E Diel, 1 Nëntor 2026

Naço: Digat janë të sigurta, Blushi:Përmbytjet, se i mbajtët kuotat lart

Përmbytjet e fundvitit të shkuar dhe të këtij fillimviti në qarkun e Shkodrës nuk do ripërsëriten në rast se në vendin tonë nuk do të ndodhin të njëjtat fatkeqësi natyrore. Ka qenë ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, ai që ka siguruar dje deputetët e Komisionit të Sigurisë, para të cilëve raportoi për sigurinë e digave në vendin tonë, se nuk do të ketë përmbytje për shkak të keqmenaxhimit të situatës hidrike nëpër kaskadën e lumit Drin. Sipas Naços ministria që ai drejton dhe KESH garantojnë siguri të plotë të digave dhe zbatim të plotë të rregullores së tyre. “Ajo që unë garantoj është që sot si ministër i METE të jeni mëse të bindur se Rregullorja do të zbatohet siç është shkruar në vitin 1988 dhe i ka qëndruar edhe kohës. Jemi të bindur se do të zbatojmë vetëm atë rregullore dhe s’ka për të pasur përmbytje për shkak të keqmenaxhimit. Për pjesën politike janë marrë të gjitha masat të zbatohet kjo rregullore dhe çdo ditë informacioni jepet i saktë”, - tha Naço. Gjithashtu, nën insistimin edhe të deputetëve të majtë, Naço ka deklaruar se edhe përmbytjet e muajve të shkuar nuk ndodhën për shkak të keqmenaxhimit të situatës në kaskadë, por për shkak të kapriçove të natyrës. Por kjo ka hapur debat me përfaqësuesit e opozitës, të cilët kanë deklaruar se shkak për përmbytjet e ndodhura gjatë këtij viti dhe vitit të shkuar erdhën si rrjedhojë e dëshirës së qeverisë për të siguruar më shumë energji, duke mbajtur portat e hidrocentraleve të mbyllura edhe kur në vend binin reshje të mëdha. Dhe kjo me të vetmin qëllim që energjinë e prodhuar ta shisnin për të siguruar sa më shumë lekë për përballimin e krizës financiare. “Arsyeja kryesore e përmbytjeve në Shkodër dhe në zonat përreth ishte fakti që në atë periudhë, ndryshe nga ç’ka qenë traditë, janë mbajtur kuotat në nivele shumë të larta. I mbajtët shumë lart për të vetmen arsye për të shitur energjinë. Për të shitur energjinë. Nga informacionet që kam, nga eksporti i energjisë janë fituar 80-90 milionë euro atë vit. Nga nevoja për të mbushur gropat e buxhetit të shtetit, janë mbajtur të larta për të shitur energji si i vetmi produkt që mund të shesë sot për të balancuar buxhetin e shtetit. Kjo është arsyeja, mbajta e kuotave më të larta se zakonisht dhe është njëlloj si dikush që thotë po të shesë ujë mbush vaskën, në një moment ato shpërthejnë edhe përmbysin gjithë shtëpinë. Kjo ndodhi edhe në Shkodër”, - tha deputeti socialist Ben Blushi dje në komisionin e Sigurisë. Sipas tij, kjo nuk solli fitim, pasi paratë e marra nga shitja e energjisë ishin më të vogla sesa ishte dëmi që u shkaktua nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës. Nga ana e tij ministri Naço, duke qenë i sigurt në zbatimin e ligjit dhe të rregullores së digave, është shprehur i gatshëm që të pranojë një hetim parlamentar për këtë çështje, në rast se opozita do ta konsideronte të arsyeshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›