E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Hetim të zgjedhjeve, ndryshe bojkot

Fletët e votimit, kusht i opozitës. Klosi: Vendi, ende në udhëkryq

Rezoluta e Parlamentit Europian aktualizohet si kusht politik i Partisë Socialiste, duke nisur që nga kreu i saj, Edi Rama, e deri te sekretari organizativ, Blendi Klosi. Për tri ditë rresht selia rozë ka përsëritur kërkesën e saj për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit me shumicë dhe nën drejtimin e saj. Me një gjuhë të fortë dhe paralajmëruese, Klosi ka bërë të ditur se një refuzim eventual nga ana e shumicës për këtë kërkesë, që tanimë i njihet opozitës edhe nga PE, do të sillte atë që ai e cilësoi si “fundi i bashkëjetesës demokratike me këtë Parlament dhe qeveri”. “Sot i bëjmë thirrje Sali Berishës që ta harrojë frikën e tij nga transparenca, sado e vështirë qoftë kjo, të lexojë edhe njëherë rezolutën dhe të angazhohet paskëtaj seriozisht për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë që i ngarkon kjo rezolutë. Të pranojë ngritjen e komisionit të ri hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.

Të pranojë që opozita të ketë shumicën në këtë komision.
Të pranojë që ky komision të drejtohet nga opozita dhe që ky komision të ketë mandatin për hetimin e materialeve zgjedhore në funksion të transparencën së zgjedhjeve të 28 qershorit”, deklaroi Klosi. Në listimin e kërkesave të tij, sekretari organizativ i selisë rozë, e ka lënë në fund atë që përbën themelin e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit të kërkuar deri më tani me ngulm, djegien ose jo të fletëve të votimit. Gjithsesi prej këtij kushti zbulohet edhe premisa negociuese e PS-së në zgjidhjen e një krize, e cila nëse u jep drejtim pretendimeve të saj mund të sigurojë një sukses politik domethënës. “Të harrojë djegien e fletëve të votimit dhe çdo lloj diversioni, pengese, makinacioni e përpjekje për të penguar punën e këtij komisioni, sepse kjo do të shënonte ndarjen përfundimtare me këtë Parlament e me këtë qeveri”, deklaroi Klosi. Kuptimi praktik i ndarjes së cilësuar nga sekretari organizativ socialist duket se i referohet bojkotit dhe kalimi përfundimtar të politikës opozitare drejt rrugës në kërkim të një zgjidhjeje politike dhe elektorale të situatës. Arsye të besueshme për këtë evolucion të mundshëm të krizës politike e jep fakti se pretendimet e selisë rozë, që së fundmi legjitimohen në përmbajtjen e rezolutës së PE-së, jo vetëm riprodhojnë apelin e pas 28 qershorit, por në kuadër të përpjekjeve opozitare përcaktohen si konkluzion politik. Kështu, lufta e organizuar nga Partia Socialiste për gati 1 vit ka arritur të shkëpusë një qëndrim zyrtar të PE-së, i cili në dokumentin e fundit shprehimisht kërkon hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Përndryshe, apeli i Strasburgut përbën deri diku një autokritikë për përgjegjësitë e monitorimit elektoral të realizuar nga OSBE-ODIHR, ku aderojnë vende që janë vendimmarrëse në PE. Kontekstualizimi i krizës shqiptare si pjesë kushtëzuese e procesit të integrimit, është kthyer në mjetin e opozitës, e cila zotëron një mjet të fortë presioni ndaj shumicës në pushtet. “Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq, nga ku varet jo vetëm fati i integrimit të vendit, por edhe fatet e bashkëjetesës sonë demokratike. Shqipëria ndodhet sot në një krizë të thellë të deklaruar jo vetëm nga opozita, por edhe nga shumica dërrmuese e eurodeputetëve, të majtë e të djathtë... Sot këtë rol e përgjegjësi të Sali Berishës e njeh edhe Parlamenti Europian, i cili me një rezolutë të miratuar në mënyrë gati konsensuale, me votën e të majtëve dhe të djathtëve, i dha Sali Berishës rrugëdaljen nga kriza: lejimin e transparencës së plotë të zgjedhjeve”, u shpreh lidhur me këtë sekretari organizativ, Blendi Klosi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›