E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD përzgjedh të mërkurën kryetarët e rinj të gjykatave

Emrat e gjyqtarë që janë në garë sipas posteve që janë shpallur vakant. Kësaj here pritet të zgjidhen dhe dy kryetarët për Krimet e Rënda

Laureta Rryçi
Tiranë - Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka përcaktuar këtë të mërkurë të zhvillojë mbledhjen e radhës për vendet vakante për kryetarë që kanë mbetur pa u zëvendësuar. Burime nga ky këshill pohuan dje për gazetën “Albania” se me 28 maj presidenti në cilësinë e kryetarit të KLD-së ka përcaktuar mbledhjen duke përfshirë në rend të ditës kandidimin për kryetar gjykate në të dyja shkallët e Krimeve të Rënda, si dhe për kryetar Gjykate të Sarandës, Vlorës dhe Dibrës. Të njëjtat burime shpjeguan se për këto vende bosh kanë mbërritur një sërë kandidaturash. Gara më e fortë pritet të zhvillohet mes gjyqtarëve që kandidojnë për kryetarë të Gjykatave të Krimeve të Rënda. Për Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda mësohet se janë përfshirë dy kandidatë, Dhimitër Lara dhe Gjovalin Përnocaj. Ndërsa për në Gjykatën e Shkallës së Parë ka më shumë kandidatë. Kryetari i Krimeve të Rënda për shkallën e parë, Sandër Simoni ka gjykuar të kandidojë sërish duke treguar kështu se ka ende për të dhënë për drejtimin e kësaj gjykate.
Mbledhja
Ditën e mërkurë gjyqtarët që pretendojnë për vendet bosh si kryetar në disa gjykate do të paraqesin projektet e tyre se përse iu duhet besuar kjo detyrë. Për postin e Kryetarit të Gjykatës së Sarandës mësohet se garojnë dy gjyqtarë. Po kështu edhe për Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda kandidojnë dy gjyqtarë që kanë një eksperiencë të konsiderueshme në gjyqësor. Madje njëri prej tyre, Gjovalin Përnocaj njeh vetëm hapa progresi në karrierën e tij. vetëm pak muaj më parë, Përnocaj përfundoi mandatin e anëtarit të këtij këshilli duke u votuar pesë vite më parë nga Konferenca Gjyqësore. Ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda duket se do të ketë një konkurrencë më të fortë. Sipas burimeve në garë janë përfshirë kryetari aktual, Sandër Simoni që vjen para KLD-së pas disa viteve të suksesshme në menaxhimin e kësaj gjykate. Por, edhe kandidatët e tjerë, Dritan Hallunaj, Marsela Balili dhe Elteva Deda. Që të tre gjyqtarë që pak vite më parë morën besimin e ish-presidentit Moisiu duke iu besuar të gjykojnë dosjet më të bujshme për krimet e rënda.
Përzgjedhja
Sipas burimeve mbledhja pritet të nisë rreth orës 10 të paradites dhe duket se do të vazhdojë për disa orë me radhë për shkak të numrit të kandidatëve për vendet që janë shpallur vakante prej disa javësh po nga ky këshill. Ashtu si edhe kandidatët e tjerë, që pak kohë më parë u përzgjodhën në disa gjykata të vendit, pritet që edhe këta kandidatë fillimisht do të paraqesin projektin e tyre për menaxhimin e gjykatës. Më pas anëtarët e këshillit do të votojnë për kandidatin më të mirë që ata gjykojnë se iu duhen besuar këto poste.

27 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›