Nafta nuk ndalet, arrin rekordin e ri me 136 dollarë për fuçi
Ari i zi ka shënuar një tjetër rekord historik dje, duke arritur kuotën e 136 dollarëve për fuçi. Kjo rritje është ndër më të lartat brenda dy ditëve, kur çmimi ndryshoi me 4 dollarë. Sipas vendeve prodhuese, rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës nuk ka ndodhur për shkak të mungesave në furnizim, por si pasojë e spekulimeve dhe dobësimit të dollarit. As shtesa në prodhimin e saj nga Arabia Saudite nuk ndikoi në frenimin e çmimit. Analistët e bursave ia kanë faturuar rritjen e re të çmimit të naftës tolerancës së munguar të OPEC-ut dhe faktit që oferta për naftën bruto dhe nënproduktet e saj mbetet e pandryshueshme. Furnizimi ka rënë javën e kaluar me 5.3 milionë fuçi, bëri të ditur Departamenti Amerikan i Energjisë, duke shënuar edhe rënien më të madhe gjatë katër muajve të fundit. Ndërkombëtarët kanë paralajmëruar një rritje të mëtejshme të çmimit të naftës. Sipas tyre, brenda gjashtë muajve të tjerë të vitit, çmimi i naftës do të arrijë kuotën e 150 dollarë për fuçi dhe po kështu edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar se në bazë të parashikimeve, çmimi i naftës deri në dhjetor do të arrijë në nivelin e 200 dollarëve për fuçi. Rritje të ndjeshme çmimi i naftës po pëson pothuajse çdo ditë edhe në pikat e karburanteve në vend. Edhe pse nuk ka ndonjë raport të saktë nga autoritetet për të provuar abuzimet që mund të bëhen nga ana e importuesve, situata reale tregon se një pjesë e tregtarëve përfitojnë nga rritjet e shpeshta dhe të vazhdueshme të çmimeve në tregun ndërkombëtar, që rëndon vetëm mbi konsumatorët shqiptarë. Në pikat e karburanteve, nafta “D2” shitet me 152 lekë për litër, nafta eurodiezel tregtohet me 158 lekë për litër, ndërsa benzina me 155 lekë për litër. Këto shifra kanë treguar për një rritje me rreth 9 lekë për litër në krahasim me çmimin e tregtimit të naftë në tregun me pakicë, dy javë më parë.
BSH hodhi dje në shitje 3.2 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, publikoi të hënën për shitje me ankand 3.2 miliardë lekë bono thesari të qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankandin e Ministrisë së Financave, që do të zhvillohet më 27 maj, do të dalin për shitje bono thesari me maturim 3-mujor, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë. Këto bono do të emetohen në 7.8.2008.
27 Maj 2008