E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta, humbim 150 mln euro

Nga Genc Kondi 

Me bekimin e shtetit apo si p sojë e paaftësisë së institucioneve të tij, shqiptarëve iu "grabiten" pa dhunë rreth 150 milionë euro në vit në tregun e shtrembëruar të karburanteve nga kompanitë grosiste dhe shitësit e pakicës. Në këtë konkluzion kanë arritur ekspertët e bizneseve, të cilët madje, kanë llogaritur edhe me hollësi dëmin e shkaktuar ndaj ekonomisë dhe personave privatë nga qëndrime të tilla.
Vlerësimi
Përfundimet kryesore të vlerësimit të përgjithshëm për kostot shtesë të tregtimit të karburanteve në Shqipëri, bazuar në të dhënat e mbledhura nga Konfindustria në muajt shtator-dhjetor 2008, tregojnë se kostot e plota nga abuzimi me cilësinë dhe abuzimi me vëllimin e matjen, arrin të paktën në 120 milionë euro në vit. Ndërkohë, llogariten afërsisht 30 milionë euro të tjera, të paguara nga konsumatorët për operatorët e karburanteve dhe të ardhura fiskale shtesë buxhetore në periudhën shtator-dhjetor 2008, si pasojë e mungesës së elasticitetit të çmimeve të tregut në Shqipëri. Kështu, kostoja e përgjithshme përkatëse është mbi 150 milionë euro në vit.
Struktura
Kostot shtesë, sipas peshës së tyre në abuzimin e përgjithshëm me karburantet, janë kostoja shtesë nga cilësia jashtë standardit e karburanteve (20%), kostoja minimale shtesë nga lëvizjet e çmimit, që vetëm në periudhën 3-mujore shtator-nëntor 2008 rezulton 13%. Rreth 5% llogaritet, ndërkohë, kostoja minimale nga abuzimet në matje të vëllimeve të shitura në pajisjet e pikave të pakicës së rrjetit të distributoreve. Në këtë pikë, theksojnë ekspertët e Konfindustrisë, vlen të vihet në dukje se 70% e rrjetit të distributorëve të pakicës kontrollohet direkt dhe indirekt nga tregtarët e shumicës.
Po kështu, kosto shtesë paraqesin dëmtimi i makinave nga cilësia e dobët e karburantit, pagesa e pamerituar për institucionet buxhetore të linjës për shërbime të pakryera, pa përmendur më tej koston shëndetësore dhe atë mjedisore. Të gjitha të dhënat e fundit nuk mund të llogariten me një studim të thjeshtë. Ato kërkojnë ndërmarrjen e studimeve të thelluara të institucioneve shtetërore, për të nxjerrë vlerën e plotë të dëmit të pësuar nga keqfunksionimi tërësor i tregut të karburanteve, theksojnë ata.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›