E Diel, 1 Nëntor 2026

Naco: Ligj të ri për minierat, s’ka më licensa pa bazë

TIRANË- Sektori minerar në vend pritet ti nënshtrohet një ligji të ri që parashikon së pari, norma të forta shtrënguese për këdo që kërkon të shfrytëzojë rezervat minerare në territorin shqiptar. Në prezantimin e pr/draftit ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës Nasip Naco lajmëroi ndryshime dhe plotësime në ligjin ekzistues, për një sërë sektorësh të industrisë minerare, duke nisur nga kushtet e punës si edhe siguria që ofrojnë minierat shqiptare.

“Ka ardhur koha që nuk do të jepen më leje me një kazëm, një lopatë, 5 punëtorë dhe një galeri. Kjo kohë ka mbaruar njëherë e mirë. Ligji i ri i’u thotë të gjithve që ka një bazë të re ligjore”, tha Naco.

Sipas ministrit ligji i ri pritet të sjellë impakt në krijimin e një klime favorizuese për investitorët e huaj. Si dhe të sigurojë mes operatorëve konkurencë të ndershme në treg.
“Procedurat konkuruese në dhënien e të drejtave minerare, koncepti i garancisë financiare për investimin dhe rehabilitimin e mjedisit kërkojnë të realizojmë një tërheqje sa më të madh të investitorëve seriozë dhe efektivë si edhe eleminimin e shumë fenomeneve negative që kanë rezultuar në investime jo efektive”, shtoi Naco.

Sektori minerar në vendin tonë ka kaluar përmes një tranzicioni të gjatë dhe me shumë problematika serioze. Në vend sot ushtrojnë aktivitetin minerar rreth 800 subjekte, me afërsisht 7 mijë të punësuar, me një rendiment vjetor 6 milionë ton minerale.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›