E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta dhe terrorizmi

Ripërtëritja e dhunës në provincat veriore të Nigerisë po e lëviz këtë shtet prodhues të naftës drejt "talebanizimit", duke e kërcënuar jo vetëm përbërjen e vështirë etnike dhe religjioze të këtij shteti me popullatën më të madhe në Afrikë, por po e kërcënon gjithë rajonin, duke filluar nga Çadi deri në Senegal. Luftimet mes të ashtuquajturve "talebanë të Nigerisë" dhe forcave të qeverisë u zhvilluan brenda kufijve të shtetit, i cili gjendet vetëm 600 kilometra larg nga vendi, ku Presidenti Barak Obama qëndroi brenda Parlamentit të Ganës, për t‘iu adresuar "problemeve" të Afrikës.

Për fat të keq, në fjalimin e tij, Presidenti Obama nuk përmendi fjalët talebanë, xhihadistë, sheriat, salafistë apo ndonjë fjalë tjetër, duke lënë të kuptojë se Nigeria dhe 10 shtetet e tjera të Afrikës po vuajnë nga një invadim i vërtetë, i nxitur nga ideologjia totalitare. Ishte ky një dështim, i cili u kthye që të ndjekë bashkësinë ndërkombëtare, pas publikimit të pamjeve dramatike të gjakderdhjes nga ana e agjencive të lajmeve. Thënë shkurt, Nigeria është në luftë kundër kryengritësve islamikë, siç janë edhe Somalia, Algjeria, Maroku, Mali dhe Çadi. Por islamikët në Nigeri janë shumë më të ashpër. Kjo lë të kuptojë se ne, jo vetëm që nuk i kemi kushtuar vëmendjen e duhur zgjerimit të ideologjisë vahabite në Afrikën Subsahariane, por kjo projekton edhe atë se ku do të godasin valët e ardhshme të "talebanëve afrikanë". Sipas ekspertëve të rajonit, përhapja e salafizmit në Nigeri është rezultat i transaksioneve të papërgjegjshme financiare nga ana e shteteve të pasura me naftë në Gadishullin e Arabisë. Nigeria, si një shtet gjysmëmysliman, nuk është kursyer nga përhapja e kësaj ideologjie. Ky vend prodhues i naftës ka 140 milionë banorë, pra ka popullatën më të madhe në kontinent. Grupi etnik hausa përbën komunitetin më të madh në veriun mysliman të Nigerisë; jarubat janë komuniteti më i madh në jugperëndim, ndërsa të krishterët nga radhët e komunitetit ibo janë të përqendruar në provincën juglindore, Biafra. Në vitin 1968, gjatë luftës gjenocidale e civile, u vranë më shumë se një milion ibo, të cilët po kërkonin të drejtën për vetëvendosje. Pas viteve të tëra të regjimit ushtarak, pushteti civil u rivendos në vitin 1998; por si pasojë e përleshjeve mes myslimanëve dhe të krishterëve janë vrarë mbi 9 mijë persona, duke përfshirë këtu 700, të cilët u vranë gjatë përleshjeve në nëntor të vitit të kaluar. Incidentet e fundit u iniciuan nga elemente xhihadistë, pikërisht në momentin kur pushteti është ndarë mes forcave të moderuara të krishtera dhe myslimane. Në vitin 2007, Presidenti mysliman, Umar Jarado, zëvendësoi në funksionin e Presidentit paraardhësin e tij të krishterë, Olesegun Obasanjo. Në vitin 2002, në sipërfaqe doli një rrjet i indoktrinuar nga vahabitët, i njohur me emrin Boku Haram, e që në gjuhën lokale do të thotë "Edukimi perëndimor është i ndaluar". Boku Haram dëshiron të vendosë ligjin islamik në tërë territorin e Nigerisë, përkundër faktit se gjysma e popullatës në këtë vend është e krishterë. Shefi i tyre, Mohammed Yussuf, është vrarë gjatë përleshjeve të fundit. Ai ka theksuar se lufta e shenjtë në Nigeri është e drejtuar kundër korrupsionit dhe se zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për të ngulitur ligjin islamik. Por grupet proqeveritare myslimane, siç është grupi Nasër El Islam, e cilësuan atë si "ekstremist".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›