Nafta, ulje tjetër e çmimit me 5 lekë për litër

Ashtu sikurse kishin premtuar, importuesit e karburanteve kanë ulur dje përsëri çmimin e naftës dhe benzinës deri në 5 lekë për litër
Ashtu sikurse kishin premtuar, grosistët kanë reflektuar dje në tregun tonë një tjetër ulje të çmimit të karburanteve, e cila ashtu si edhe para një jave, aplikohet në nivelin e 5 lekëve për litër. Kështu, të gjithë konsumatorët tashmë do ta blejnë një litër naftë D2 me vetëm 130 lekë, 1 litër benzinë me 135 lekë, ndërsa nafta D2 ka arritur të shitet me rreth 138 lekë në të gjitha pikat e pakicës. Importuesit e karburanteve premtuan rreth një javë më parë, kur edhe aplikuan uljen e çmimit me 5 lekë për litër, se një tjetër ulje do të aplikohet deri më datë 5 të këtij muaji, çka edhe u realizua dje. “Duke parë se bursat këtë javë kanë mbajtur të njëjtët çmime të naftës bruto, atëherë jemi të detyruar ta ulim përsëri çmimin, i cili që sot do të jetë përsëri 5 lekë më i lirë për litër si për naftën, ashtu edhe benzinën”, pohuan dje për “Korrierin” importues të karburanteve. Por deklaratat e tyre nuk mbarojnë me kaq, pasi përgjatë muajit nëntor mund të reflektohet një tjetër ulje çmimi, e cila këtë herë do të jetë në nivel më vogël.
Periferia me çmime më të lira
Kohët e fundit vihet re një tendencë e qytetarëve për të blerë karburante në pikat periferike, pasi atje çmimi është më i lirë. Kështu, nëse blini në periferi, për një litër naftë mund të kurseni deri në 3 lekë, ndërsa për benzinën ka raste që të kurseni edhe 5 lekë për litër. Grosistët e komentojnë këtë fakt, se taksat në përgjithësi për ushtrim aktiviteti në zonat e periferisë janë më të ulëta, ndërsa sipas tyre, shkak thelbësor përbën edhe çmimi i qerasë së ambientit. Një litër naftë D1 në zona jashtë Tiranës blihet deri në 127 lekë për litër, ndërsa benzina ka arritur të shitet edhe me 132 deri 130 lekë për litër.
Problem mbetet cilësia
Për të gjithë ata që duan të blejnë karburante cilësorë, sugjerohen pikat e pakicës të vendosura në zona urbane dhe kryesisht brenda qyteteve. Kjo lidhet me faktin se këto pika janë nën monitorim të vazhdueshëm nga inspektoratet përkatëse, ndërsa mundësia e abuzimit është më e vogël në krahasim me pikat periferike. Duhet përmendur fakti se një deklaratë e tillë u ka ardhur shpeshherë në ndihmë konsumatorit edhe nga Inspektorati Qendror Teknik, i cili funksionon për mbikëqyrjen e cilësisë në tregun e karburanteve. Por sipas IQT-së, tregu informal për nga pikëpamja cilësore është vetëm 3 për qind, ndërsa abuzimi është më i madh në shitjen me pakicë të naftës dhe benzinës.
Nafta në bursa, pa stabilitet çmimesh
Gjatë ditës së djeshme, çmimi fillestar i kuotimit të naftës në bursë ka qenë 70 dollarë, ndërsa gjatë ditës, rënia e kërkesës solli edhe ulje të çmimit për një fuçi me “ar të zi”. Çmimi minimal arriti deri në 67 dollarë, duke shënuar kështu ulje me afro 3 dollarë vetëm brenda një dite. Por duket se deri të premten, nafta nuk do të prekë ulje çmimi nën nivelin e sotëm, pasi kjo lidhet edhe më ndërprerjen e prodhimit nga OPEC-u me afro 2 milionë fuçi në ditë. E megjithatë, të dhënat nga “Financial Times” lidhur me ecurinë e bursës së Londrës tregojnë se dje mbyllja e shitjeve është bërë me një çmim prej vetëm 68.5 dollarësh. Duhet pranuar se çmimi i karburanteve në tregjet evropiane të shitjeve me shumicë ende nuk po gjen stabilitet, çka lidhet ngushtë edhe me luhatje të kërkesë-ofertës. Ulja e djeshme përllogaritet deri në 3 për qind për çmimin minimal, ndërsa për mbylljen e bursave, ulja e çmimit ka qenë vetëm 2 për qind. Të martën, çmimi i naftës arriti kufirin minimal të tij, duke bërë që një fuçi të shitet me vetëm 64 dollarë, ndërkohë që po brenda ditës, një fuçi arriti çmimin e plot 71 dollarëve, që përllogaritet me një rritje në nivelin e rreth 9 përqindëshit.