Sa e vështirë për Maradonën

Edhe pse nuk është ulur ende mirë në stolin e kombëtares argjentinase, Diego Armando Maradona ka hasur në kontestimet e para për sa i përket grumbullimit të lojtarëve. Në të përditshmen argjentinase “Ole” është publikuar edhe një fotomontazh, ku “Pibe de Oro” është shfaqur i masakruar nga kritikat e të gjithëve. Zgjedhja për të mos grumbulluar në kombëtare mesfushorin e Interit, Esteban Kambiason, nuk u ka pëlqyer aspak mediave. Kritika ka pasur edhe për dy lojtarët Zaneti dhe Hajnze, të cilët nuk shihen më si të denjë për kombëtaren. Madje “Ole” ka shkuar edhe më tej, duke shkruar se “në këtë mënyre nuk shkohet në botëror”. Por mosmarrëveshje Diego Maradona ka pasur edhe me presidentin e Federatës Argjentinase të Futbollit, Hulio Grondona, për sa i takon përbërjes së stafit teknik të trajnerit. Në fakt, federata miratoi dje emërimet e asistentëve teknikë të kombëtares: Karlos Bilardo, Serxhio Batista dhe Hose Luis Braun. Por dje Maradona deklaroi se në stafin e tij do të donte edhe ish-lojtarët e kombëtares, Alehandro Mançuso dhe Oskar Ruxheri. Por për këtë të fundit Grondona ka vendosur një veto të prerë.
Maradona vetëm dje e ka marrë zyrtarisht detyrën e trajnerit të kombëtares argjentinase, duke u shprehur se do të mundohet të bëjë më të mirën dhe nuk do të lejojë askënd që të ndërhyjë në punën e tij. “Është një nder. Një ëndërr që realizohet të drejtoj kombëtaren time në krah të Karlos Biliardos, - është shprehur Maradona. - Do të bëj të pamundurën për t’i dhënë kombëtares atë që meriton. Duhet ta shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe t’i themi gjërat hapur. Të gjithë duhet ta dinë se unë jam numri një dhe duhet t’u binden urdhrave të mia. Kur kam hyrë këtu, kam pasur të njëjtat ndjesi si edhe në kohën kur kam qenë lojtar. Zemra më rreh ende fort”.
Deri përpara datës 19 nëntor që do të jetë dhe debutimi i Maradonës në drejtimin e kombëtares argjentinase në miqësoren me Skocinë, Diego do të udhëtojë për në Evropë, për të takuar të gjithë lojtarët që ka grumbulluar dhe për të folur nga afër me ta.