E Diel, 1 Nëntor 2026

Valsi i bankinave, pesë debutues e tre të huaj

Historia e trajnerëve të Superligës në edicionet e fundit, ka qenë më shumë një histori "gijotine". Më përjashtim të tre skuadrave: Partizani (Lika), Shkumbini (Magani) e Elbasanit (Alimehmeti), 9 skuadrat e tjera panë në bankinë nga katër (Besa), tre (Tirana) e të tjerat nga dy trajnerë, përfshirë edhe Dinamon, që u shpall kampione (Canaj, Daja).
Tashmë janë përcaktuar trajnerët e 12 skuadrave të Kategorisë Superiore, ku e fundit ishte Teuta. Presidenti Edmond Hasanbelliu më në fund pas disa dyzimesh e dyshimesh, atyre për të zgjedhur midis alternativës së një trajneri vendas e të huaj, përfundimisht vendosi për Sulejman Starovën, teknikun që e coi në finalen e Kupës së Shqipërisë dy sezone më parë, 2006-2007.
Duke parë 12 trajnerët sezonit 2008-2009, 3 prej tyre janë të huaj: kroati Slavko Kovacic (i rikonfirmuar te Flamurtari), argjentinasi Zuleta te Dinamo dhe boshnjako-krotai Slishkovic te Tirana (prezantohet zyrtarisht, më 4 korrik). Pesë ekipe kanë trajnerë të rinj duke marrë si pikënisje përfundimin e sezonit: Dinamo, Tirana, Vllaznia, Elbasani e Teuta. Por, le t'i marrim me radhë.
DINAMO – Kampionia e Shqipërisë kërkon të formalizohet me staturë ndërkombëtare, madje nga shkolla më e mirë e trajnerëve në botë, ajo argjentinase. Ngryset me Ilir Dajën e konfirmuar dhe gdhihet me Marcelo Havier Zuleta. Argjentinasi i tretë në drejtimin e bluve pas Paskulit e Kabreros dhe i gjashti i huaj, duke përfshirë edhe rumunin Cikleaunu e kroatët Bonacic e Katalinic. Nëse do të risjellim në kujtesë "plakushin" Kabrero, do të kujtojmë se argjentinasi i famshëm, një ndër tetë trajnerët më të mirë në botë për sezonin e kaluar, rezistoi vetëm një muaj para dy vitesh me Dinamon, pikërisht në aq sa përgatiti Dinamon për Kupën Intertoto 2006.
VLLAZNIA – Edhe fituesi i Kupës së Shqipërisë, malaziasi Dervish Haxhiosmanovic, nuk ia doli të mbijetonte pas kërkesës për rritje rroge. Presidenti Valter Fushaj caktoi vlonjatin Agim Canaj për të drejtuar për herë të parë Vllazninë, i cili më parë ka qenë në krye të bankinave të Besës, Skënderbeut, Shkumbinit, Flamurtarit e së fundi, Dinamos, ku për këtë të fundit dha dhe një kontribut të pamohueshëm në fitimin e titullit kampion, pavarësisht se Ilir Daja, vari në qafë medaljen e artë. Canaj, një teknik punëtor është shndërruar në njeri akoma më të heshtur në Shkodër. Mungesa e lojtarëve cilësorë për të përballuar sllovenët e Koper në Kupën UEFA, e ka bërë më fjalëpak ish-trajnerin e lakmuar nga gjysma e Superligës.
PARTIZANI – Hasan Lika ndodhet në sezonin e tij të tretë te Partizani, ku kulmin e ka me arritjen e vendit të dytë në sezonin e tij të dytë. Një profesionist i vërtetë në punë dhe një nga njohësit më të mirë të ambientit të kuq, por dhe një ideator i shumë zgjidhjeve që kanë sjellë një mentalitet fituesi te skuadra e Partizanit. I sigurt në punën e tij, Lika është duke përgatitur ekipin në Pogradec kundër boshnjakëve të Shiroki Brijeg, një kundërshtar i kalueshëm ne letër në pikëpamjen tonë, por të njëjtin vlerësim ndan edhe media boshnjake për Partizanin.
TIRANA – E shpërfytyruar sezonin e kaluar, edhe pse pati në drejtim jo pak por tre trajnerë që kishin fituar titullin kampion(Starova, Hafizi, Mema), Tirana, më konkretisht presidenti i saj me rotacion, Refik Halili, këmbënguli për një trajner të huaj. Emrat e përfolur ishin të paktën gjashtë, por nëse Ivan Gudejl kreu edhe një vizitë në kryeqytetin shqiptar, ishte boshnjako-kroati Bllazh Slishkovic, ai që pranoi të nënshkruante me rekordmenët shqiptarë. Një fakt është interesant: asnjë nga trajnerët huaj që ka drejtuar Tiranën, nuk e ka përfunduar sezonin.
BESA - Pa kryetrajner, është edhe Besa, e cila nën drejtimin e Ilirjan Haxhiaj kaloi një tur në Kupën Intertoto e po tenton të dytin. Ndoshta presidenti Bizhdili edhe mund ta mbajë, por një "lakmitar" si Xhati, i cili ka provuar tetë trajnerë në dy sezonet fundit (Lika, Canaj, Daiu, Bici, Berati, Dumitresku, Starova, Haxhiaj-Berati) sigurisht që do të tentojë për një emër të madh.
ELBASANI- Në tre vitet e fundit rregullisht ka pasur nga një trajner të ri, edhe pse presidenti Arben Laze ka zakonin e mirë të mos e largojë trajnerin. Artan Bushati, Ilir Daja e Krenar Alimehmeti kanë qenë të palëkundur në bankinë. Edhe Mirel Josa (për herë të parë në stolin verdheblu) ka bindjen se do të mbijetojë, edhe nëse nuk do të marrë një nga trofetë apo një nga vendet që të con në Europë.
TË TJERAT - Në grupin e skuadrave të brezit të dytë spikasin tre emra: kroati Slavko Kovacic te Flamurtari, Faruk Sejdini te Bylis e Sulejman Starova te Teuta. Shkumbini është në dorë të Gugash Maganit, Lushnja në atë të Artan Banos dhe Apolonia në atë të Gert Haxhisë.
Skuadrat dhe trajnerët
1.DINAMO M. ZULETA (argjentinas)
2.Partizani H. Lika (shqiptar)
3.Besa I. Haxhiaj (shqiptar)
4.TIRANA B. SLISHKOVIC (boshanjko-kroat)
5.VLLAZNIA A. CANAJ (shqiptar)
6.ELBASANI M. JOSA (shqiptar)
7.Shkumbini G. Magani (shqiptar)
8.TEUTA S. STAROVA (shqiptar)
9.Flamurtari S. Kovacic (kroat)
10.Bylis F. Sejdini (shqiptar)
11.Apolonia G. Haxhiu (shqiptar)
12.Lushnja A. Bano (shqiptar)
* Me kapitale trajnerët e rinj të ekipeve

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›