E Diel, 1 Nëntor 2026

Asambleja e re, PS numëron 70 për qind të votave

Sot Partia Socialiste pritet t’i japë fund procesit të numërimit të votave të delegatëve për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Asamblesë Kombëtare. Burime pranë selisë rozë që kanë ndjekur nga afër procesin e numërimit të votave, kanë bërë të ditur se deri dje në darkë ishte realizuar numërimi i vetëm 70 për qind të fletëve të votimit. Me këtë ritëm bëhet e ditur se ky proces mund të përfundojë gjatë ditës së sotme, kur edhe pritet që të publikohet lista e fituesve. Procesi i numërimit të votave ka nisur në prani edhe të kamerave të medias të hënën në mesditë, pasi të dielën, për shkak të festës së Kurban Bajramit nuk u numërua. Për këtë janë ngritur tri grupe pune me nga shtatë anëtarë secili, dhe siç raportohet nga komisioni i ngritur, numërimi vazhdon intensivisht në katin e dytë në selinë e PS-së, aty ku zakonisht i zhvillon punimet kryesia dhe grupi parlamentar. Por për shkak të specifikës së fletës së votimit dhe numrit të madh të kandidatëve që konkurruan, numërimi i votave rezulton të jetë tepër i vështirë, çka sjell për rrjedhojë dhe një zgjatje për disa ditë të nxjerrjes së rezultatit. Për Asamblenë Kombëtare votuan rreth 1400 delegatë, të cilët duhet të zgjidhnin 120 anëtarët e rinj të Asamblesë, nga të cilët 40 vepra dhe 80 meshkuj. Ndërkohë që fleta e votimit ka një numër më të madh kandidatësh rreth 180, nga të cilët 59 femra dhe 120 meshkuj. Në listën e kandidatëve bien në sy një sërë figurash që deri më tani ishin mënjanuar nga lidershipi politik i PS-së, si Musa Ulqini, Bukurosh Stafa, Natasha Paço etj. Pjesë e saj janë bërë dhe një sërë figurash të tjera të paangazhuara më parë në forumet partiake socialiste, si ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku, ish-kreu i Doganave, Petrit Ago etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›