“Na rrahën dhe na qëlluan me gurë!” – Aksioni i policisë për arrestimin e studentëve, e reja: Ndalën dhunën kur erdhi media! Ne protestojmë për të drejtat tona
Një grup vajzash protestuese kanë rrëfyer për mediat momentet e ndërhyrjes së policisë në një zonë pranë Medresesë në Tiranë, ku efektivët ndërhynë për të shoqëruar protestues.
Në një prononcim për News24, vajzat pretendojnë se janë dhunuar nga efektivët, duke treguar se janë goditur me grushte dhe gurë. Sipas tyre, ndërhyrja e policisë u zbut në momentin kur në vendngjarje mbërritën gazetarët dhe kamerat.
“Unë dhe gocat ishim fshehur nga policia, se e dimë që na kapnin. Më qëlluan në buzë. Na rrahën, një gocë tjetër u godit me një gur nga policia. Kur erdhën mediat, efektivët ndaluan dhunën”, rrëfeu njëra prej protestueseve.
Edhe një tjetër vajzë pretendoi se efektivët i kishin qëlluar me gurë dhe se sjellja e tyre ndryshoi kur mbërritën gazetarët.
“Na qëlluan me gurë, që i kanë hedhur policët. Kur erdhët ju, thjesht na shtynë, se panë kamerat”, tha ajo.
Ndërkohë, një tjetër protestuese shpjegoi arsyet që e kanë shtyrë të dalë në rrugë, duke përmendur problemet ekonomike, pagat, pensionet dhe gjendjen e arsimit.
“Ne protestojmë për të drejtat tona. Duam që shkollat të jenë tamam, edhe pensionet janë shumë të ulëta. Punojmë gjithë familja dhe prapë llogaria nuk del. Me 500 mijë lekë çfarë do bësh? Ushqimet dhe çdo gjë janë tepër të shtrenjta. Nuk ka rob që na ndalon. Kemi marrë kërcënime që të mos protestojmë”, u shpreh ajo.