Në gjurmët e Ilirisë...
15/01/2010 Padyshim që Iliria përbën një qytetërim me interes për t’u njohur nga pasardhësit. Jo thjesht për kuriozitetin apo “të pathënat e zbuluara”, shoqata kulturore italo-shqiptare “Vatra e Torinos” organizon një konferencë arkeologjike. “Alla scoperta dell’antica Illiria” (Në gjurmët e Ilirisë së lashtë) e kanë quajtur takimin e konceptuar si një udhëtim i ilustruar arkeologjik nëpër tokën shqiptare. I planifikuar për t’u mbajtur ditën e shtunë, më 16 janar në “Circolo dei Lettori” në “Palazzo Granieri della Roçia”, Via Bogino 9, Torino, gjatë këtij takimi pjesëmarrësit do të njihen me qendrat kryesore të zbuluara të Ilirisë, si edhe me pasuritë që ato përmbajnë. I ftuari kryesor i takimit është eksperti i kësaj fushe, arkeologu i mirënjohur shqiptar, profesor Neritan Ceka. Në takim do të marrin pjesë gjithashtu edhe Sandro Caranzano (arkeolog), Chiara de Filippis- (historiane dhe profesoreshë e Universitetit të Torinos) dhe gazetari Benko Gjata.
Neritan Ceka, biri i arkeologut të parë shqiptar Hasan Ceka, u interesua për arkeologjinë që fëmijë, kur shoqëronte të atin në ekspeditat arkeologjike të Apolonisë. Pas mbarimit të studimeve në Universitetin e Tiranës në vitin 1962, ai iu kushtua plotësisht kërkimeve arkeologjike. Në vitet 1963-1964 gërmoi kështjellën ilire të Rosujës në Tropojë; në vitin 1969 zbuloi varrin e pasur të Selcës së Poshtme dhe po atë vit filloi gërmimet disavjeçare në Belsh. Tërheqjen më të fortë e pati drejt qytetit të madh të Bylisit. Atje drejtoi ekspeditat në vitet 1978-1991, duke zbuluar teatrin, stadiumin,shëtitoret, gjimnazin dhe disa nga hyrjet dhe kullat e fortifikimeve të qytetit ilir. Në vitet 1992-1994 drejtoi ekspeditën e përbashkët shqiptaro-franceze në Apoloni, si dhe gërmimet në Butrint, ku u rikthye përsëri dy vitet e fundit. Që nga viti 1985 jep leksionet e Arkeologjisë Klasike në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës dhe është bashkautor i librit “Arkeologjia: Greqia, Roma, Iliria”. Ka dhënë leksione dhe konferenca shkencore në Gjermani, Angli, Itali, Francë, Austri, SHBA dhe në vende të tjera. Ka shkruar librin shkencor “Qyteti ilir pranë Selcës së Poshtme” (1985), si edhe një numër të madh artikujsh shkencorë mbi kërkimet e tij arkeologjike. Për publikun e gjerë ka shkruar librat: “Apolonia e Ilirisë”, “Apolonia”, “Butroti”, “Bylisi” (me bashkautor), të cilët janë përkthyer në anglisht, gjermanisht dhe italisht. Është anëtar i Këshillit Shkencor në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë, anëtar i Institutit të Arkeologjisë në Berlin dhe i Institutit “Koldeway Gesellschaft” në Gjermani. Që nga viti 1991është zgjedhur disa herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. “Në gjurmët e Ilirisë së lashtë” zhvillohet në kuadër të projektit “Festivali i Kulturës Shqiptare”. I ideuar nga shoqata “Vatra” dhe i realizuar me mbështetjen e rajonit të Piemontit, projekti parashikon zhvillimin e veprimtarive që synojnë promovimin dhe vlerësimin e pasurisë historike, artistike, kulturore dhe letrare të popullit shqiptar. Takimi është realizuar me bashkëpunimin e F.I.A.P. -Federata e Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbëreshe të Piemontit, dhe të zyrës së përfaqësimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Torino.