Na mbytën importet

Mungesa e prodhimit dhe sasia e larta e mallrave për konsum të importit kanë sjellë sërish rritje të deficitit tregtar. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe kanë shënuar ulje edhe të ardhurat e emigrantëve. Sipas Bankës së Shqipërisë, deficiti tregtar për 3-mujorin e parë të këtij viti ka arritur në vlerën e 531 milionë eurove, apo 20 për qind më i lartë se e njëjta periudhë e vitit të mëparshëm. Raporti i mbulimit të importeve nga eksportet mbetet në nivele të ulëta (28 për qind), duke theksuar karakterin importues të tregtisë së jashtme, si rezultat i kapacitetit të pamjaftueshëm të prodhimit vendas. Konkretisht, importi i produkteve ushqimore është rritur rreth 21 milionë euro, duke përfaqësuar 13 për qind të totalit të importeve të vendit tonë. Ndërkohë, kategoria “pije alkoolike dhe ato joalkoolike” është rritur me ritme më të ulëta se viti i mëparshëm. Kjo rritje është vlerësuar vetëm 18 për qind, nga 48 për qind në vitin 2007, krahasuar me atë të vitit 2006. Sipas Bankës së Shqipërisë, shumë premtuese janë zhvillimet pozitive të importeve në makineri dhe pajisje (grupmall ky që përfaqëson 16.2 për qind të importit të përgjithshëm), tregues i rritjes së nivelit të investimeve në vend. Ato janë rritur 22 për qind krahasuar me vitin paraardhës, ndërsa importet e kategorisë së produkteve minerale
janë rritur me 11.1 për qind këtë tremujor. Metalet bazë kanë pësuar një rënie prej rreth 10 për qindësh, duke i reduktuar importet e metaleve në 51 milionë euro, nga rreth 55 milionë euro, vlerësuar në tremujorin e parë të vitit paraardhës. Importet e karburantit gjatë këtij tremujori kanë shënuar një rritje të ndjeshme prej rreth 46.7 për qindësh. Prej saj, vetëm 1.5 për qind i dedikohet rritjes si pasojë e kërkesës për karburante, ndërsa 44.5 për qind vjen si rezultat i rritjes së çmimit të tyre. Karburantet e importuara gjatë tremujorit të parë të vitit 2008 u vlerësuan 6.7 për qind e totalit të importeve. Duke iu referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga eksportet në fund të tremujorit të parë të vitit 2008 kanë arritur shifrën 205 milionë euro, duke rezultuar në një rritje prej 23 milionë eurosh (13 për qind), krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2007. Kjo rritje ka ardhur si pasojë e rritjes së të dyja kategorive: eksportet nga përpunimi aktiv dhe eksportet e brendshme.
Ulen 5 për qind të ardhurat e emigrantëve
Të ardhurat e emigrantëve dhe të familjeve të tyre vazhdojnë të regjistrojnë sërish ulje. Sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat e emigrantëve në tremujorin e parë të vitit regjistrojnë rreth 219 milionë euro dhe vlerësohen të kenë financuar deficitin tregtar në mallra në masën 41 për qind. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, këto transferta vlerësohen 5 për qind më të ulëta, pasi vihet re një zhvendosje e këtyre flukseve valutore nga ato për përdorim korrent në formën e investimeve.
Transfertat nga emigrantët janë shoqëruar edhe nga transferta të tjera private dhe shtetërore, respektivisht me 16 dhe 6 milionë euro.