E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis thatësira, Fierza në nivele të ulëta, KESH: Po rrisim importin

KESH ka lajmëruar një situatë jo të mirë energjetike që në muajin gusht. Në një prononcim për mediat, drejtori i prodhimit, Stojku, theksoi se niveli i Fierzës është nën parashikime dhe prurjet janë gati sa gjysma e një viti më parë. 

 Në këtë mënyrë, KESH duket se ka njoftuar publikun për vështirësitë e tij, edhe pse Stojku nënvizoi se do të bëhen të gjithë përpjekjet për një furnizim normal me energji. Prurjet e ujit në kaskadën e lumit Drin janë përgjysmuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Niveli i Fierzës ka arritur në 283.6 metra, me një rënie prej 16 centimetra në ditë. Sipas të dhënave, pritet që KESH të rrisë importet dhe të marrë sërish energjinë e dhënë borxh nga Kosova. Nga ana tjetër, po rriten edhe importet dhe shkëmbimet e energjisë me Greqinë. "Ne po përballemi sërish me një thatësirë, ose me një mosprurje të trashëguar. Këto prurje sot janë rreth 50 për qind më të ulëta se parashikimi. D.m.th nëse prurjet mesatare të vitit të kaluar ishin 64 metra kub në sekondë në liqenin e Fierzës, sot janë 34 metër kub. Parashikojmë një rrezik nga thatësira, por ne kemi marrë masat që çdo thatësirë që të vijë me rezervën që kemi dhe me kontratat që kemi, do të sigurohet furnizimi", theksoi Muharrem Stojku, drejtori i Divizionit të Prodhimit në KESH. Sipas të dhënave, në kaskadën e Drinit janë depozituar rreth 930 milionë kilovat/orë në formën e rezervës. Nga ana tjetër, në Kosovë janë depozituar rreth 180 milionë kilovat/orë të tjera, të cilat po thithen gjatë këtyre ditëve. Aktualisht në të gjithë vendin konsumohet rreth 16 milionë kilovat/orë energji, nga të cilat rreth 10 milionë prodhohet nga hidrocentralet e vendit, ndërsa pjesa tjetër importohet. Situata energjetike e treguar nga KESH është alarmante porsa i përket rezervave vendase. Rritja e importit gjatë ditëve të ardhshme, sigurisht që ka një kosto financiare. FMN dhe Banka Botërore e kanë kritikuar KESH-in për norma të ulëta arkëtimesh dhe humbje në rrjet. Rritja e importeve me çmime të larta do të sjellë rëndimin e situatës ekonomike të kompanisë. Kjo sigurisht që do të ndikojë në ekonomi dhe do të rrezikojë ndoshta edhe premtimin për drita 24 orë. Kufizimet e energjisë gjatë këtyre ditëve tregojnë qartë se situata nuk është e mirë.

Të dhëna në Fierzë
Niveli        283.6 metra
Rënia        16 cm/ditë
Prurjet        Ishin 64 m3/sek   
        Janë 34 m3/sek
Rezerva    930 milionë KWH
Konsumi     16 milionë KWH/ditë
Prodhimi    10 milionë KWH/ditë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›