E Shtunë, 31 Tetor 2026

RIKANDIDIMI I EDI RAMES ëSHTë UZURPIM

Demokracia dhe shumicat e saj nuk punojnë gjithnjë për demokracinë. Në kushte të caktuara, ato prodhojnë të kundërtën e demokracisë. Dhe kështu duket se do të ndodhë këtë herë me Partinë Socialiste. Para ditës fatale të 28 qershorit, me dorëheqje të kryetarit në rast humbjeje të zgjedhjeve, nënkuptohej që, në krye të partisë do të dilte një kryetar i ri. Nënkuptohej, pak a shumë, ajo që ndodhi, pasi Fatos Nano humbi zgjedhjet në vitin 2005. Aq më tepër, kur edhe vetë kryetari Edi Rama, kishte deklaruar se nuk ishte nga ata liderë të tipit të vjetër që nuk largohen.

Ka pasur një ndjesi të përbashkët për këtë problem (edhe pse për motive të ndryshme) dhe prandaj nuk ka pasur as edhe debat. Ky i fundit ka lindur vetëm tani, pas një humbjeje që shumëkush nuk e mendonte (aq më tepër mbështetësit e Ramës) dhe kur "kryetari" refuzon të vuajë ndershmërisht dhe dobishmërisht, për PS dhe demokracinë, pasojat e një disfate që vetë e ka sjellë. Vetëm sot mbështetësit e Ramës kanë nisur të formulojnë lloj-lloj "arsyesh" se përse Rama nuk duhet të largohet ashtu sikundër thotë Statuti i PS madje, të "argumentojnë" se përse Rama qenka bërë i pazëvendësueshëm për Partinë Socialiste.

Kuptohet që larg se kemi të bëjmë me një rezistencë të një klani të grupuar rreth Ramës në PS. Por e keqja shtrihet edhe më gjerë. Duket se rikandidimi i Ramës dhe mbetja e tij në krye të PS mbështetet edhe nga një shumicë në bazën e partisë. Kjo është dhe arsyeja që Rama dhe mbështetësit e tij po i drejtohen "demokracisë" duke folur për rikandidim dhe rizgjedhje të Ramës. Sipas një skeme tmerrësisht të vjetër dhe me një theks bolshevik të huazuar nga PPSH, por edhe nga berishizmi, nga "baza" po mbërrijnë mesazhe në mbështetje të kryetarit humbës.

"Populli socialist" po kërkon rikandidimin e tij. Por a është meritokratike, dhe prandaj edhe vërtet demokratike, të rizgjedhësh në krye të partisë atë që është kryepërgjegjës për disfatën e saj? Një defekt, një diçka që nuk funksionon si duhet në zembrekun e saj, do ta detyronte demokracinë të shpërblente dhe të mos ndëshkonte liderin humbës. Prandaj edhe procedura krejtësisht demokratike edhe vullnete krejt të lira në shumicë pro Ramës, nuk mund të fshehin dot natyrën uzurpuese të një procesi që do ta ringrinte atë në krye të PS. Sepse të marrësh një pushtet që nuk të takon, është uzurpim. Edhe kur ta fal shumica. Prandaj edhe në rastin e Ramës, "demokracia" dhe vullneti i shumicës, nuk do të mund të maskojnë dot uzurpatorin.

***

Nuk do të jetë e para herë dhe as e fundit, që nga procedura demokratike nuk mbijnë frute demokratike. Sa herë që shumicat të marrin vendime që nuk përputhen me të drejtën dhe meritën, ato vendime nuk do t‘i shërbejnë demokracisë edhe po të merren në rrugë demokratike. Enver Hoxha ka bërë mbi 40 vjet zgjedhje të forumeve dhe lidershipeve në parti, por askush nuk beson se Enver Hoxha e mbajti me të drejtë për gjithë jetën postin e kryetarit të partisë dhe të shtetit. Edhe Sali Berisha ka 20 vjet që organizon zgjedhje në PD, por është e vështirë të besosh se është e drejtë që ai të mbetet pafundësisht kryetar, President, Kryeministër. Por edhe Enver Hoxha edhe Sali Berisha përherë kanë gjetur "argument" të pozicionit të tyre afatgjatë në krye të partisë dhe shtetit te demokracia, te baza, te vullneti i popullit! Njerëzit më votojnë - thotë lart e poshtë Berisha. Dhe askush nuk duhet të dyshojë që në PD, Berisha votohet 99,99 për qind. Por a do të thotë kjo se atje ku formësohen shumica ka edhe demokraci? Atje ka demokraci, por jo në kuptimin perëndimor.

Atje ka demokraci bolshevike dhe jo demokraci liberale. Në demokracinë bolshevike shumica është gjithçka ndërsa në demokracinë liberale përveç shumicës një rol të rëndësishëm luan edhe e drejta, pra edhe meritokracia. Demokracia bolshevike zgjedh, demokracia liberale përzgjedh. Në demokracitë bolshevike ose patriarkale, kreu i fisit politik ka gjithmonë të drejtë. Edhe kur pëson disfatë. Prandaj mbetet gjithnjë në krye. Edhe pas disfate ai ka shumicën me vete që e voton "demokratikisht" dhe e mbron nga konkurrenca. Në demokracinë bolshevike, votimet (zgjedhjet) shërbejnë për të maskuar mungesën e përzgjedhjes, demokracia për të fshehur mungesën e demokracisë. Në demokracinë liberale (perëndimore) shumica nuk ka përherë të drejtë dhe prandaj ajo, demokracia liberale, ka krijuar disa institucione, disa parime dhe norma që shenjtërohen për t‘u bërë të paprekshme nga shumicat, nga demokracia, në mënyrë që të pengojnë keqpërdorimin demokratik të shumicës nga liderë si Berisha apo Rama.

***

Një ndër këto institucione kufizuese të vullnetit edhe të shumicës (që është në fakt pushtet) janë kushtetutat dhe, në rastin e një partie, statuti. Janë këto që përcaktojnë kohëzgjatjen apo ndërprerjen e mandatit të një lideri edhe pse shumica e bazës së partisë apo "populli", mund të dojë që ai të qëndrojë në krye për tërë jetën. Në statutin e PS është shkruar e zezë mbi të bardhë që mandati i kryetarit ndërpritet automatikisht në rast të humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Kjo ndërprerje nuk ka sesi të jetë thjesht sa për formë. Pra, fryma e statutit nuk është që kryetari, pasi ka humbur zgjedhjet, i fut një pushim në SHBA dhe pastaj kthehet dhe rimerr kreun e partisë në mënyrë demokratike!

Ndërprerja e mandatit nënkupton që lidershipi i atij kryetari është nuk është ai që i duhet më partisë. Sepse nëse do t‘i duhej edhe për më tej, përse duhej ndërprerë mandati? Ndërprerja e mandatit nuk është një lojë procedurale, por shprehje e mekanizmit të meritokracisë dhe konkurrencës. Është garancia se në parti ekziston tregu i hapur dhe i lirë politik. Kush humbet lëshon stafetën. Është një ndëshkim për humbjen në zgjedhje. Duan të thonë se zgjedhjet nuk janë humbur, por grabitur. Por në këtë rast, kryetari duhej të ishte në krye të protestave kundër dhunës së një pushteti grabitqar dhe jo në SHBA! Vota e lirë mbrohet në sheshet e Atdheut para se të shkohet në zyrat e diplomacive perëndimore. Dhe nëse vërtet votat janë grabitur, Edi Rama nuk ka mbajtur as premtimin që i dha shqiptarëve për mbrojtjen e votës.

Çdo analizë evidenton pa aftësinë e tij të shumanshme. Prandaj janë qesharake dhe të padenja pehlivanllëqet me "demokracinë" apo me të drejtën apo lirinë e Ramës për të kandiduar. Rikandidimi i Ramës nuk është e drejtë, sepse demokracia do të keqpërdorej që parimet dhe normat organizative të fiksuara në statutin e PS, të deformoheshin nga vullneti bolshevik i shumicës. Dhe nuk është aspak çudi (e kundërta do të qe çudi) që një lider të arrijë në pak vjet, të bëjë për vete shumicën e simpatizantëve të një partie. Aq më tepër në vende si Shqipëria ku mendësia patriarkale e lidh organikisht fatin e partisë me atë të liderit. Prandaj norma e statutit për ndërprerjen e mandatit, që nënkupton edhe moskandidimin e liderit, është një masë paraprake që partia të mos ndrydhet në morsën e dashurisë së verbër lider-masë. Historia e Shqipërisë dëshmon se nëse nuk vihen parakushte të tilla organizative, masa ka tendencë ta përjetësojë lidershipin e idhullit të saj. Enveri krijoi shumica absolute, Berisha krijoi shumica, Nano krijoi shumicën e vet dhe po ashtu edhe Rama. Prandaj jo gjithnjë demokracia patriarkale në partitë shqiptare, është një argument i vetëmjaftueshëm për drejtësinë dhe dobishmërinë e vendimeve që ajo prodhon. Përveç kësaj, historia dëshmon gjithashtu se "demokracia" dhe shumica mund edhe të vrasin demokracinë me duart e veta.

Rastet e Hitlerit, Çavezit apo Hamasit flasin shumë qartë. Kur statuti ia ndërpret mandatin një kryetari pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme, kjo do të thotë se i heq edhe të drejtën për të rikandiduar, i heq edhe mundësinë për të keqpërdorur "demokratikisht" simpatitë, mbështetjen e depozituar rreth tij, jo aq për atë që ai vetë përfaqëson si person, por mbi të gjitha për faktin që ai bëhet simbol i partisë dhe i pushteteve që rrjedhin prej saj. Jo rastësisht liderët bolshevikë, por edhe këta të sotmit, nxitojnë t‘i komentojnë kritikat ndaj tyre si kritika ndaj partisë. Por kushtetutat apo statutet në demokracinë liberale, nuk ndjekin thjesht logjikën e demokracisë bolshevike të shumicës për vazhdimësi pa fund të liderit, por logjikën e lirisë që i vë kufi lidershipit edhe në kohë. Ato ecin sipas konceptit të Xhorxh Uashingtonit sipas të cilit, një lider apo President duhet të largohet nga drejtimi pas disfatash. Madje, ai nuk mund të qëndrojë në krye për një kohë shumë të gjatë (mbi 10 vjet) edhe kur është shumë i suksesshëm. Në rastin e parë ai është i dëmshëm, sepse është i paaftë. Në rastin e dytë bëhet i dëmshëm, sepse është shumë i aftë. Kushtetutat dhe Statutet promovojnë epërsinë e qarkullimit mbi vazhdimësinë, epërsinë e partisë mbi liderin, e rrjedhës mbi kënetën, të institucionit mbi individin, të parimeve mbi vullnetet individuale apo të shumicës. Vullneti i shumicës është pushtet. Demokracia liberale e kufizon atë si të gjithë pushtetet e tjera.

***

Ata që duan të mbrojnë Ramën kanë nisur të nxjerrin lloj-lloj "teorish". Dikush thotë se vetëm Edi Rama është ai që mund t‘i bëjë ballë Berishës. Ky është mjerimi i besimit i katandisur në besëtytni dhe i degdisur në kufijtë e legjendës së Gjergj Elez Alisë së plagosur me 99 varre përballë bajlozit "blu". Dikush tjetër thotë se "liderët nuk përgatiten kollaj" në një kohë që kjo fushatë, tregoi se Edi Ramës i mungonte në përmasa alarmante ajo përgatitje që e bën të aftë një lider për ta udhëhequr partinë drejt fitores. Në fakt, Rama e dëshmoi se diti ta udhëheqë PS me kokëfortësi (sepse këshillat nuk i kanë munguar) drejt disfatës. Një tjetër më tej thotë se Rama duhet të lejohet ta çojë deri në fund misionin e tij dhe prandaj nuk mund të mos e kujtojmë në këtë moment, kontributin e Ramës (në bashkëpunim me Berishën) për të rithemeluar Republikën mbi baza kushtetuese autoritariste.

A duhen mbështetur misione të tilla antiliri? Dhe së fundi, vjen pohimi se Rama nuk ka humbur, por ka fituar Berisha! Optimisti që kënaqet me gjysmën e gotës plot është shumë më realist se ky optimizëm i shtirur që ngopet me gotën tërësisht bosh të 28 qershorit. Edhe për sa kohë do ushqejmë një tjetër alternativë autoritariste në Shqipëri me të tilla sofizma dhe avokatira banale? Sepse të gjitha janë dukshëm vokacione të një mendësie klanore dhe bolshevike që për interesa të vockla, është e interesuar për jetëgjatësimin e kultit të liderit dhe jo për rivitalizmin e një opozite që duhet të investohet liberalisht (madje liberatisht) për një alternativë politike vërtet të re, të ndryshme nga ajo e pushtetit. Të tilla vokacione janë shqiptuar edhe kur Berishës i ka ardhur radha të dorëhiqej nga kreu i PD pas disfatave. Madje nuk mund të mos kujtojmë se për të reklamuar PD si një parti të "tipit të ri" dhe "demokratike" përballë Partisë Komuniste të Punës (PPSH), në statutin e saj u fiksua (në ato fillime tranzicioni) se kryetari nuk mund të qëndronte më shumë se dy mandate.

Por më vonë, atëherë kur fasada "demokratike" u bë marka e rreme politike e PD, një klauzolë e tillë u hoq nga statuti. Produkti? Kulti mbytës dhe anti institucional i Berishës që ka krijuar kaq e kaq probleme për Shqipërinë, duke e mbajtur demokracinë sa për fasadë. Ajo që ka ndodhur në PS, pra shndërrimi i demokracisë në fasadë dhe maskë e kultit të kryetarit, nuk duhet lejuar të ndodhë në PS. Meritokracia dhe e drejta kërkojnë që Edi Rama të lerë kreun e PS. Ashtu si dje Fatos Nano. Prandaj vokacionet pro rikandidimit të Ramës edhe në qofshin shumicë, nuk do të mund të fshehin se rizgjedhja në krye të PS të një lideri humbës si Rama, do të jetë një uzurpim i kreut të partisë me anë të demokracisë bolshevike. Do të jetë një dhunim i "Kushtetutës" dhe frymës së partisë. Do të jetë edhe sinjali i alarmit se pas 20 vjetësh distancimi (paska qenë hipokrit?) nga bolshevizmi, PS po i rikthehet atij dhe autoritarizmit "demokratikisht" dhe nën emblemën e "politikës së re". Ashtu sikundër pas sundimit fashist, Shqipëria iu kthye diktaturës nën emblemën e "Shqipërisë së Re".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›