Sherri nuk ia vlen

Neritan Ceka flet për kodin zgjedhor e OSBE-në
Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, vëren se disa çështje nuk ia vlejnë aspak që të nxisin tensione apo sherre në jetën politike të vendit. Ceka, njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit, në një bisedë me “Korrierin” veçon se të nxisësh tensione se nuk ke anëtarë komisionesh zgjedhorë, nuk është në dobi të zhvillimeve demokratike, që kanë marrë në rastin e kodit zgjedhor, miratimin dhe mirëkuptimin e dy forcave të mëdha, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Neritan Ceka thotë se thotë se problemi nuk është tek shtimi i një përfaqësuesi tjetër politik në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por tek depolitizimi i anëtarëve të strukturave përkatëse. Ceka hedh poshtë me pikëpamjet e tij qëndrimin e Ilir Metës që drejton Lëvizjen Socialiste për Integrim, i cili kërkon medoemos anëtarë të KQZ-së, përndryshe paralajmëron se do të hyjë në grevë urie.
-Ju keni qenë mjaft kritik ndaj krerëve të mëparshëm të OSBE-së, ndërkohë që ndaj Bosh nuk keni të njëjtin qëndrim. A keni të njëjtin qëndrim pas deklaratës së tij ndaj protestuesve të LSI-së: “Turma ka gjithmonë të drejtë, por në rastin tuaj nuk është kështu”?
Neritan Ceka: “Kjo është normale në një vend demokratik ku nuk vendos turma dhe protesta. Vendosin gjithmonë institucionet, por problemi që kam me OSBE-në është ky: ai (problemi) është i ndryshëm nga ai që kam me ata që kanë drejtuar OSBE-në në Tiranë. OSBE-ja bën raporte që nuk zbatohen kurrë. Pra, nëse merr vërejtjet që ka bërë OSBE-ja në lidhje me zgjedhjet e 2005-ës, asnjë nga ato nuk është realizuar nga stafi aktual i OSBE-së, në kontakt me institucionet përkatëse shqiptare. Pra, këto janë si “hajmali” që nuk i vlejnë askujt. Gjithmonë bëhet një raport i tipit “kinez”, më falni, e kam në kuptimin politik, i cili thotë ka pesë të mira e tetë të këqija, ose mund të bëhen 6 me 2, ose 7 me 1. Por është e njëjta histori vazhdimisht dhe nuk luhet roli i mirëfilltë i OSBE-së, e cila duhet të jetë këtu për të propozuar standarde, jo zgjidhje teknike. Bosh është të paktën jashtë rolit ndërhyrës që ka pasur OSBE-ja, veçanërisht me figurën e Osmo Liponenit, por edhe rolit negativ që luajti OSBE-ja, duke shkatërruar përfundimisht sistemin e zgjedhjeve në Shqipëri, duke e kthyer atë në një sistem partiak. Sot jemi përpara të njëjtës dilemë, që është dilema e të gjithë neve që e kemi filluar në 1990-ën: përmbysjen e komunizmit. Cili ishte problemi i komunizmit, veçanërisht me zgjedhjet? Që votat i numëronte Partia e Punës. Ajo i numëronte pak në mënyrë më të ndershme se sot, sepse fuste në komisione formalisht, por nuk ishte Partia e Punës, ishin përfaqësuesit e frontit. Ishte një truk, por dukej sikur partia vihej në provë, se ishte ajo që propozonte kandidatë, por nuk numëronte votat e veta. Ky truk sot nuk ekziston. Sot kemi sistemin arkaik komunist, që partitë numërojnë votat e tyre në kundërshtim flagrant me interesat e elektoratit dhe në konflikt të plotë me interesat e partive. Pra, çfarë presim nga OSBE-ja? Të thotë të qartë “stop sistemit të numërimit të votave nga partitë! Stop politizimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”! Këtë presin qytetarët shqiptarë, dhe një qytetar shqiptar që nuk është as PS-ja, as PD-ja, si do të shkojë të votojë kur votat e tij do t’i numërojnë këto dy parti? Kjo nuk është as e ndershme, as moderne, as evropiane. Nga njëra anë themi që duam të futemi në Evropë. Po detyrohemi të zbatojmë standardet evropiane në bazë të MSA-së, në të gjithë drejtimet, deri tek heqja e taksave doganore, deri tek diametri i shalqirit e ngjyra e pjeprit dhe tek çështja kryesore që është menaxhimi i votave kemi sistemin komunist”.
-A jeni dakord me Boshin, i cili është shprehur që, nëse vendimi i parlamentit merret në mënyrë demokratike, atëherë nuk kemi sesi të ndërhyjmë dhe të kundërshtojmë?
“Kjo është një thënie, e cila po themi se po bëhet e zakonshme nga perëndimorët kur vijnë në Shqipëri, që po e mori vendimin parlamenti, është demokratike dhe harrojnë që, p.sh. Millosheviçi erdhi në pushtet me zgjedhje dhe me vendim të parlamentit. Kosova u terrorizua me vendim të parlamentit. Këto thënie nuk kanë vend. Mund të kenë vend në Holandë, por nuk kanë vend në Shqipëri, ku dy parti bëjnë një kod kundër qytetarit, jo kundër partive të tjera. Unë e kam shprehur hapur pikëpamjen time që, nëse në Holandë zgjedhjet i bën Ministria e Brendshme, edhe në Shqipëri duhet t’i bëjë Ministria e Brendshme. Duhet të ketë një institucion përgjegjës për rezultatin e zgjedhjeve dhe ky duhet të jetë vetëm një institucion shtetëror”.
-Reagimi i LSI-së, por ndoshta edhe i PDK-së për të vijuar protestat, mesa kanë paralajmëruar, ju duket normal?
“Unë mendoj që janë normale brenda normalitetit, ku KQZ-ja përbëhet nga përfaqësues të partive. Ndërkohë që zgjidhja më e mirë ishte të fshihen të gjithë anëtarët e partive nga KQZ-ja. Të mos kemi një KQZ me disa me bluza të kuqe, disa me bluza blu, disa portokall e ndonjë të bardha. Pra, si në stadium. Një stadium, ku secili lojtar të kishte nga një bilbil dhe imagjinoni çdo të bëhej; sa penallti do të jepeshin dhe se sa dilte ndeshja”.
-PAD-ja nuk do të jetë pjesë e protestave?
“Nuk është çështje protestash. Unë mendoj që, në qoftë se bëjmë një proces për të shtuar një anëtar në KQZ, nuk është zgjidhje. Zgjidhja e vetme është që të merret një vendim përfundimtar, që Shqipëria të ketë një sistem siç e ka gjithë Evropa. Pra, KQZ-ja të jetë një organ kushtetues, një organ i depolitizuar dhe menaxhimin e zgjedhjeve ta marrë në përgjegjësi Ministria e Brendshme. Ajo është ministria që merret me zgjedhjet në të gjithë botën dhe ajo ka autoritetin. Ajo çon kutitë edhe sot, ashtu si dhe paret e shqiptarëve i merr Ministria e Financave. Pse mos besojmë që ministri i Brendshëm i kësaj qeveria është po aq i përgjegjshëm sa ministri i Financave i kësaj qeverie.”
-Si e gjykoni vendimin më të ri për të shkuar në grevë urie?
“Besoj që nuk është dëshpërim, por është një veprim politik, i cili do të tërheqë vëmendjen kryesisht të ndërkombëtarëve”.
-Mund të ndodhë që t’i bashkoheni?
“Unë të bashkohem në grevë urie?! Nuk është stili im do të thosha, por i mirëkuptoj kolegët, sidomos në një moment kur po merret një vendim absurd. Të bësh komisione me pesë anëtarë nga forcat e mëdha e dy të tjerë po nga aleatët e tyre, besoj që kjo i ngjan si “dy pika uji” kohës së Partisë së Punës”. saqellari@korrieri.com