Tryeza e PS-së, biznesi kundër taksës progresive

nga tryeza e PS me biznesin
PS mbledh tryezën e sipërmarrjes për programin e ri Rilindja Shqiptare
Bregasi: PS të qartësojë qëndrimin ndaj koncesioneve.
Biznesi shqiptar është kundër taksës progresive të propozuar nga Partia Socialiste. Në tryezën e organizuar dje nga Grupi i Punës për programin, i cili merret me çështjet e biznesit, shoqatat e ndryshme të biznesit vendës dhe të huaj, shprehën mendimet e tyre rreth propozimeve të Partisë Socialiste në programin e saj Rilindje shqiptare. Luan Bregasi, president i BiznesAlbania, tha se opozita të mos i trajtojë çështjet e biznesit si kundërvënie politike me maxhorancën. BiznesAlbania i ka ndjekur me vëmendje edhe deklarimet zyrtare të opozitës për çështjet e zhvillimit ekonomik dhe të biznesit në veçanti. Ne vërejmë se qëndrimet e PS-së kryesisht kanë qenë fragmentare, jostrategjike, pra vetëm për kundërvënie politike. Ne mendojmë se në të ardhmen opozita duhet të jetë më aktive, më konsekuente dhe më konstruktive në qëndrimet e veta për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, u shpreh Bregasi. Duke folur në tryezën e djeshme, Bregasi tha se PS duhet të qartësojë më mirë qëndrimin ndaj koncesioneve duke i dhënë prioritet politikave që mbështesin realizmin e tyre dhe jo deklaratave me theks luftën maxhorancë-opozitë. BiznesAlbania mendon se duhet të qartësoni më mirë vizionin tuaj për administrimin fiskal dhe administratën publike, me mundësi për të rishikuar ligjin për administrimin fiskal lidhur me pagimin e detyrimeve kur fillon një proces gjyqësor, u shpreh Bregasi. Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, tha se taksa progresive nuk mund të aplikohet në të gjitha llojet e biznesit. Taksa progresive në të gjitha shembujt që vijnë zbatohet në vendet e pasura. Nuk ka asnjë shembull që taksa progresive vjen në vendet e varfra, në vendet në zhvillim, në vendet që kërkojnë të ndërtojnë pasuri. Me dashamirësi ne ju kërkojmë të riformuloni thelbin e taksës progresive. Ne ju sugjerojmë se taksa progresive është fare e natyrshme të jetë e zbatueshme në Shqipëri në sektorët strategjikë të mbyllur me ligj, si sektorët e privilegjuar me leje shtetërore, ku ato ushtrojnë aktivitetin, por jo në kushtet e konkurrencës së lirë, u shpreh Buxhuku. Kreu i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka, ishte në një linjë me propozimet e bëra nga kryesocialisti Rama për taksën progresive. Jemi dakord me zotin Rama kur flet për taksim progresiv të sistemit të pagave, por sjemi dakord nëse duam të jemi një vend me një rritje dyshifrore ekonomike, pasi kemi shumë deficite për të plotësuar, dhe akoma vazhdojmë të jemi një vend në tranzicion. Nuk jemi dakord që të kemi një taksë të sheshtë për sipërmarrjen shqiptare dhe të huaj, që duan të vijnë në Shqipëri. Me përjashtim të rasteve, ku u përmendën edhe nga Buxhuku. Por dhe në këtë rast, taksa progresive duhet vendosur në bazë të rentabilitetit, u shpreh kreu i Dhomës së Tregtisë së Tiranës. Ai i kërkoi zotit Rama të mbajë fjalën për heqjen e referencave. Shpresoj që zoti Rama të mbajë fjalën lidhur me referencat. Është një premtim i dhënë nga e gjithë politika shqiptare, sidomos në prag zgjedhjesh që do heqim referencat doganore, të pagave dhe çdo referencë tjetër, që realisht janë kthyer në bumerang të sipërmarrjes shqiptare, u shpreh Jaka.
Diskutimet e perfaqesuesve te biznesit
Luan Bregasi, BiznesAlbania
BiznesAlbania e përshëndet organizimin e diskutimit të hapur. BiznesAlbania i ka ndjekur me vëmendje edhe deklarimet zyrtare të opozitës për çështjet e zhvillimit ekonomik dhe të biznesit në veçanti. Ne vërejmë se qëndrimet e PS-së kryesisht kanë qenë fragmentare, jo strategjike, pra vetëm për kundërvënie politike. Ne mendojmë se në të ardhmen opozita duhet të jetë më aktive, më konsekuente dhe më konstruktive në qëndrimet e veta për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Taksa e sheshtë, ulja e taksës së sigurimeve shoqërore, heqja e disa taksave doganore, që kanë nxitur punësimin dhe prodhimin fason, duhen parë si arritje që duhet të nxisin opozitën për të menduar se Shqipëria, si vend në zhvillim, duhet të ecë më mirë me taksa të ulëta dhe sistem të gjerë taksapaguesish. Ne mendojmë se administrimi joprofesional e aq më keq, korruptiv, abuziv, zhduk efektin e taksave të ulëta dhe vret rritjen ekonomike të vendit. BussinesAlbania mendon se duhet të qartësoni më mirë qëndrimin ndaj koncesioneve, duke i dhënë prioritet politikave që mbështesin realizmin e tyre dhe jo deklaratave me theks luftën maxhorancë-opozitë. BussinesAlbania mendon se duhet të qartësoni më mirë vizionin tuaj për administrimin fiskal dhe administratën publike, me mundësi për të rishikuar ligjin për administrimin fiskal lidhur me pagimin e detyrimeve kur fillon një proces gjyqësor, sepse parapagimi në kesh krijon vështirësi likuiditetesh për kompanitë private.Gjergj Buxhuku, Konfindustria
Tregjet e bllokuara për shkak të moszbatimit të kontratave koncesionare duhet të zhbllokohen, sepse dëmtojnë tregun. Mbështes heqjen e sistemit të referencave. Taksa progresive në të gjithë shembujt që vijnë zbatohet në vendet e pasura. Nuk ka asnjë shembull që taksa progresive vjen në vendet e varfra, në vendet në zhvillim, në vendet që kërkojnë të ndërtojnë pasuri. Me dashamirësi ne ju kërkojmë të riformuloni thelbin e taksës progresive. Ne ju sugjerojmë se taksa progresive është fare e natyrshme të jetë e zbatueshme në Shqipëri në sektorët strategjikë të mbyllur me ligj, si sektorët e privilegjuar me leje shtetërore, ku ato ushtrojnë aktivitetin, por jo në kushtet e konkurrencës së lirë. Opozita të thotë fjalën e saj nëse duhet apo jo prekur TVSH-ja për produktet bujqësore, sepse jemi në një konkurrencë të hapur me produktet e huaja. Fermerët e veçuar nuk do mundet të konkurrojnë në tregun rajonal dhe ne duhet të nxisim prodhuesit e mëdhenj bujqësorë. Prodhimi i madh bujqësor ka nevojë që të rimbursojë TVSH-në.Nikolin Jaka, Dhoma e Tregtisë Tiranë
PS ka shumë punë për të bërë, pasi ato që dëgjuam nga zoti Rama duhen bërë programe të detajuara që do ndihmojnë biznesin vendës dhe të huaj. Nuk mund të themi se jemi absolutisht kundër me taksën e sheshtë, por ajo që kërkohet më shumë sot është reforma fiskale dhe reforma rregullatore. Jemi dakord me zotin Rama kur flet për taksim progresiv të sistemit të pagave, por sjemi dakord nëse duam të jemi një vend me një rritje dyshifrore ekonomike, pasi kemi shumë deficite për të plotësuar, dhe akoma vazhdojmë të jemi një vend në tranzicion. Nuk jemi dakord që të kemi një taksë të sheshtë për sipërmarrjen shqiptare dhe të huaj, që duan të vijnë në Shqipëri. Me përjashtim të rasteve ku u përmendën edhe nga Buxhuku. Por dhe në këtë rast, taksa progresive duhet vendosur në bazë të rentabilitetit. Shpresoj që zoti Rama të mbajë fjalën lidhur me referencat. Është një premtim i dhënë nga e gjithë politika shqiptare, sidomos në prag zgjedhjesh që do heqim referencat doganore, të pagave dhe çdo referencë tjetër, që realisht janë kthyer në bumerang të sipërmarrjes shqiptare. Kemi deri në detyrim të sipërmarrjes për të bërë dy palë bordero, dy palë bilance ,e stimuluar nga politika e referencave dhe kjo është gjëja më e shëmtuar që mund ti ndodhë një ekonomie dhe që sjell dëme te të ardhurat për buxhetin. Përgëzoj zotin Rama dhe zonjën Kodheli për mbështetjen e amnistisë fiskale si propozim të Dhomës së Tregtisë.Patrique Pascal, FIA (investitorët e huaj)