E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksisti i vrarë në Farkë, transportues i konviktoreve

Taksisti Ramazan Hyka
është vrarë për hakmarrje.
Ky është dyshimi
kryesor i policisë së
kryeqytetit, që është lidhur me
aktivitetin e tij të ushtruar prej kohësh.
Grupi hetimor ka mundur të
zbulojë se shpeshherë taksisti, i cili
u gjet i vrarë barbarisht në Farkë,
ka transportuar për llogari të personave
të tjerë vajza të reja nga Liceu
Artistik dhe nga shkolla e gjuhëve
të huaja. Kjo veprimtari dyshohet
se i ka marrë jetën atij, duke
u qëlluar me plumb pas koke dhe
më pas u dogj në makinë. Megjithatë,
policia ka shpjeguar profesionalisht
se vrasësit janë amatorë dhe
në vendin e ngjarjes janë gjetur
shumë gjurmë, që mund të çojnë
në identifikimin e shpejtë të tyre.
Ngjarja makabër e ndodhur dy
ditë më parë ka vënë në provë vetë
drejtuesit e policisë së Tiranës, të
cilët janë përballur që në ditët e
para në detyrën e re. Kështu, gjatë
48 orëve të fundit, një hetim i
zgjeruar është zhvilluar nga grupi
i punës, me qëllim zbardhjen sa
më të shpejtë të kësaj vrasjeje.
Gjatë hetimeve, policia ka hedhur
poshtë pistën e ekzekutimit për
grabitje. Sipas të dhënave zyrtare,
ky motiv bie poshtë, pasi gjatë
këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe
këqyrjes së kufomës ka rezultuar
se autorët nuk kanë vjedhur asgjë
personale të tij. Të gjitha sendet
e viktimës janë gjetur në vendin
e ngjarjes, duke nisur që nga
patenta, paratë, celulari dhe objekte
të tjera.
Kështu, autorët që kanë realizuar
ekzekutimin kanë pasur një
motiv tjetër. Megjithatë, ata nuk
janë treguar profesionistë. Burimet
policore shpjegojnë se në
vendngjarje janë gjetur një sërë
provash që me identifikimin e
autorit të dyshuar, do të sjellin
dokumentimin e plotë të kësaj
çështjeje të rëndë. Policia tha se
ka gjetur që nga bishtat e
cigareve, gjurmët e këpucëve të
autorëve, e deri te shenjat e gomave
të makinës, me të cilën
mendohet se autorët se janë larguar
nga vendi i krimit.
Nga ana tjetër, grupi hetimor
ka zbardhur tabulatët telefonikë
të numrit celular të viktimës. Në
telefonin e tij janë regjistruar një
sërë thirrjesh, autorët e të cilave
janë identifikuar edhe me ndihmën
e kompanive celulare. Veç
tyre, policia ka marrë në pyetje
edhe kolegët e taksistit, të cilët
kanë rrëfyer gjithçka që dinin për
lëvizjet e taksistit të vrarë, Ramazan
Hyka, 50 vjeç, banues në Mullet
të Tiranës. Duke u nisur nga
këto të dhëna, policia ka zbuluar
se kohët e fundit, Hyka kishte
shërbyer për një grup njerëzish,
që kishin lidhje intime me gjimnaziste
të Liceut Artistik dhe të
shkollës së mesme të gjuhëve të
huaja "Asim Vokshi". Të njohurit
kanë treguar se ai merrte porosi në
telefon nga të njohurit dhe dërgonte
adoleshentet në vendet e
caktuara, duke mos ndërhyrë në
privatësinë e askujt.
Por këto veprime, sipas policisë
duket se janë zbuluar nga
familjarë që nuk i kanë pëlqyer
dhe kanë reaguar, duke kryer
vrasjen e taksistit. Në këto kushte,
ndonjë nga familjarët mund të
ketë organizuar vrasjen e tij, duke
menduar se edhe ai është i përfshirë
në aktivitetin e adoleshenteve,
pjesa dërmuese e të
cilave janë nga rrethet e vendit
dhe banojnë në konviktet e Tiranës.
Megjithatë, në këtë pistë
nuk përjashtohen edhe vetë porositësit,
të cilët duke marrë shkas
nga informacioni i shumtë që
kishte taksisti, kanë vendosur
ekzekutimin dhe zhdukjen e tij.
Me këto të dhëna të zbuluara,
grupi hetimor është përqendruar
në pistën e hakmarrjes për
vrasjen e 50-vjeçarit. Kështu
gjatë ditës së djeshme, uniformat
blu kanë shoqëruar mbi 25
persona. Burimet policore
shpjeguan se të shoqëruarit janë
persona, të cilët dyshohen se
kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes,
ose të dyshuar konkretë
për ekzekutimin e shtetasit Ramazan
Hyka. Megjithatë, deri në
orët e mbrëmjes së djeshme,
policia nuk ka pasur ndonjë
emër konkret për ekzekutorët e
tij. Hyka u vra barbarisht pranë
liqenit të Farkës. Pasi është qëlluar
me plumb pas koke, është
futur në bagazhin e makinës së
tij "Mercedes Benz", me targë TR
2321 J dhe më pas nga autorët,
është tentuar të hidhet në liqen.
Por, pasi mjeti ka mbetur në baltën
e bregut të liqenit, autorët i
kanë vënë flakën, duke djegur
atë dhe viktimën, me qëllim zhdukjen
e provave.

Taksistë të vrarë në vite

2 qershor 1997
Vritet në rrethana misterioze taksisti Kujtim Baçi, nga një person që
ende nuk është identifikuar. Rreth orës 23:00 të mbrëmjes së 2 qershorit,
33-vjeçari Baçi është lajmëruar nga një person që të dalë të takojë dikë.
Pasi ka dalë, një person e ka qëlluar duke e lënë të vdekur dhe ka plagosur
edhe bashkëshorten e tij.
26 janar 1998
Vritet taksisti 54-vjeçar, Gani Koni. Vrasja e tij mbetet edhe sot një
mister, pasi ende nuk janë identifikuar autorët e vrasjes së tij. Menjëherë
pas vrasjes së tij, policia ka nisur të hetojë rreth ngjarjes, por nuk ka arritur
të kapë autorët. Sipas tyre, ekzistojnë disa pista hetimi, por akoma pa
rezultat.
VITI 2002
Xhemil Kuqi, nga Tirana, gjendet i vrarë në Aeroportin e Rinasit. Sipas
burimeve, taksisti kishte 8 vjet që punonte në këtë profesion. Vendi që ai
qëndronte ishte përpara Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë, burime nga
policia bënë të ditur se edhe sot, vrasësit e tij nuk janë identifikuar ende.
17 qershor 2002
Në orën 10:30, taksistit Agron Paja i janë afruar disa pasagjerë të cilët
i kanë kërkuar që të shkojnë në Fier. Rreth orës 10:35, taksisti 42-vjeçar
merr pasagjerët dhe niset drejt qytetit të Fierit, ku dhe i ka lënë ata. Rreth
orës 12:00, gjatë kthimit i vetëm për në qytetin bregdetar makina fluturon
nga shpërthimi i një bombe me telekomandë.
18 qershor 2002
Fetah Hasa, taksisti 56-vjeçar gjeti vdekjen, pasi iu ça kafka në grushte
e sipër, që pësoi nga i biri i kolegut të tij. Shkaku i kësaj vrasjeje kanë qenë
grindjet që kanë pasur babai i Elson Doçes me viktimën. Sipas burimeve
nga Policia e Elbasanit, mësohet se dy taksistët janë grindur për vendin e
parkimit, ku babai i autorit pretendonte se ishte vendparkimi i tij.
6 korrik 2002
Një 50-vjeçar nga Lezha që punonte me taksi është gjetur i mbytur në
afërsi të fshatit Prekal, në Komunën Postribë në Shkodër. Gëzim Mustafa
është gjetur nga kalimtarë të rastit me duar të lidhura me letër
ngjitëse, i hedhur në një qoshe të përroit. Sipas ekspertëve, 50-vjeçari
është lidhur dhe më pas është futur në bagazhin e makinës së tij, ku dhe
ka vdekur nga asfiksia.
27 shtator 2003
Ilir Fani, taksisti 42-vjeçar nga Shkodra u ekzekutua në makinën e tij me
tre plumba nga një polic i Elektrikes. Sipas burimeve policore, bëhet e ditur
se motivi që Fran Markaj e ka vrarë taksistin, ka qenë sepse ky i fundit e ka
ofenduar dhe në nxehje e sipër, polici e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në
vend.
VITI 2003
Vdes në Spitalin Ushtarak të Tiranës pas pesë ditësh trajtim mjekësore,
taksistit i cili u vra gabimisht. Burime nga policia bënë të ditur se, 47-vjeçari
Fatmir Lika është plagosur gabimisht dhe më pas është dërguar në
spital ku ka marrë edhe mjekimin e duhur. Por plagët që kishte marrë
taksisti kanë qenë të rënda duke shkaktuar më pas edhe vdekjen e tij.
13 qershor 2004
Gjendet i vrarë në një kanal të fshatit Rrilë, në Lezhë, taksisti Hekuran
Koçi. Viktima, baba i tre fëmijëve, është gjetur i masakruar nga një bari që
më pas ka lajmëruar policinë. Gjykata e Lezhës ka dënuar me burg të
përjetshëm Petrit Murranin dhe me 25 vjet burg bashkëpunëtorin e tij për
vrasjen e taksistit.
21 mars 2005
Vritet taksisti Femi Qose, policia arreston autorin. Sipas burimeve nga
kjo e fundit, Neim Behari i ka kërkuar taksistit 100 mijë lekë të vjetra, por
taksisti nuk ia ka dhënë, por i ka thënë atij se duhej t‘i jepte 50 mijë lekë të
vjetra për shërbimin e kryer. Në këto momente e sipër nga gjaknxehtësia,
autori e ka goditur taksistin 17 herë me thikë në bark dhe pasi e ka çuar në
një kabinë elektrike në Marinëz, e ka hedhur atë poshtë.
18 prill 2006
Thoma Bima është taksisti i radhës që ka rënë viktimë e hakmarrjes së
klientit të tij. Emri i tij është shënuar në listën e zezë, ku para tij janë emrat
e kolegëve që janë vrarë vitet e fundit. Nëse do të bënim një llogaritje dhe
do të ktheheshim mbrapa në kohë, ngjarjet më të bujshme të taksistëve të
vrarë datojnë në vitin 2000.
5 maj 2006
Lidhet me tel pas sediljes së parë të furgonit dhe më pas digjet 35-vjeçari,
Artan Shepo. Ky është versioni i dhënë nga policia e Vlorës, pas identifikimit
të trupit të karbonizuar të gjetur në taksinë e tij. Burime nga Policia e
Vlorës bëjnë të ditur se arsyet kanë qenë familjarët ata që kanë bërë të
mundur identifikimin e viktimës. Të njëjtat burime pohojnë se deri në orët
e vona të ditës së djeshme nuk është zbuluar asnjë autor i mundshëm për
vrasjen e Shepos.
10 korrik 2007
Vritet në rrethana misterioze, me një plumb pas koke, taksisti 41-vjeçar, Veli
Mema. Motivi kryesor që mund të ketë shkaktuar vrasjen e tij, dyshohet se
ka qenë grabitja. Veli Mema është gjetur i vrarë në makinën e tij, të cilën e
përdorte si taksi në afërsi të kombinatit "Josif Pashko" në kryeqytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›