E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: “Forcat e Armatosura përmbushin detyrimet e NATO-s”



Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, priti dje në Tiranë shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA Hungareze, gjeneral kolonel Havril Andras. Oketa falënderoi ushtarakun e lartë hungarez për mbështetjen që Hungaria i dha Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Duke folur për angazhimet e Forcave tona të Armatosura për realizimin e këtij objektivi madhor, zoti Oketa theksoi se, “Forcat e Armatosura, strukturat e saj dhe gjithë trupat tona ushtarake janë të vetëdijshëm që të përmbushin të gjitha detyrimet që kemi për të merituar anëtarësimin e plotë në NATO dhe jam i bindur se në këtë proces do të kemi ndihmën dhe mbështetjen e Hungarisë”.

Topalli: “Presim nga BE-ja liberalizimin e vizave”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë takimit të përbashkët parlamentar mbi Ballkanin Perëndimor, në Parlamentin Europian, në Bruksel, ftoi Bashkimin Europian për një fleksibilitet më të madh kundrejt Shqipërisë, lidhur me regjimin e vizave. Gjatë fjalës së saj, kryeparlamentarja Topalli
foli mbi perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. "Ne presim me optimizëm që në fund të muajit tetor të këtij viti të gjithë parlamentet kombëtare të vendeve anëtare të BE-së ta kenë ratifikuar MSA-në. Shqipëria ka hapur negociatat për liberalizimin e plotë të vizave. Muri i Shengenit është një problem serioz për qytetarët shqiptarë, sërish të izoluar dhe në pamundësi për të lëvizur të lirë. Ne jemi të ndërgjegjësuar për plotësimin e angazhimeve tona, por në këtë fushë nuk mendoj se është e drejtë përdorimi i standardeve të ndryshme për vende të ndryshme sa i takon regjimit të vizave. Unë shpresoj se BE-ja do të jetë më elastike me Shqipërinë në lidhje me këtë çështje", - theksoi Topalli.

LSI: Rritja e pagave, demagogjia e radhës e Berishës

Lëvizja Socialiste për Integrim e cilëson demagogji dhe mashtrimin e radhës angazhimin e qeverisë dhe të kryeministrit Berisha për rritjen e pagave dhe pensioneve. Nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra, deklaroi se për shkak të inflacionit, rritja reale e pagave do të jetë shumë herë më pak, nga ajo që ka premtuar qeveria. “Përsa i takon problemit delikat të pagave, në buxhetin e vitit 2008 është parashikuar një rritje mesatare e pagave prej 8 përqindësh. Me një inflacion të deklaruar për tremujorin e parë 2008 prej 4,5% rritja reale e pagave është vetëm 3,5% për 6-mujorin e dytë ose 1,8% si vit kalendarik. Kjo rritje pagash nuk kanë asnjë lloj lidhje me premtimet dhe lajthitjet qeveritare për dyfishim pagash. Kushdo është në gjendje të kalkulojë diferencën ndërmjet 4,5% aktual dhe 200% të premtimit qeveritar”, - tha Kodra.

Kuvend, Balla-Nishani, polemika për Sefgjinin

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka akuzuar edhe gjatë seancës së djeshme të Kuvendit kryeministrin e vendit Sali Berisha për çështjen “Sefgjini”. Balla tha se lirimi i drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, ishte i padrejtë, ndërkohë që tha se Berisha është kthyer në një mburojë të të akuzuarit për vrasjen e Remzi Hoxhës. “Kryeministri Berisha është kthyer në një mburojë për Arben Sefgjinin dhe sot urdhëroi lirimin e tij”, - tha Balla, i cili kërkoi paraqitjen e kryeministrit Berisha për të raportuar tashmë për dy çështje, “Gërdecin” dhe çështjen “Sefgjini”. Pas akuzave të deputetit socialist, i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani. Ai i cilësoi shpifje akuzat e Ballës në drejtim të kryeministrit Berisha. “Duhet t’ia lëmë drejtësisë të hetojë dhe të vendosë për akuzat e bëra, pasi ai është organi kompetent i cili duhet të merret me këtë çështje”, - tha Nishani, për çështjen “Sefgjini”.

27 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›