E Shtunë, 31 Tetor 2026

NVA befason Belgjikën

Në Belgjikë, fitorja e shumicës së vendeve në dhomën e ulët të parlamentit nga një parti politike që kërkon ndarjen e Belgjikës, shkaktoi një befasi të madhe.

Aleanca e Re Flamane (NVA), e udhëhequr nga Bart De Wever, fitoi 27 nga 150 ulëset në parlament.

Me rezultatin që rrëzon qeverinë e kryeministrit Yves Lëterm, votuesit përçuan një porosi të fuqishme paralajmërimi për politikanët frankofonë, që të negociojnë seriozisht për t’u dhënë krahinave që flasin gjuhën holandeze dhe franceze përkatësisht, më shumë autonomi përndryshe Flandria do të shkëputet nga vendi.

Mbreti Albert filloi të hënën konsultimet për formimin e qeverisë së re të koalicionit.

“Është një ndryshim rrënjësor në qëndrimin e Belgjikës, me dy komunitete që votuan krejtësisht ndryshe nga njëri-tjetri. Valonia votoi për sigurimet shoqërore dhe çështje të tjera. Flandria votoi bazuar në çështjen e shkëputjes dhe tani na duhet t’i pajtojmë të dyja komunitetet”, thotë Frensis Bautmans, një banor i Flandrisë.

“Flamanët ishin të indinjuar me popullsinë frëngjisht folëse që vetëm thoshte ‘jo’. Flamanët sikur prisnin për Mesian që më parë ishte Lëterm dhe sot është De Wever”, thotë Florimond Gauberg.

Kështu reaguan banorët e Flandrisë ndaj fitores së Aleancës së re Flamane, në zgjedhjet që nxorën në pah përçarjen mes Flandrisë dhe Valonisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›