Na ishte njëherë libri

Më 1994, Jeffrey Preston Bezos, ishte 30 vjeç. I lindur në Albuquerque, New Mexico, pasi që ishte laureuar në Princeton, po atë vit Bezos kishte themeluar Amazon. Libraria on line e ka revolucionarizuar vetë idenë e shitjes me pakicë. Por Bezos-it (pasuria e të cilit është vlerësuar 10 miliardë dollarë), ky sukses nuk i ka mjaftuar. Aq sa tash, pasi që ka lansuar Kindle, lexuesin digjital të librave, po kërkon ta përmbysë edhe mënyrën si lexojmë. Siç e shpjegon në këtë intervistë.
Jeff Bezos, Amazoni ka pasur një vit të shkëlqyeshëm, pavarësisht krizës ekonomike. Si ia keni arritur kësaj?
"Falë parimeve bazike: jemi përqendruar në një seleksionim të vëmendshëm të prodhimeve, në çmimet bazë dhe dërgesat e besueshme, konvenuese dhe të shpejta. Kemi pasur një fillim të njëjtë për 14 vite, praktikisht ç’prej se ekzistojmë. Suksesi ynë është, të themi kështu, fryt i një akumulimi. Për shembull, nëse na bën vaki të kemi një tremujor të mbarë, e dimë se për këtë i jemi borxhlinj punës që kemi bërë tre, katër, pesë muaj më parë, e jo për shkak të punës së mbarë që bërë së fundi”.
Amazoni është lindur si një sajt i shitjes me pakicë. Tash janë të disponueshme prodhime informatike dhe jeni në biznesin e elektronikës së konsumit me Kindle. Si do të mund ta definonit Amazonin, sot?
“Nisemi nga ajo çka dëshiron konsumatori dhe punojmë ‘me shikimin mbrapa’. Përfitojmë të gjitha aftësitë e nevojshme për ta kënaqur klientin, duke ndërtuar çdo lloj teknologjie për ta kënaqur atë. Përndryshe shpikim prodhime të reja, nuk shkelim rrigëve që tashmë i kanë përshkuar të tjerët: ndërsa na pëlqen të ecim rrugëve të paeksploruara për të parë çka ka në fund. Ngandonjëherë ka rrugë qorre, po herave të tjera shndërrohen në sheshe të gjera, dëng me mundësi eksituese. Dëshirojmë të projektojmë veten në të ardhmen dhe të lëvizim në të në një perspektivë kohëgjatë, një karakteristikë e rrallë kjo e kohëve të sotme. Sensi i perspektivës nuk është virtyt i përbashkët në botën e ndërmarrjeve. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e gjërave që kemi bërë na ka kërkuar shumë-shumë kohë”.
Ju keni folur për Kindle si një shembull i konceptit të të shikuarit mbrapa, në lidhje me klientin. A mund të na e shpjegoni në ç’kuptim?
“Ekzistojnë dy mënyra të mundshme, për shoqëritë, që ta zgjerojnë aktivitetin e tyre. E para: mund të krijojnë një inventar të aftësive e kompetencave të tyre dhe t’i thonë vetes: ok, me këtë lloj aftësie dhe kompetence, çka tjetër mund të bëjmë? Një teknikë skajshmërisht e nevojshme, që çdo ndërmarrje do të duhej praktikonte. Por ekziston një metodë e dytë, që kërkon një orientim me kohë të gjatë: në vend se të pyetemi në çka jemi të aftë dhe çka tjetër të bëjmë me zotësitë tonë, pyetemi mbi identitetin dhe nevojat e klientëve të mundshëm. E pastaj iu jepet atyre ajo që dëshirojnë, edhe pse ende nuk posedojmë aftësinë e duhur. Gjithçka mund të mësohet, s’ka rëndësi sa kohë do të duhet. Kindle është një shembull i tillë triumfues: është në tre qe dy vite, por kemi punuar tri vite para se ta lëshojmë në treg. E kemi folur për të, edhe më herët, për një vit. Kemi angazhuar një team inxhinierësh elektronikë për ta ndërtuar dispozitivin dhe për të përfituar njohje të reja. Në përgjithësi, nëpër ndërmarrje, dirigjentët ndjekin verbërisht një tendencë: mendojnë se mënyra e duhur për të proceduar është të vazhdojnë të bëjnë atë që dinë ta bëjnë më së miri. Mund të jetë, mbase, një rregull e mirë. Por problemi është se bota ndryshon vazhdimisht nën sytë tonë, e nuk mund t’i përshtatemi këtij ndryshimi pa përvetësuar instrumente dhe aftësi të reja”.
Ju ka befasuar suksesi i Kindle?
“Thënë troç, kam mbetur çile guri gojën. Dy vite më parë askujt s’do t’i kishte shkuar në mendje tërë kjo. Është prodhimi më i shitur, dëshiruar dhe dhuruar në Amazon. E s’po flas veç për informatikën, por për të gjitha kategoritë e disponueshme. Kemi kaluar vite duke punuar në biznesin e librit, e tash, për titujt ekzistues në botimet Kindle, shitjet janë rritur 48 për qind. Po për ne nuk është vetëm biznes. Është disi një zell misionar, ngase ka të bëjë me kulturën. Mendojmë se Kindle është më i madh se ne”.
Steve Jobs, babai i Apple, ka thënë se Kindle do të dështojë meqë ‘njerëzit nuk lexojnë më’.
"Ndërsa unë mendoj se leximi do të rezistojë dhe meriton një dispozitiv të përkushtuar. Për atë që është lexues, akti i leximit është diçka përnjëmend i rëndësishëm. Nuk është e mundshme të lexohet për tri orë rresht në një ekran Lcd të retrondriçuar: kjo është në rregull me format e shkurtra. Një pikë shumë e rëndësishme, që ma do zemra ta nënvizoj: ne njerëzit evoluojmë bashkë me instrumentet tona. I ndryshojmë instrumentet dhe instrumentet na ndryshojnë ne: është një cikël që përsëritet. Gjatë njëzet viteve të fundit, instrumentet network-connected si smart phones-t, Blackberry-t e personal computer-et e lidhur në Rrjet, e kanë lëvizur qytetërimin tonë drejt formave të shkurtra të leximit. E dua Blackberry-n tim: është fantastik për të lexuar e-maila. E njëjta për kompjuterin tim. Jam i lumtur të lexoj artikuj të shkurtër dhe post-e në blog-e, por s’dua ta lexoj një roman 300 faqesh në Pc-n time. Kindle shton ia bashkëjetesën e një koneksioni wireless formës letrare të gjatë. Mendoj se mësohen gjëra të ndryshme nga një roman në krahasim me një formë të shkurtër të letërsisë, edhe pse që të dyja janë të rëndësishme. Nëse lexohet ‘Ajo që mbetet nga dita’ e Kazuo Ishiguro – njëri nga romanet e mia të parapëlqyera – nuk mund të mos mendohet se kemi harxhuar dhjetë orë në një jetë alternative, duke mësuar diçka në lidhje me natyrën e ekzistencës dhe keqardhjes. E kjo s’është e mundshme në një blog”.
A do të ekzistojë, sipas jush, një moment kur romani do të rishpiket dhe mediumi i ri digjital do t’u vër fill formave të reja artistike?
“Jam skeptik sa i përket mundësisë së rishpikjes së romanit. Ndoshta shpikja do të jetë e mundshme për tekstet shkencore: letërsia mjekësore është mjaft e pjekur sa t’i zgjedhë për vete format e reja. Po mendoj për gjallërimet e një zemre pulsuese, për shembull. Por besoj se romani do të vazhdojë të rritet dhe lulëzojë në formën e tij aktuale. Kjo s’do të thotë se s’do të asistojmë edhe në sajime të reja narrative – do të mund të lindnin dhe, faktikisht, do të ketë të tilla. Por jam i sigurt se s’do ta zëvendësojnë romanin”.
Flitet shumë për një tablet të mundshëm të Apple. Do të ishte një konkurrent i Kindle, apo jo?
“Për ne, sa më shumë lexues që të ketë, aq më mirë është, duke pasur parasysh se shesim libra në format elektronik. Dhe duam që secili të jetë i lirë të lexojë librat tonë elektronikë sido e kudo që të dëshirojë”.
Po a ju intereson më shumë ta shisni dispozitivin në vete, hardware-n që e prodhoni, apo librat?
“Janë objektive të ndryshme, e ne punojmë në të dyja. Sa i përket asaj që ka të bëjë me titujt në disponim, duam që të gjithë të jenë në gjendje të lexojnë atë që duan, ku të duan. Në lidhje me Kindle, dëshirojmë të bëhet mbështetësi më i mirë leximit në botë. Nuk është, natyrisht, një thikëz zvicerane: nuk është në gjendje bëjë një sasi të pafundme gjërash. Mendojmë se akti i leximit meriton një instrument të specializuar dhe duam që Kindle të jetë ai instrument. Është si me fotografinë: ma ka ëndja të shkrep imazhe me telefonin tim celular, por kur dua të bëj një foto të vërtetë, parapëlqej ta bëj me aparatin tim fptpgrafik. Kindle është ai aparati fotografik”.
A mendoni se libri prej letre, siç kuptohet përgjithësisht, është i destinuar të zhduket?
“Mendoj se po. Nuk e di sa kohë do të duhet. I duam historitë dhe narrativen; duam të humbemi në botën e një autori. Kjo s’do të zhduket kurrë, e do të vazhdojë të rritet. Por libri fizik ka 500 vite jetë. Është me gjasë teknologjia që ka pasur sukses më së shumti në histori. Është zor të mendohet për një prodhim me jetë më të gjatë. Sikur Gutenberg të ishte gjallë, sot, do të dinte ta njihte saktësisht një libër dhe do të dinte si ta përdorte, menjëherë. Subjekt edhe ai, natyrisht, i ndryshimeve të kohës, libri ka ruajtur një formë stabile për shumë e shumë vite. Por asnjë teknologji, bile as kjo kaq elegante e librit, nuk jeton përgjithmonë”
Lexoni ende romane në letër?
“Jo, nëse mund të bëj pa të”.
Përktheu: Arben Idrizi