerëzve dhe të ideve.
Duke iu referuar Deklaratave të Ministrave Evropiane të Arsimit të Lartë në Bolonjë (1999), Pragë (2001) dhe Berlin (2003) si dhe Konventës së Institucioneve Evropiane te Arsimit te Larte, Salamanka (29-30 mars, 2001), ka ardhur koha që ligjet e arsimit në dy anët e kufirit të rishihen e të modifikohen për të garantuar:
planifikim strategjik, përcaktim objektivash dhe prioritetesh;
alokim burimesh e partnerësh mbi baza mbarëkombëtare në punë kërkimore dhe në mësimdhënie;
përcaktim, harmonizim dhe kompletim të kurrikulave e pse jo, dhe një ndarje të zonave të kompetencës;
menaxhim të kapitalit njerëzor, të profesoratit;
unifikimin e teksteve bazë të fushave të ndryshme të dijes.
Edhe një herë, duke iu uruar qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve kudo që janë, ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam bindjen se ka ardhur koha për të vënë si moto të kombit shqiptar:
“Formimi dhe edukimi cilësor u duhen shqiptarëve kudo që janë për një të ardhme më të ndritur të kombit të tyre”.