E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi; Protesta ndaj Kserës e Bollanos, gjykata jep pafajësi për dy të rinjtë



Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër shpalli dje të pafajshëm dy të rinjtë nga Tepelena, të cilët organizuan pak muaj më parë protestën paqësore kundër kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano dhe prefektit të Gjirokastrës, Spiro Ksera. Gjykata vendosi ta pushojë çështjen ndaj dy të rinjve nga fshati Toç i Tepelenës, me të cilët u bashkuan dhe i përkrahën edhe politikanë e forca politike të ndryshme, duke e konsideruar atë si të ligjshme. Gjykata e Gjirokastrës i shpalli të pafajshëm dhe arriti në përfundimin se protesta e dy të rinjve nuk ka shkelur ligjin për tubimet. Dy të rinjtë nacionalistë u gjykuan prej disa kohësh për akuzën e “tubimeve të paligjshme”, ndërsa një seri protestash u zhvilluan në sheshin qendror të Tepelenës, ku qindra mbështetës kërkuan lirimin e tyre. Protesta u cilësua si mbrojtje e dinjitetit kombëtar. Orgen Hasanbegaj dhe Luan Halili, pak muaj më parë organizuan një protestë në fshatin e tyre kundër prefektit të zonës, Spiro Ksera dhe kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano. Akuza ndaj tyre u cilësua për “tubim të paligjshëm dhe thyerje të neneve në fuqi për organizimin e protestave”. Një seancë më parë, tri dëshmitarët dhanë versionin e tyre para trupit gjykues, duke i dhënë fund kështu marrjes së dëshmive. Pas dëshmive, prokurori i çështjes, Përparim Mele, në pretencën e tij ka kërkuar shpalljen fajtor të Orgen Hasanbegajt e Luan Halilit për veprën penale "organizim të tubimeve të paligjshme" dhe dënimin e tyre me 100 mijë lekë të reja për secilin. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës, Xhaferr Meçe, ka kërkuar lirimin e dy të rinjve nga akuza e ngritur dhe shpalljen e tyre të pafajshëm. Dita e djeshme i dha fund gjyqit ndaj dy të rinjve. Sipas gjykatësit Shkëlqim Mustafa, protesta e tyre është cilësuar në fund si e ligjshme. Pak ditë më parë, zhvendosja e gjyqit për dy të rinjtë nga fshati Toç, nga Tepelena drejt Gjirokastrës është shoqëruar dje me protesta. Qindra persona u mblodhën në pjesën e poshtme të qytetit. Ndërmjet dhjetëra flamujve kombëtarë të përmasave të ndryshme, spikasnin edhe dy flamuj të zinj me kryqin e thyer, simbol i nazizmit, me të cilët identifikoheshin grekët dhe serbët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›