Politika e jashtme e SHBA-së po angazhon gjithë botën
Që nga sanksionet më të ashpra ndaj Koresë së Veriut te strategjia që synon eliminimin e armëve bërthamore. Këto janë disa nga çështjet për të cilat ka folur dje në një intervistë të gjatë për median ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice. Ndër të tjera, ajo u shpreh se Presidenti Obama premtoi fillimisht se do të bashkëpunonte me vendet e ndryshme të botës dhe kjo strategji kishte nisur që të jepte frytet e saj. Thuajse një vit pas emërimit si kryediplomate në OKB, në intervistën për "Associated Press", Rice pranoi faktin se sfidat që janë përpara janë shumë të mëdha edhe pse përditë ka fakte të ndryshimit të qëndrimit ndaj Amerikës. Kanë qenë të shumtë vendet që e ndien se administrata e kaluar amerikane nuk kishte në themel të qëndrimit të saj bashkëpunimin me vendet e tjera dhe ka pasur ankesa të vazhdueshme se pushteti i SHBA-së, si vendi më i pasur i botës dhe më i fuqishmi ishte i disproporcionuar. Në shtator, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Obama, deklaroi para liderëve të shumë vendeve të ndryshme të botës për erën e re të bashkëpunimit mes vendeve bazuar në interesin dhe respektin reciprok. Ai i sfidoi 191 liderët që merrnin pjesë në këtë seancë që të ndanin të gjithë së bashku barrën e problemeve dhe sfidave botërore duke u thënë se Amerika e vetme nuk mund të zgjidhte çdo problem. Rice, që ka qenë këshilltarja kryesore e Obamës për çështjet e politikës së jashtme gjatë periudhës së fushatës elektorale, tha se Kombet e Bashkuara kanë detyrë që të zbatojnë këtë objektiv të politikës së jashtme. Sipas saj ishte sukses vota e Këshillit të Sigurimit në korrik kundër Koresë së Veriut. Koreja e Veriut e ndjeu presionin e përbashkët të të gjitha vendeve dhe kjo ishte një shenjë e mirë dhe nga ana tjetër ky qëndrim e ka bërë që të reflektojë. Ambasadorja nënvizoi edhe drejtimin e që Obama i bëri Këshillit të Sigurimit në një seancë në shtator, që ishte hera e parë për një President amerikan, kur ai miratoi një rezolutë të mbështetur nga SHBA që kishte qëllimin e përkrahjes së ndalimit të përhapjes së armëve bërthamore pra të krijimit të një bote pa armë të tilla shkatërrimtare. Sipas Rice, ishte një moment shumë domethënës ai kur të 15 liderët e vendeve të Këshillit të Sigurimit e mbështetën idenë dhe iniciativën e Presidentit amerikan. Sipas saj, Amerika kishte edhe 2 arritje të rëndësishme gjatë këtij viti: rezolutën në të cilën dënohej dhuna seksuale në zonat e luftës, si dhe forcimin e bazës ligjore për mbrojtjen e vajzave dhe grave nga sulmet. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë përparim të madh në çështjet e partneritetit jo vetëm me vendet që janë mike me të, por veçanërisht me vendet me të cilat Uashingtoni ka pasur vështirësi dhe probleme në të shkuarën. Për sa i përket Rice, veç punës si ambasadore në Kombet e Bashkuara, ajo është edhe anëtare e kabinetit të Obamës dhe ka një vend në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ajo kalon 4-5 ditë në Nju Jork dhe një pjesë të madhe të punës e bën përmes videokonferencave. Ndërkaq, të premteve ndodhet gjithmonë në Uashington për të punuar në Shtëpinë e Bardhë, qytet ku jetojnë edhe i shoqi dhe të dy fëmijët e saj. Ajo ka udhëtuar për punë edhe në emër të administratës amerikane si në rastin e një konference në Izrael në tetor. Si ish-asistente e sekretarit të Shtetit në epokën e administratës së Klintonit, Rice erdhi në Këshillin e Sigurimit, që shpenzon kohën më të madhe për çështjet e Afrikës, me një njohuri shumë të thellë në lidhje me çështjet e këtij kontinenti. Ajo ka qenë një avokate e zonja e çështjeve të mbrojtjes së civilëve, veçanërisht në Darfur dhe Kongo, kundër dhunës, sulmeve dhe përdhunimeve. Për sa i takon vitit të ardhshëm, sipas saj një nga çështjet më të rëndësishme dhe kyçe do të jetë procedimi i çështjes së Iranit dhe ambicies së tij bërthamore. Sipas Rice, Irani ka dy rrugë për të zgjedhur, ose përfshirjen në bashkëpunim ose sanksionet. Ndërkohë që ka edhe çështje të tjera delikate. SHBA po përgatit një konferencë në zyrat qendrore të OKB-së në maj në lidhje me çështjen e armëve bërthamore. SHBA do të përpiqet që gjithashtu të promovojë paqen në Darfur dhe do të interesohet edhe për referendumin e vitit 2011 për pavarësinë e Sudanit të Jugut.