E Diel, 1 Nëntor 2026

Të përndjekurit, sot ligji i dëmshpërblimeve në gjykatë

Sot Gjykata Kushtetuese merr në shqyrtim kërkesën e të persekutuarve politikë për të shfuqizuar ligjin e dëmshpërblimeve.Kërkohet kompensim për 4 mijë të pushkatuarit para 1944. 

TIRANE- Sot Gjykata Kushtetuese merr në shqyrtim kërkesën e të persekutuarve politikë për të shfuqizuar ligjin e dëmshpërblimeve, miratuar plot një vit më parë. Kërkesa e tyre u motivua pranë kësaj gjykate, që ligji është i papajtueshëm me Kushtetutën sepse shkel të drejtat e njeriut, nuk është në përputhje me asnjë dokument ndërkombëtar e kryesisht me rezolutën e Asamblesë së Këshillit të Europës. Ligji në fjalë nuk u jep të drejtën e dëmshpërblimit rreth 4 mijë qytetarëve shqiptarë që u vranë pa gjyq para vitit 1944. Shoqatat e të persekutuarve kërkojnë që edhe të vrarët nga komunistët e para kësaj date, pra të periudhës 1943-1944, të konsiderohen si pjesë e shtresës së tyre, të cilët duhet të marrin dëmshpërblim. Por në dokumentacionin që ish-të përndjekurit dhe persekutuarit politikë duhet të dorëzojnë në Ministrinë e Drejtësisë, është edhe data e dhënies së llojit të dënimit. Ndërkohë që këta të pushkatuar gjatë luftës për çlirim, nuk kanë asnjë lloj vendimi gjykate, pasi janë vrarë si “armiq të popullit”. Shoqatat që kanë dorëzuar kërkesën e tyre pranë Gjykatës Kushtetuese, kanë shpjeguar se më parë, pra në 1996 kjo kategori personash, të vrarët para 1944, janë konsideruar si pjesë e shtresës së ish –të përndjekurve politikë dhe kanë marrë status nga një komision. Komisioni ka qenë trepalësh, ku kanë marrë pjesë shoqatat e kësaj shtrese dhe vetë qeveria. Në kërkesat që shoqatat e ndryshme të ish-të persekutuarve i kanë bërë qeverisë, kanë theksuar se këta 4 mijë qytetarë të pushkatuar, pra pasardhësve e tyre në pamundësi reale për të gjetur dokumentet e dënimit, t’u njihet nga institucionet zyrtare pikërisht statusi i dhënë nga komisioni trepalësh. Por kjo gjë nuk është marrë parasysh dhe pasardhësit e 4 mijë të pushkatuarve nuk do të marrin asnjë shpërblim me ligjin e miratuar vitin e kaluar. Ata e kanë kundërshtuar komisionin e ngritur pranë Ministrisë së Drejtësisë, i cili nuk ka asnjë përfaqësues shoqatash, komision që u jep të drejtën ose jo të marrjes së dëmshpërblimit. Një kërkesë tjetër e kësaj shtrese drejtuar Kushtetueses është ankimimi për masën e dëmshpërblimit për ditë burgu. Sipas ligjit aktual, masa e dëmshpërblimit për të pushkatuarit është llogaritur sa tetë vjet burg, ndërkohë që çdo ditë burg është llogaritur në masën e 2 mijë lekëve të reja. Ky përcaktim gjykohet nga pala paditëse si antikushtetues, pasi nuk bën një vlerësim të jetës së njeriut pa pasur asnjë referencë ligjore. Për këtë qëllim të dënuarit politikë kërkojnë që masa e dëmshpërblimit për jetën e një të pushkatuari të jetë e barabartë me dëmshpërblimin e 25 viteve burg, si një masë dënimi e përafërt me dënimin kapital. Është ankimuar edhe e drejta e përfitimit të dëmshpërblimit nga ana e pasardhësve, pra trashëgimtarëve. Me ligjin e 2007-ës përfitojnë vetëm fëmijët dhe gruaja, pra brezi i parë dhe jo breza të tjerë.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›