Estetika e së mrekullueshmes befasuese
Si arrijnë, vallë, bletët ta shndërrojnë polenin në mjaltë? Shshsht, mos bëni zhurmë!.. Në aktin e tyre ka diçka hyjnore, dhe jo më kot bletërritësit flasin për rituale, magji, yshtje. Brenda fytit të bletës është një gyp i tejdukshëm dhe bash aty thithet poleni, mbi të cilin pastaj trupi i bletës lëshon ca lëngje e kimikate tretëse, që e transformojnë dhe shndërrojnë polenin në mjaltë. Po truri i poetit, vallë, çfarë tharrmesh e tretësirash lëshon mbi materien poetike, duke e shndërruar në poezi? S’ e dimë. Por, ama, e dimë se ky proçes është po aq i errët dhe misterioz.
E verdha që buron nga e zeza, ose estetika e së mrekullueshmes befasuese. Që bletët ta kryejnë punën e tyre në një heshtje sa më të errët dhe mistike, bletërritësit i bllokojnë plasat e kosheres me fier të prerë, ose i mbyllin duke i pllakosur ato me bajga të mbledhura nëpër shtalla e ahure bagëtish. Eh, përfytyrimi duket apoetik, por letërsia moderne e ka ndjellë vetë pisllëkun, e ka thirrur me gisht bukurinë e perverses… Poeti ka lulecfakën e vet të pambërritshme, kuturisja drejt së cilës mëton cikle të tëra energjish, në përfundim të së cilave kemi një përmirësim të shqisave poetike.
Floriri dhe kongjijtë, mjalti dhe kosherja, drita e hënës dhe nata, dhe mbase modeli zanafillor: fetusi brenda barkut të nënës. Dhe së fundmi xixëllonja me emrin e saj poetik. Si do ta quanim atë vallë, sikur të mos e kishte atë shirit drite poshtë nënbarkut të zi: Murgeshë? Kallogre? Vejushë? Por ja drita e saj fekstin në netët e majit dhe gjithë kopeja e përfytyrimeve tona blegërin dridhshëm dhe ndërron udhë: drejt çairesh tërfilshumë, aty ku sylynjari poetik e thërrmon ujin e qelibartë metaforik nëpër gurë, aty ku mahnitja estetike shfaqet si e verdhë që buron prej të zezës…
Balil GJINI
E verdha që buron prej të zezës: medemek estetika e së bukurës, e cila gjërohet nga përqasja e dy gjërave që duken si tretësira alkaline për njëra-tjetrën (e verdhë – e zezë), si baza, si solucione ku duhet të zbërdhyleshin cohët gjithë lajle-lule të metaforave, apo makar qoftë pushi i kadifenjtë i stilemave të hazërta. Shkëndijat dhe stërralli, floriri dhe kongjijtë, mjalti dhe kosherja, fekstitja e nënbarkut të xixëllonjës dhe vetë trupi i saj i errët katran. Kur e sheh këtë të fundit të ndezë fap-fup flakë bubulake nëpër netët e majit, s’ka se si mos të të shkojë në fiqir mendimi se, vallahì - bilahì, ka gjasa që bytha e këtij insekti të vogël të dijë për zjarrin shumë më tepër sesa vetë koka e madhe e Prometeut, por kjo është mesele tjetër.
* * *
E verdha e mjaltit dhe kosherja e zezë e bletës. Gjithnjë i kam dhënë dum se ka një përqasje të çuditshme midis punës së sektit të këtij insekti dhe punës së poetit, sepse, fundja, puna e poetit s’është tjetër përpos se estetika e këmbëve të lodhura të bletës… Bleta e frymëzimit poetik (Zot, ki mëshirë dhe kursema si patetikën soc-realiste, si modelet rutinore të kitçit!) endet fushave të gjera të reales, fluturon në dafinat e rritura buzë honeve e greminave të subkoshiencës, pllajave lëbyrëse të metafizikës, dhe vjen e mbyllet në kosheren e kokës. Mbyllet, në mos po ka qenë aty. Bzzz!.. Luzma e insekteve me instikte të shenjta gumëzhin dhe mëton që të gjithë polenin, të gjithë atë materie të verdhë poetike, ta grumbullojë dhe vendosë nëpër hoje. Hojet: arkitektura e poezisë, struktura e saj. Më vjen ndër mend Martin Camaj, hojet arkitekturore të poezive të tij; dukje qëllimisht primitive dhe arkaike, gjithë gajtanë, arabeska e dredhule, kurse struktura krejt moderne. Gjithnjë në mëndjen time është ngritur fidan trungu i gjatë i kësaj pyetjeje: si arrijnë, vallë, bletët ta shndërrojnë polenin në mjaltë? Shshsht, mos bëni zhurmë!.. Në aktin e tyre ka diçka hyjnore, dhe jo më kot bletërritësit flasin për rituale, magji, yshtje. Brenda fytit të bletës është një gyp i tejdukshëm dhe bash aty thithet poleni, mbi të cilin pastaj trupi i bletës lëshon ca lëngje e kimikate tretëse, që e transformojnë dhe shndërrojnë polenin në mjaltë. Po truri i poetit, vallë, çfarë tharrmesh e tretësirash lëshon mbi materien poetike, duke e shndërruar në poezi? S’ e dimë. Por, ama, e dimë se ky proçes është po aq i errët dhe misterioz.
* * *
Malcolm Chazali i quan bletët të fundmet amazona mbi këtë dhè. Sepse ato, siç dihet, i vrasin me gjakftohtësi kriminale meshkujt e pafajde, i nxjerrin në fshehtësi nga kosheret dhe i varrosin në kushedi ç’yrte të largëta mes kujes së vuvërt të tyre. Dhe poeti, a s’ bën kështu me fjalët e tepërta, me fjalët mashkullore që buthtojnë (kujdes, lexojeni mirë fjalën!) në ngastrat poetike me po atë shpërfillje, që dalin edhe karabushët e qepës në një bostat të vogël? Themi sak për karabushët që kanë atë pamje të allasojtë, pamje të cilën e shqin me një arrogancë krejt të pacipë mashkulloriteti. Vëreni librin e fundit me poezi të Arian Lekës dhe në kopertinë do të shihni diçka nga rituali i kësaj meshe të zezë, pra do të shihni viktimat e një dyzine fjalësh nafakëprera. Të lëna qëllimisht për ty lexues, për të parë aktin e madh të vdekjes dhe shpërbërjes që, duke tmerruar, mahnitin me luksin dhe solemnitetin e tyre të zi (Bataille).
Mjalti i hidhur, poleni i pelinit. Mbledhur fillimvjeshtave mbi lulet prozaike të mareve, përroskave dhe hiçkundeve anonimë. Edhe poeti ka mjaltin e vet të zehertë, mbledhur nga bleta e frymëzimit mbi kokeçela të kaltër që rriten përmbi tumbla, ndanë varreve. Polen i zi lulesh, apo polen lulesh të zeza? Produkti në këtë rast ka dukjen e një lëngu viskoz e të errët… Tamlin e zi të ferkut të dritës ne natën e pijmë /e pijmë në mëngjes dhe ditën dhe natën e pijmë/ e pijmë, e pijmë… kjo rrjedhë e zezë poetike është e Paul Celanit. Të tjerë: Bodleri dhe simbolistët francezë. Në poezinë shqiptare Ilir Belliu.
E verdha që buron nga e zeza, ose estetika e së mrekullueshmes befasuese. Që bletët ta kryejnë punën e tyre në një heshtje sa më të errët dhe mistike, bletërritësit i bllokojnë plasat e kosheres me fier të prerë, ose i mbyllin duke i pllakosur ato me bajga të mbledhura nëpër shtalla e ahure bagëtish. Eh, përfytyrimi duket apoetik, por letërsia moderne e ka ndjellë vetë pisllëkun, e ka thirrur me gisht bukurinë e perverses. Sepse, dreqi ta hajë, një rrjedhë uji me plehërishte prej gjethesh mëkati e vesi, e cila do të lakadridhej duke ujitur ngastrat letrare, do t’i ardhangëte më shumë ato.
Gjithçka në punën e bletës gjasmon fare fanua, por ka dhe aty një yçkël dhe havale, e cila të kujton se e përkryera vetëm sa i është premtuar syrit të njeriut, por asesi nuk i është dhënë. Kësisoj, bletërritësit të thonë se trompa thithëse e bletës është vetëm shtatë milimetra dhe, sikur të bënte vaki të ishte edhe dy milimetra më e gjatë, atëhere do të ndodhte hataja e bukur: bletët do të do të ishin të afta të thithnin edhe nektarin e cfakave (begzave), dhe do të prodhonin një mjaltë që lere mos e pyet. Poeti ka lulecfakën e vet të pambërritshme, kuturisja drejt së cilës mëton cikle të tëra energjish, shkulme shkulesh të hedhura në rrufullat e dërstilës së vanitetit, në përfundim të së cilave kemi veçse një përmirësim racor e gjenik të shqisave poetike.
* * *
Është vënë re se, sa më e mbyllur të jetë poezia në vetvete, aq më e dritëshme është habia estetike që na shkakton. Është një imazh si i nxjerrë me laps kopjativ nga arketipi i midhjes dhe guaskave të saj. Vetë midhjes i duhet të zbresë në thellësitë e oqeanit për të krijuar inxhinë lëbyrëse. E verdha që buron prej të zezës. Edhe vetë natyra, për të krijuar një nga mrekullitë e saj, dëborën, i rrethon majëmalet me një mjegull të zezë. Pastaj, duke bërë gjestin e regjisorit të teatrit, shtëmëng perden dhe shfaq mrekullinë gjthë lëbyrje dhe vizllime të verdha sermaje.
Sa më në thellësi të jetë fshehur mishi i kuptueshmërisë, mishi i ideve dhe i mesazheve, aq më e hajthme dhe e nurshme është poezia. Thjesht për ëndjen time, dhe pa kurrëfarë parimi hierarkik, veçoj nga poezia e re shqipe “Ëngjëll nikotine” të Agron Tufës dhe “Kandrat” të Ervin Hatibit, poezi gjithë muskuj e shkujdesje atletike. Që të dyja i përqasin vargjet blasfemuese, tek e para: “të dua ty, ëngjëll nikotine”, kurse tek e dyta: “Sa të bukura kandrat!..”. Pas këtyre vargjeve duhet të fërkohen sytë, të pështyhet tri herë mënjanë. Është një antilitani, është habia blasfemuese të cilën na e shkakton ajo, që ose s’ e kemi parë fare, ose e kemi parë veshur me frakun e zi të frikës.
Floriri dhe kongjijtë, mjalti dhe kosherja, drita e hënës dhe nata, dhe mbase modeli zanafillor: fetusi brenda barkut të nënës. Dhe së fundmi xixëllonja me emrin e saj poetik. Si do ta quanim atë vallë, sikur të mos e kishte atë shirit drite poshtë nënbarkut të zi: Murgeshë? Kallogre? Vejushë? Por ja drita e saj fekstin në netët e majit dhe gjithë kopeja e përfytyrimeve tona blegërin dridhshëm dhe ndërron udhë: drejt çairesh tërfilshumë, aty ku sylynjari poetik e thërrmon ujin e qelibartë metaforik nëpër gurë, aty ku mahnitja estetike shfaqet si e verdhë që buron prej të zezës…
16 Qershor 2008