E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nacionalizmi dhe diplomacia serbe

Në një intervistë të analistit të shquar, Gabriel Partosh, botuar ditët e fundit në mediat tona, më tërhoqi vëmendjen një pasazh, të cilin po e citoj: "…shumë shpesh vendimet politike merren nga politikanët, por shumë shpesh në mënyrën se si zbatohen ato, diplomatët kanë shumë ndikim. Ata kanë ndikim të fuqishëm, sepse mund të vijnë edhe me nisma politike të tyret, apo alternativat që mund të paraqesin, …që janë të arsyeshme apo realiste, …megjithëse politikanët do të duhet t‘i aprovojnë ato në fund,… roli i tyre është shumë i rëndësishëm dhe i fuqishëm".

E bëra citimin e këtij pasazhi për të vënë në dukje lidhjen e pazgjidhshme të politikës me diplomacinë. Diplomacia është vazhdim i politikës për të realizuar synimet politike në raportet ndërkombëtare. Ajo, që sundohet nga "mirësjellja" dhe forca "argumentuese", "bindëse" dhe "sugjestionuese" e fjalës, merr fund kur politika kërcënon ose vë në veprim forcën e armëve. Kur fillon lufta, diplomacia zyrtare tërhiqet dhe bëhet inekzistente. Në këto raste, politika nuk e përmend më termin "diplomaci".

Thuhet se në demokraci politika, edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, bëhet nga politikanët e zgjedhur, që kanë mandate nga populli dhe jo nga diplomatët. Kjo varësi e natyrshme dhe e njohur bëhet më evidente me marrjen e pushtetit nga politikanët pas zgjedhjeve të reja. Qeverisësit e rinj kanë përherë nevojë të njohin e të mbajnë parasysh përvojën e grumbulluar nga diplomatët për vazhdimësinë e raporteve me shtetet e tjera. Por Serbia, edhe pas zhvillimit të zgjedhjeve, vazhdon të endet në përzgjedhjen e forcës apo forcave politike që do ta qeverisin. Kjo, me sa duket, e ka çekuilibruar kryediplomatin serb, Jeremiç, që po shfaqet në raporte ndërkombëtare si një përdorues "i gjuhës së drunjtë" të nacionalizmit serb.

Diplomacia serbe trashëgon një përvojë të konsiderueshme dhe jo të pasuksesshme historike. Në gjysmën e dytë të shek. XX, në kuadër të ish-Jugosllavisë, diplomatët e Federatës kishin vendin, dëgjoheshin e vlerësoheshin në të gjitha vendet e Botës së Paangazhuar. Spektri i ndikimit politik ndërkombëtar të ish-Jugosllavisë u ngushtua së tepërmi gjatë viteve ‘90 dhe u kufizua përfundimisht me shpalljen dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Diplomacia serbe, që për gati dy shekuj është "ushqyer", ka "mësuar" dhe ka mbajtur si "model" diplomacinë ruso-sovjetike, tashmë është bërë "nervoze", "inatçore", madje "agresive".

"Nuk ka faj" delegacioni i Serbisë që braktisi Samitin e vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) më 21 maj dhe as ministri Jeremiç, që, pasi braktisi sallën, deklaroi se vuri veton në dokumentin përfundimtar të Samitit, për shkak se ministri i Jashtëm i shtetit të Kosovës jo vetëm ishte i pranishëm, por edhe u lejua të flasë në këtë Samit. Edhe pas këtij evenimenti, Jeremiç vazhdon të përdorë fjalën "kurrë", që në parim nuk lejohet të përdoret edhe as nga politika.

Nuk mund të gjykoj shefin e diplomacisë serbe as për kompetencë profesionale dhe as për shkakun e veprimeve të tij diplomatike. Por për një gjë mund të shprehem me bindje: mbi të dhe mbi të gjithë diplomacinë aktuale serbe nuk dominojnë persona konkretë; Koshtunica, Nikoliçi apo Tadiçi; mbi diplomacinë e sotme serbe sundon nacionalizmi. Jeremiçi e di mirë këtë, ndaj nën presionin e fortë të nacionalizmit shfaqet e vepron si një i punësuar, por kurrsesi si diplomat karriere.

Përderisa ende nuk mund të flitet për diplomacinë e institucionalizuar e të njohur botërisht të shtetit të Kosovës, nuk mund të flitet për përqasje apo diferenca mes diplomacisë serbe dhe asaj kosovare. Por edhe në këtë situatë nuk mund të mos vihen re nga ne dhe ndërkombëtarët kontrastet e politikës dhe të diplomacisë së Beogradit, me veprimet e mesazhet politike e diplomatike të krerëve më të lartë shtetërorë të Republikës së Kosovës. Kryeministri, Presidenti, por edhe Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit në realizim të posteve politiko-shtetërore kanë përcjellë në deklarimet e veprimet e tyre në raport me ndërkombëtarët mesazhe "diplomatike" mirëkuptimi, paqeje e bashkëpunimi mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Veprimtaria jonë diplomatike nuk mund të kontestohet nga askush për mesazhet demokratike e stabilizuese, e shumta që mund të thuhet për të është pamjaftueshmëria e aktivitetit të saj në shërbim të njohjes masive nga ndërkombëtarët si shtet i pavarur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›