E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, pranga autorit të vrasjes së biznesmenit

Arrestohet autori i vrasjes së biznesmenit shkodran në fushën e ndërtimeve Arben Bitani. Sot në mëngjes policia vuri në pranga 37 vjecarin Afrim Rraboshta i cili ishte fshehur në një shtëpi në Bushat të Shkodrës. Vrasja, ndodhi pas një sherri për borxhe. 

SHKODER- Brenda 24 orësh nga vrasja e biznesmenit të njohur në fushën e ndërtimeve në Shkodër, Arben Bitani policia e këtij qyteti verior arrestoi të dyshuarin si autor. Sipas të dhënave të policisë autori Afrim Rraboshta u arrestua sot në mëngjes në fshatin Bushat, jo larg qytetit të Shkodrës ku besohet se ishte fshehur menjëherë pas kryerjes së krimit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 17: 00 të ditës së djeshme kur policia e Shkodrës gjeti të vrarë brenda në makinën e tij, biznesmeni Arben Bitani. Banorë të fshatit Barbullush të Shkodrës kishin sinjalizuar policinë për ngjarjen. Ata dëshmuan në policia se kishin gjetur makinën tip "Benz Rexhina" me targa SH 3577E, të ndezur në anë të rrugës, dhe me njërën derë të hapur. Brenda në mjet (në sediljen e shoferit), ndodhej trupi i pajetë i 45-vjeçarit, lindur në Barbullush e banues në qytetin e Shkodrës. Pas veprimeve të para hetimore efektivat blu të Shkodrës, konkluduan se biznesmeni në fushën e ndërtimeve është vrarë nga 37 vjecar Afrim Rraboshta. Mësohet se viktima dhe 37-vjeçari ishin së bashku në lokalin e vëllezërve të këtij të fundit, që ndodhet në qendër të fshatit Barbullush. Ata janë grindur për borxhet. Sipas policisë, Afrim Rraboshta i kishte një shumë parash borxh Arben Bitanit. Hetuesit e çështjes pohojnë se biznesmeni i kishte caktuar disa ditë afat Rraboshtës, por ky nuk ia kishte kthyer paratë. Nga ana tjetër, të afërm të Rraboshtës pretendojnë se ishte Bitani ai që i kishte para borxh Afrimit. Pasi ka bërë sherr në lokalin e vëllezërve Rraboshta, Arben Bitani së bashku me autorin janë nisur për në drejtim të qytetit të Shkodrës, të hipur në të njëjtën makinë. Mesa duket, viktima (ndërtues pallatesh në Shkodër) dhe Rraboshta kanë vazhduar debatet në makinë, dhe sherri ka degjeneruar në vrasje. Menjëherë policia ngriti postblloqe në të gjitha rrugët nacionale për të mundësuar arrestimin e 37-vjeçarit Afrim Rraboshta. Operacioni i policisë së Shkodrës përfundoi me sukses sot në mëngjes, me arrestimin e autorit.
(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›