E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugët që ndërtohen në 2009-n

09/12/2008  Lista e punimeve publike që do të përmirësojnë lëvizjen në akset kryesore të vendit

Kontratat brenda dhjetorit. Nga buxheti 47 miliardë lekë hidhen në rrugë

Rreth 47 miliardë lekë do të kushtojnë rrugët që do të ndërtohen në vitin 2009. Madje Qeveria ka planifikuar që ato të mbarojnë para qershorit. Një prej tyre është rruga e jugut, që lidh Dhërmin me Himarën, Qeparonë dhe Sarandën. Sipas burimeve të Ministrisë së Punëve Publike, kjo rrugë pritet të përfundojë brenda katër muajve të parë të vitit të ardhshëm. Ky investim në total do të “hajë” nga buxheti më shumë se 1 miliard lekë.

Rrugët 2009

Buxheti i shtetit ka parashikuar në total që investimet për të gjitha ministritë të kapin vlerën prej 90 miliardë lekësh. Nga këto rreth 57 miliardë lekë do të shkojnë vetëm për Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. “Kjo ministri vazhdon të përfitojë pjesën më të madhe të fondeve të parashikuara për investime publike. Kështu ajo do të përfitojë 56.5 miliardë lekë ose 72 për qind të totalit të investimeve publike. Në buxhetin 2009 parashikohet që 78.6 për qind e investimeve publike për këtë ministri të jenë investime me financim të brendshëm”, - thuhet në buxhet. Kështu, ky dikaster do të përdorë për investimet në rrugë një shumë prej 47 miliardë lekësh dhe gati 30 miliardë lekë do të shkojnë vetëm për rrugën Durrës-Kukës. Për këtë investim do të ketë të tjera para shtesë nga paratë e privatizimeve strategjike që Qeveria ka planifikuar të përfundojë këtë vit, por edhe vitin e ardhshëm.

Projektet

Me paratë e planifikuara pritet që të përfundojë së shtruari autostrada Fier – Vlorë, por edhe më shumë se 2/3 e rrugës së Arbrit, si dhe do të përfundojë studimi i boshtit qendror të jugut. Po kështu në planet e Ministrisë së Punëve Publike radhiten edhe projekte të tjera të infrastrukturës rrugore siç është nisja e ndërtimit të autostradës Qafë Plloç – Qukës, ndërtimi i rrjetit rrugor nga Vermoshi në Konispol, punimet në aksin Levan - Tepelenë, Sopot – Kamë – Krujë, Has – Kukës, si dhe vijimi i punimeve në unazën verilindore dhe juglindore e vendit, për të dalë nga Kalaja e Dodës, Peshkopi, Stërblevë, Librazhd. Veç këtyre projekteve në buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar edhe ndërtimi i 4 mijë kilometrave rrugë rurale. Një pjesë e mirë e tyre do të përfundojnë në afatet e përcaktuara në kontrata, që sigurisht do të jenë para zgjedhjeve të parashikuara për 2009-n. Madje duke e sjellë më herët në kohë, ministri i Financave Ridvan Bode ka theksuar se dhjetori do të jetë muaji i tenderimit dhe mbylljes së të gjitha kontratave. “Gjithë programi i investimeve publike në infrastrukturën rrugore nga ana e Qeverisë është parashikuar të realizohet në harkun e gjashtë muajve të parë të vitit 2009. Të gjithë tenderat e rrugëve që do të ketë Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit janë çelur dhe për këtë, mund të merrni të gjithë informacionin e nevojshëm pranë këtij dikasteri. Ajo listë objektesh që shoqëron buxhetin, tashmë ose është tenderuar ose është në proces tenderimi. Kjo do të thotë se brenda muajit dhjetor të gjitha kontratat për infrastrukturën rrugore do të jenë të lidhura”, - është shprehur ministri Bode, gjatë diskutimit të tij në Parlament.

Arsimi

Gjatë dhjetë muajve të parë të këtij viti investimet në arsim sipas të dhënave të Ministrisë së Financave nuk janë realizuar më shumë se 42 për qind. Por duke qenë një sektor prioritar edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës është planifikuar një shumë prej 41.16 miliardë lekësh. Sado që Qeveria kishte premtuar ta çonte këtë shifër në rreth 4-5 për qind të PBB-së, ajo nuk është më shumë se 3.5 për qind e PBB-së. Në shifra ky buxhet është rritur me 14.2 për qind në krahasim me buxhetin shtesë të vitit 2008. Totali i investimeve për vitin 2009 për këtë ministri është 8.55 miliardë lekë apo 36 për qind më i lartë se viti 2008.

Shëndetësi

Shumë dobët paraqitet situata e realizimit të investimeve në sektorin e shëndetësisë për dhjetë muajt e parë të vitit. Vetëm rreth 24 për qind, nga totali. Megjithë gjendjen e mjerueshme të spitaleve dhe të institucioneve shëndetësore, investimet e parashikuara nuk janë realizuar këtë vit. Ndërsa vitin e ardhshëm buxheti i shëndetësisë në krahasim me buxhetin suplementar të vitit 2008 është parashikuar të rritet në masën 10.4 për qind, duke përfaqësuar 2.1 për qind të PBB-së. Për sa i përket shpenzimeve kapitale, buxheti i kësaj ministrie për vitin 2009 është 4.3 miliardë lekë ose 22.9 për qind më shumë se viti 2008 duke u përqendruar në shërbimet kryesore shëndetësore.

Projektet

Pjesa më e madhe e financimit të brendshëm (rreth 11.2 miliardë lekë, ose 78 për qind) do të shkojë në sektorin rrugor, ku është menduar të financohen një numër i konsiderueshëm projektesh për ndërtim rrugësh nga të cilët përmenden:

· Ndërtim rruga Rrëshen - Kalimash

· Ndërtim rruga Kalimash – Kukës

· Ndërtim rruga Kukës – Morinë

· Ndërtim rruga Qeparo – Sarandë

· Ndërtim rruga Bulqizë-Bllatë

· Ndërtim rruga Vuno – Sarandë

· Ndërtim By Pass Kukës

· Ndërtim rruga e Valbonës segmenti B. Curri – Margegaj

· Ndërtim rruga Plloçë-Korçë

Projektet

Sektori i infrastrukturës rrugore zë pjesën më të madhe të financimit të brendshëm (rreth 51.072 miliardë ose 92.6 për qind të totalit të financimeve të brendshme) me projekte për ndërtim rrugësh nga të cilët përmenden:

· Ndërtimi i segmentit rrugor Fier - Vlorë (Levan - Vlorë)

· Ndërtimi i segmentit rrugor Fier (Levan) - Tepelenë

· Ndërtimi i rrugës Rrëshen - Kalimash

· Ndërtimi i rrugës Kalimash – Rexhepaj

· Ndërtim rruga Shkodër - Hani i Hotit

· Ndërtimi i segmentit Milot – Rrëshen

· Ndërtimi i segmentit Konispol - Sarandë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›