E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta, abuzimi me uljen e re të çmimeve në treg

Çmimi i naftës, edhe pas uljes me gati 7 lekë për litër, sërish është abuzues për konsumatorët. 

tirane

Një llogari e thjeshtë tregon se tregtarët shqiptarë vazhdojnë të fitojnë më shumë se 10 për qind mbi tregjet botërore, edhe pas uljes së çmimit. Llogaria tregon se çmimi duhet të ulej të paktën 20 lekë, që t'i korrespondonte uljes në bursat ndërkombëtare. Sigurisht, tani i ngel financave të vjelin 10 për qind më shumë tatim-fitimi nga kompanitë. Në të kundërt, ky abuzim paguhet nga konsumatorët dhe nuk i kthehet atyre nga taksat që vjel shteti.
Llogaritja e ndryshimit të çmimit është shumë e thjeshtë. Rreth 1 muaj më parë, kriza e naftës arriti të rrisë çmimet deri në 145 dollarë për fuçi. Kjo përkoi me rritjen e çmimeve në Tiranë deri në 172 lekë/litër. Në atë kohë kursi i këmbimit të lekut me dollarin ishte 76 lekë për një USD. Çmimi në bursat ndërkombëtare ka më shumë se një javë që është ulur në kuotën e 120 USD/fuçi. Pra, është ulur me rreth 15 për qind. Normalisht, ashtu siç nxitojnë tregtarët të rrisin çmimin sapo rritet në bursa, edhe ulja duhet të ndodhte menjëherë. Por tregtarët reaguan pas shumë ditësh dhe dje çmimi ishte 165 lekë/litër. Ulja e ndodhur dje, prej 7 lekësh, është e barabartë me rreth 5 për qind. Pra, në tregjet ndërkombëtare nafta u ul me 15 për qind, ndërsa në Shqipëri, megjithëse me shumë vonesë është ulur me 5 për qind. Kjo llogari, duke i shtuar edhe efektin e kursit të këmbimit të dollarit që është rritur me 2 lekë, nga 76 në 78 lekë/USD. Pra, në rast se tregtarët e naftës i referohen bursave, çmimi duhet të ulet me 3-fishin e aktualit, ose mesatarisht me 21 lekë. Sot një litër naftë në tregun vendas duhet të shitej me 152 ose 151 lekë/litër. Dhe tregtarët do të ruanin të njëjtën normë fitimi si disa javë më parë. Por e kundërta ka ndodhur, në botë çmimi është ulur me 15 për qind, ndërsa në Shqipëri vetëm me 5 për qind. Diferenca duhet të jetë fitim i maksimizuar i tregtarëve. Rritja e fitimeve në një ekonomi tregu është normale. Por duhet të jenë financat që edhe këtë rritje ta taksojnë. Në rast se tregtarët fitojnë 10 për qind më shumë, edhe të ardhurat nga tatimet duhet të jenë 10 për qind më të larta. Ky hap duhet konfirmuar në bilancin e ardhshëm të financave.

llogaritja

Ishte
Çmimi i naftës në bursa        145 USD/fuçi
Kursi i këmbimit            76 lekë/USD
Çmimi i naftës (në lekë)        11020 lekë/fuçi
Çmimi i naftës në treg        172 lekë/litër

Eshtë
Çmimi i naftës (në USD)    120 USD/fuçi
Kursi i këmbimit            78 lekë/USD
Çmimi i naftës (në lekë)        9360 lekë/fuçi
Çmimi i naftës në treg        165 lekë/litër

Ndryshimet
Çmimi i naftës në bursa
(llogaria në lekë)
            Eshtë ulur me 15 për qind

Çmimi i naftës në treg
            Eshtë ulur me 5 për qind

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›